Në Maqedoninë e Veriut në gjashtë muajt e fundit janë shpallur dhjetëra vendime gjyqësore lidhur me veprën penale “përndjekje”, që ka të bëjë me kërcënimet kryesisht përmes platformave sociale, ngacmimet në vendin e punës, si dhe forma të tjera të shqetësimit.
Për shkak të mesazheve kërcënuese në Viber, ngacmimeve në punë, por edhe ndaj familjes dhe miqve të ngushtë të një gruaje nga Ohri, ish-partneri i saj është dënuar me kusht.
Sipas aktgjykimit për përndjekje nga Gjykata në Ohër, të akuzuarit nga ky qytet i është shqiptuar dënimi prej tre muajsh me kusht nëse brenda dy vjetëve nuk e përsërit veprën penale.
Një persona tjetër nga qyteti i Tetovës, i cili, sipas vendimit të gjykatës, për një muaj të tërë përndiqte ish-partneren e tij, e ngacmonte në punë, e ndiqte në shtëpi dhe vazhdimisht e ofendonte publikisht, është dënuar me nëntë muaj burgim me kusht, por vendimi nuk do të zbatohet nëse brenda dy vjetëve nuk e përsërit veprën.
Gjykata në Tetovë ka urdhëruar të dënuarin të paraqitet në zyrën sprovuese, ku do të jetë nën mbikëqyrje, por nëse ai nuk paraqitet, gjykata ka të drejtë të revokojë dënimin me kusht.
Ndërkohë, një banor nga qyteti i Vinicës kërcënoi se do të publikonte mesazhe dhe video komprometuese të ish-partneres së tij, nëse ajo nuk pranonte të rifillonte lidhjen e tyre.
Gjykata në Vinicë e dënoi të akuzuarin me tre muaj burgim me kusht.
Për veprën penale “përndjekje” nga shkurti i vitit të kaluar janë pranuar 51 kallëzime penale dhe për dymbëdhjetë prej tyre janë ngritur aktakuza, ndërsa për gjashtë të tjera gjykatat kanë kërkuar gjobë.
“Në nëntë raste, pas kontrollit të të gjitha pretendimeve, është marrë vendim për refuzimin e kërkesës. Në 24 raste procedura pas kallëzimit penal është ende në vazhdim”, thuhet në përgjigjen nga Prokurorisë Themelore Publike.
Çfarë është përndjekja?
Përndjekja dhe ngacmimi seksual u bënë vepra penale në shkurt të vitit të kaluar, me ndryshimet në Kodin Penal.
Përndjekja, sipas ndryshimeve, përkufizohet si një grup veprash që përfshijnë fillimisht thirrjet telefonike, dërgimin e letrave apo dhuratave, e që vlerësohen të frikshme për viktimën.
Por, sipas raportimeve të organizatave joqeveritare që hetojnë këtë fenomen, përndjekja nuk ndalet vetëm në veprime të tilla, pasi me kalimin e kohës nga fillimi i përndjekjes, veprimet bëhen gjithnjë e më të rrezikshme, shpesh të përsëritura, duke kaluar në krime seksuale dhe të dhunshme.
Viktimat të përndjekjes kryesisht vajzat dhe gratë
Sipas ekspertëve të krimit kibernetik, përndjekja më së shumti raportohet nga vajzat dhe gratë që janë viktima të saj. Ndërsa, për kapjen e autorëve, shpesh nevojitet edhe bashkëpunim ndërkombëtar, nëse ata gjenden jashtë vendit.
“Përvoja e deritashme, pas raportimeve të qytetarëve për këtë krim, tregon se sigurisht që është më e lehtë të përcaktohen autorët, nëse janë në territorin e vendit tonë. Nëse ndodhen jashtë vendit, këtu procesi ndërlikohet pak, sepse krimi kibernetik është një krim transnacional dhe nëse nuk arrijmë bashkëpunim ndërkombëtar për marrjen e provave nga shteti i huaj, nuk mund të kemi sukses, domethënë të zbulojmë autorin e krimit”, thotë Marina Peshovska, hetuese e krimit kompjuterik në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup.
Me ndryshimet në Kodin Penal, personi që shpallet fajtor do të dënohet me gjobë ose me burgim në kohëzgjatje deri tre vjet.
Selmani: Kodi Penal duhet të jetë më i rreptë për ngacmimet
Bashkim Selmani, profesor i së drejtës ndëshkimore në Fakultetin Juridik në Universitetin e Tetovës, thotë se Kodi Penal duhet të përfshijë më shumë vepra penale lidhur me ngacmimet, pasi, sipas tij, platformat sociale tashmë përbëjnë kërcënim serioz për njerëzit.
Ai thotë se vendimet gjyqësore me kusht nuk janë adekuate duke marrë parasysh rritjen e dukurive të tilla.
“Duhet të plotësohet Kodi Penal dhe procedura penale me veprat e reja elektronike që janë shumë agresive në terren dhe nuk kontrollohen apo vëzhgohen për të parandaluar dhe evituar shkaqet dhe pasojat e rritjes së ngacmimeve, shantazheve dhe pasigurisë së komunikimit elektronik e masiv. Sepse sot, çdo kush mund të jetë i shantazhuar dhe viktimë, dhe çdo kush në të njëjtën kohë mund të jetë viktimë dhe autor, sidomos te gjinia femërore dhe grupmoshat e reja”, thotë Selmani.
Ai këtë e sqaron me atë që njihet si “Dhomat Publike” një rast që ka ndodhur në vitin 2019 kur shumë gra u përballën me presione, shantazhe e kërcënime të shumta.
Fotot dhe videot e vajzave u shpërndanë në një grup të mbyllur në aplikacionin Telegram - disa të dërguara në mirëbesim, të tjera të shkarkuara nga rrjetet sociale, me komente të papërshtatshme. Mes tyre kishte edhe vajza të mitura.
Dy personat që kishin krijuar grupin në platformën sociale, u dënuan me nga katër vjet burgim, por vetëm pas miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal.