Ndërlidhjet

Vdiq McCain - heroi i luftës që u shndërrua në ikonë politike


Vdes John McCain, senator, veteran dhe kandidat presidencial
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:38 0:00

Senatori amerikan, John McCain, gjashtë herë senator republikan nga Arizona dhe hero i luftës që ka duruar gati gjashtë vjet torturë dhe robëri në burgun famëkeq Hanoi Hilton, ka vdekur në moshën 81-vjeçare.

I njohur për qëndrimin luftarak gjatë gjithë dekadave në Senat dhe për dy përpjekje të dështuara për t’u zgjedhur president i Shteteve të Bashkuara, McCain ka vuajtur nga kanceri në tru.

Ai ka qenë i rrethuar nga familja dhe miqtë në Arizona në ditët e fundit, ndërsa ka ndërruar jetë pas publikimit të librit të tij të fundit “Vala e shqetësimit: Kohët e mira, kauzat e drejta, luftërat e mëdha dhe vlerësimet e tjera”.

Në librin e tij, McCain ka pranuar se nuk ka ide se sa kohë i ka mbetur për të jetuar, porse kjo nuk e ka ndaluar të godasë presidentin aktual, Donald Trump, të shprehë keqardhje për zgjedhjen e ish-guvernatores së Alasakës, Sarah Palin, si kandidate për zëvendëse të tij në fushatën e vitit 2008, si dhe të shprehë shqetësime për reputacionin ndërkombëtar të vendit të tij.

Për kohë të gjatë kryetar i Komitetit të Senatit për Shërbime të Armatosura, McCain është konsideruar ekspert në çështje të mbrojtjes dhe të politikës së jashtme.

McCain ka lindur në Stacionin Detar Solo Coco të Panamasë më 29 gusht, 1936, në një familje me histori të thellë ushtarake.

Duke ndjekur gjurmët e babait dhe të gjyshit të tij, të dy admiralë me katër yje, ai ka diplomuar në Akademinë Detare në Anapolis, në vitin 1958.

Më pak se një dekadë më vonë, ai është dërguar në Vietnam, ku aeroplani i tij është goditur në Hanoi.

Pavarësisht dy duarve të thyera, gjurit të thyer dhe torturës së vazhdueshme, McCain i ka refuzuar ofertat për lirim të parakohshëm nga robëria, duke thënë se ai do të largohet vetëm kur i burgosuri i fundit amerikan të dalë nga dera.

“Kam rënë në dashuri me vendin tim kur kam qenë i burgosur në vendin e dikujt tjetër”, ka thënë McCain kur ka pranuar emërimin e Partisë Republikane për kandidat në zgjedhjet presidenciale të vitit 2008.

“I kam dashur Shtetet e Bashkuara për dinjitetin e tyre, për besimin në urtësinë, drejtësinë dhe mirësinë e popullit të tyre. I kam dashur sepse nuk kanë qenë vetëm një vend, por një ide, një kauzë për të cilën duhet luftuar. Nuk kam qenë kurrë i njëjti përsëri. Nuk kam qenë i vetes sime më, kam qenë i vendit tim”, ka thënë McCain.

Por, ai ka vazhduar të jetë vetja e tij.

Si senator, ai i ka sfiduar presidentët, pavarësisht përkatësisë partiake, nëse e ka ndjerë se politikat e tyre nuk janë në përputhje me pikëpamjet e tij. Në sytë e publikut, ai është transformuar nga hero i luftës në ikonë politike, duke fituar reputacionin e një rebeli.

Gjatë mandatit të tij të parë në Kongres, ai është ngritur kundër presidentit Ronald Reagan, një republikan i respektuar deri më sot, për shkak të vendimit të tij për t’i vendosur marinsat paqeruajtës në Bejrut me kapacitete të kufizuara mbrojtëse.

Shqetësimet e McCainit kanë qenë me vend, pasi një sulmues vetëvrasës ka hedhur veten në erë në kazermë, duke vrarë 241 marinsa në tetor të vitit 1983.

Nami i tij është rritur derisa vazhdimisht ka sfiduar presidentin tjetër republikan, George W. Bush, në lidhje me shkurtimet e taksave, akuzat për tortura dhe strategjinë e SHBA-së në Irak.

McCain ka qenë po aq i ashpër edhe me udhëheqësit e Partisë Demokratike.

Ai ka qenë një nga kritikët më të ashpër të politikës së jashtme të presidentit Barack Obama. Ai ka vënë në pikëpyetje vendimin e tij për të tërhequr trupat nga Iraku dhe refuzimin e tij për të mos tërhequr “vija të kuqe” në Siri, pasi presidenti i këtij vendi, Bashar al-Assad, ka përdorur armët kimike kundër popullit të tij.

Në vitin 2017, McCain ka vizituar Kosovën.
Në vitin 2017, McCain ka vizituar Kosovën.

Gjërat kanë ndryshuar pak edhe kur republikani Donald Trump ka marrë udhëheqjen e Shtëpisë së Bardhë në vitin 2017.

McCain është vënë në rolin e kundërshtarit kryesor të presidentit. Të dy ata janë përplasur shpesh publikisht në lidhje me politikën e jashtme, sidomos sa i përket Sirisë, Rusisë dhe Kinës.

Trump, i cili vazhdimisht nënçmon republikanët dhe demokratët që e kritikojnë, e ka quajtur McCainin “jokompetent”. Si kandidat, Trump është tallur me McCainin, duke thënë se “ai është hero i luftës, sepse është zënë rob”. Trump, i cili kurrë nuk ka shërbyer në ushtri, ka thënë se i pëlqen “njerëzit që nuk janë zënë robër”.

Në skenën ndërkombëtare, McCain ka qenë i njohur për qëndrime të drejtpërdrejta dhe për gjuhën e thjeshtë që i ka bërë shpesh çështjet e vështira politike më të lehta për t’u kuptuar.

Ai ka qenë mbështetës i fuqishëm i anëtarësimit të vendeve të Evropës Lindore në NATO.

Në prill të vitit 2017, McCain ka vizituar Malin e Zi dhe ka thënë se anëtarësimi i këtij vendi në aleancën perëndimore ushtarake është jetik për stabilitetin rajonal dhe përpjekjet e përbashkëta të aleatëve perëndimorë për t'i rezistuar një Rusie të rilindur.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë në një intervistë të publikuar më 8 qershor të vitit 2017 se McCain – kritikues i tij, i cili ka thënë se Putin është kërcënim më i madh për botën sesa grupi ekstremist Shteti Islamik – jeton në "Botën e Vjetër".

McCain po ashtu i është referuar Rusisë si “stacion gazi që maskohet si shtet”. Megjithatë, Putin ka thënë se e admiron patriotizmin e McCainit.

McCain ka lënë prapa gruan e tij Cindy, me të cilën ka qenë i martuar për 38 vjet, dhe pesë fëmijë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG