Ndërlidhjet

Vdiq Ismail Kadare: "Shqiptarët humbën gjeniun e letrave"


Kadare - "një dritë vezulluese në ditët më të errëta të Shqipërisë"
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:24 0:00

VIDEO: Kadare - "një dritë vezulluese në ditët më të errëta të Shqipërisë"

Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, vdiq të hënën në moshën 88-vjeçare, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë botuesi i tij, Bujar Hudhri.

Burime pranë Qendrës Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë njoftuan, po ashtu, se Kadare "pësoi arrest kardio-respirator".

Kadare lindi në vitin 1936 në Gjirokastër - një qytet i vogël në malet e jugut të Shqipërisë.

Qyteti i tij, për të cilin shkroi romanin “Kronikë në Gur”, bën pjesë në trashëgiminë botërore që mbron UNESCO-ja.

Tridhjetë vjet të karrierës së shkrimtarit, Kadare i jetoi në Shqipërinë komuniste, ku edhe shkroi kryeveprat: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Prilli i thyer”, “Dimri i madh” e “Ura me tri harqe”.

“Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”, gazeta amerikane Boston Globe e përshkroi si “roman të fuqishëm dhe prekës”.

Ai, gjithashtu, hyri në 100 librat e shekullit të gazetës Le Monde.

Bën fjalë për historinë e një gjenerali italian, i cili shkon në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore për të marrë trupat e ushtarëve italianë.

Kadare është "një nga romancierët më bindës që shkruan në çdo gjuhë", shkroi Wall Street Journal për të.

Viti 2009: Kadare gjatë një vizite në Prishtinë, ku takoi presidentin e atëhershëm të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:22 0:00
Shkarko

Librat e tij tashmë janë përkthyer në më shumë se 45 gjuhë të botës.

Shumë prej tyre kanë qenë të ndaluar në Shqipërinë komuniste - ndër to edhe “Pallati i ëndrrave”, ku Kadare shtjellon marrëdhënien pushtet-individ.

Në një intervistë për gazetën Financial Times në vitin 2010, Kadare tha se është më së shumti krenar për këtë vepër.

“Është shkruar në vitin 1980 dhe është botuar një vit më vonë, gjatë periudhës më të zezë të tiranisë shqiptare. Ishte një libër kundër asaj tiranie”, tha Kadare.

Për vitet e diktaturës shkroi edhe në veprat: “Piramida” e “Koncerti”.

Kadare emigroi në Francë në vitin 1990, pasi bëri deklarata në favor të demokratizimit.

Në vitin 1996 u bë anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale dhe Politike.

Më 1998, kur edhe nisi lufta në Kosovë, Kadare publikoi librin “Tri ditë zie për Kosovën”.

Aty rrëfeu betejën e Kosovës më 1389, në të cilën disa mbretëri ballkanike i kanë bashkuar forcat kundër turqve dhe kanë humbur.

Kadare fitoi disa çmime ndërkombëtare. Me vite, u përmend edhe si pretendent i mundshëm për Çmimin Nobel për Letërsinë.

Vitin e kaluar, presidenti francez, Emmanuel Macron, i dha titullin "Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit" gjatë një vizite që bëri në Tiranë.

Në dekadat e fundit, Kadare jetoi dhe shkroi midis Parisit e Tiranës.

“Në Paris, unë gjithmonë punoj në të njëjtën kafene. Në Tiranë kjo është e pamundur, për shkak të kuriozitetit të njerëzve”, tha Kadare për Financial Times.

"I gjithë populli shqiptar në zi"

Duke reaguar pas lajmit për vdekjen e Kadaresë, Akademia e Shkencave e Shqipërisë tha se "ikja e tij është e pangushëllueshme" për të dhe për letërsinë shqipe.

"Letërsisë shqipe do t'i mungojë kryemjeshtri, letërsisë evropiane do t'i mungojë fizikisht zëdhënësi i një kombi e një rajoni, qytetërimit tonë do t’i mungojë shqiptuesi i kumteve të mëdha", thuhet në reagim.

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës iu referua atij si "emblemë e letërsisë bashkëkohore shqipe" dhe e përshkroi si "një nga shkrimtarët më të mëdhenj dhe më të njohur të letërsisë evropiane".

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se "Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne".

"Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës", shkroi Begaj në Facebook.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi atë si "monumentin më të madh të kulturës shqiptare".

Kadare e ngriti letërsinë dhe kulturën shqiptare "në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror", tha edhe kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla.

"Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohërave, u ngrit në Olimpin e letrave shqipe", tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se "populli i Kosovës, sikur i gjithë populli shqiptar, sot është në zi".

"Ai humbi kolosin e dijetarin më të njohur shqiptar, humbi mbështetësin e pandalshëm të së drejtës së popullit shqiptar në Kosovë për të jetuar i lirë e i mosvarmë, e promovuesin e pandalshëm të kësaj të drejte gjithandej botës", tha Osmani për Kadarenë, të cilit kohë më parë i dorëzoi edhe shtetësinë e Kosovës.

"Anija e romaneve të Kadaresë do të lundrojë pafundësisht", tha në anën tjetër kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

"Ne humbëm shkrimtarin më të madh të të gjitha kohërave, bota humbi shkrimtarin e saj më të madh të gjallë", sipas tij.

Për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, "letërsia shqipe humbi një nga kolosët e saj më të veçantë, ndërsa kultura shqiptare mbeti pa ambasadorin e vet më të shquar".

Pas vdekjes së Kadaresë reagoi edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, duke e thirrur atë "gjigant të letërsisë".

"Zëri i tij i fuqishëm letrar, i përkthyer në 45 gjuhë, ka bërë jehonë në të gjithë Evropën dhe më gjerë, duke i shfaqur botës kulturën e pasur dhe të larmishme shqiptare... Trashëgimia e Kadaresë do të mbetet", tha BE-ja.

Në reagimin e Ambasadës amerikane në Tiranë thuhet se vepra e Kadaresë "ka krijuar ura midis Shqipërisë dhe botës".

Kontribuoi: Jetmira Delia-Kaci

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja origjinale e Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG