Jean-Marie Le Pen, themeluesi i partisë së ekstremit të djathtë në Francë, Fronti Kombëtar – i cili njihej për retorikën e ashpër kundër imigracionit dhe multikulturalizmit – ka vdekur të martën në moshën 96-vjeçare.
Le Pen, i cili ndodhej prej javësh nën kujdes shëndetësor, vdiq të martën “i rrethuar nga më të dashurit e vet”, tha familja e tij.
Le Pen, një mohues i Holokaustit dhe kundërshtar i zëshëm i imigracionit, racës dhe gjinisë, e themeloi partinë e ekstremit të djathtë në vitin 1972.
Në vitin 2002, ai shkoi në balotazh në zgjedhjet presidenciale ku humbi ndaj Jacques Chirac.
Vajza e tij, Marine Le Pen, e përjashtoi atë nga partia dhe ia ndryshoi emrin partisë së tij Fronti Kombëtar në Tubimi Kombëtar, duke e bërë atë njërën prej forcave më të fuqishme politike në vend teksa e distancoi veten nga imazhi ekstremist i babait të vet.
Jordan Bardella, presidenti i partisë Tubimit Kombëtar, siç njihet tani kjo parti, konfirmoi vdekjen e Jean-Marie Le Pen në një postim në platformën sociale X të martën.
Nderimet e ngrohta dhe pazakonta të Bardellas nënvizojnë të kaluarën polemike të Le Penit, duke përfshirë lidhjet e tij me Luftën e Algjerisë. Ai e përshkroi Le Penin si një "mbrojtës të popullit" që "gjithmonë i shërbeu Francës" dhe shprehu ngushëllimet e tij për familjen, përfshirë të bijën, Marine Le Pen.
Me gjithë përjashtimin e tij nga partia në vitin 2015, trashëgimia përçarëse e Jean-Marie Le Pen vazhdon të ketë ndikim, duke shënuar dekada të historisë politike franceze dhe duke formësuar trajektoren e së djathtës ekstreme.
Jean-Marie Le Pen, i dënuar disa herë për antisemitizëm dhe i akuzuar rregullisht për ksenofobi dhe racizëm, mbrohej shpesh duke pretenduar se ishte thjesht një patriot që mbronte identitetin e "Francës së përjetshme".
Kohët e fundit, Le Pen u përjashtua nga ndjekja penale për arsye shëndetësore në një gjyq të profilit të lartë që filloi në shtator, ku partia e tij dyshohej për përvetësim të fondeve të Parlamentit Evropian. Autoritetet gjyqësore franceze e vendosën Le Penin nën kujdestari ligjore në shkurt, me kërkesë të familjes së tij, pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua, raportuan mediat franceze.
Ai kishte qenë me shëndet të dobët për një kohë të gjatë.
Le Pen u dënua në vitin 1990 për një deklaratë të bërë në radio në vitin 1987, ku ai i quajti dhomat naziste të gazit “thjesht një detaj në historinë e Luftës së Dytë Botërore”.