Ndërlidhjet

Vdes adoleshenti palestinez që u qëllua nga forcat izraelite


Ka vdekur të hënën adoleshenti palestinez, i cili ishte qëlluar me armë zjarri nga trupat izraelite pasi e kishte hedhur një bombë ndezëse në Bregun e okupuar Perëndimor javën e kaluar, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e Palestinës.

Ky është incidenti më i fundit në një varg të gjatë incidentesh mes izraelitëve dhe palestinezëve në Bregun Perëndimor gjatë vitit të fundit.

Ky rast vjen pas një fundjave të përgjakshme, gjatë të cilës një ardhës e vrau një burrë palestinez dhe një palestinez i armatosur e vrau një roje sigurie izraelite në Tel Aviv.

Agjencia e lajmeve e Palestinës, Wafa, raportoi se Ramzi Hamed u qëllua me armë zjarri pranë vendbanimit Ofra në Bregun Perëndimor, afër qytetit të tij Silwad në veri të Ramallahut.

Fathi Hamed, babai i djaloshit, tha për Associated Press se i biri i tij u qëllua mëngjesin e të mërkurës së kaluar, pasi kishe hedhur bomba ndezëse ndaj ushtarëve që po operonin afër Silwadit.

Ushtria izraelite tha “duket se” Hamed i kishte hedhur bombat ndezëse në drejtim të portës së vendbanimit. Ajo ofroi pamje të kamerave të sigurisë nga, siç tha, incidenti, në të cilat një djalë i ri shihet duke dalë nga një veturë dhe duke e hedhur një bombë ndezëse, dhe pastaj duke ikur me shpejtësi me veturë, pas shpërthimit.

Nuk është e qartë sa afër forcave të sigurisë ka ndodhur shpërthimi, apo kur u qëllua adoleshenti.

Dhuna është shtuar dukshëm në veri të Bregut Perëndimor falë rritjes së sulmeve me armë nga grupe palestineze ndaj izraelitëve, arrestimeve dhe bastisjeve pothuajse të përditshme nga ushtria izraelite, dhe nga sulmet në rritje të ardhësve ekstremist hebre.

Të hënën, ushtria izraelite tha se trupat e saj i arrestuan 17 palestinezë gjatë natës në Bregun Perëndimor. Mediat izraelite raportuan se pesë nga të arrestuarit dyshohen për pjesëmarrjen në përleshje me ardhësit izraelitë të premten, ku mbeti i vdekur një palestinez.

Ardhësit izraelitë e sulmuan një fshat palestinez në Bregun Perëndimor të premten. Ata i dogjën veturat dhe shtënë me armë mbi palestinezët të cilët hodhën gurë ndaj tyre. Dy ardhës izraelitë, të dyshuar për vrasjen e palestinezit 19-vjeçar, Qusai Matan, u futën në paraburgim të hënën.

Ky përshkallëzim në luftime mes izraelitëve dhe palestinezëve është më i keqi në dekadat e fundit. Më shumë se 160 palestinezë janë vrarë nga të shtënat me armë prej izraelitëve në Bregun Perëndimor dhe në lindje të Jerusalemit, sipas Associated Press.

Izraeli thotë se shumica e të vrarëve kane qenë militantë, por janë vrarë edhe të rinj që kanë protestuar duke hedhur gurë gjatë bastisjeve të ushtrisë, si dhe kalimtarë rasti të pafajshëm.

Të paktën 30 persona janë vrarë në sulmet palestineze ndaj izraelitëve deri tani këtë vit.

Izraeli e uzurpoi Bregun Perëndimor në luftën e Lindjes së Mesme më 1967, bashkë me Rripin e Gazës dhe Jerusalemin lindor.

Palestinezët i kërkojnë këto territore për një shtet të pavarur që shpresojnë ta kenë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG