Ndërlidhjet

Vdekshmëria e foshnjave në Kosovë shënon rënie


Një foshnje në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK
Një foshnje në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK

Vdekshmëria e foshnjave në Kosovë është 8 promil, që nënkupton se nga 1 mijë foshnje të lindura, 8 prej tyre vdesin. Ndryshe në Klinikën e Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, gjatë një viti lindin rreth 11 mijë foshnje.

Nga viti në vit, vdekshmëria e foshnjave në Kosovë ka shënuar rënie.

Në vitin 1999 ,vdekshmëria e foshnjave ka qenë 31 promil, pra nga 1 mijë foshnje të lindura, 31 kanë vdekur.

Kështu thonë profesionistë shëndetësorë, sipas të cilëve, në rënien e vdekshmërisë kanë ndikuar investimet në këtë fushë, qoftë në trajnime të stafit, por edhe në aparatura e barna.

Xhevdet Gojnovci, drejtor i Klinikës së Neonatologjisë, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se problem mbeten foshnjat e lindura para kohe.

Megjithatë, siç thotë ai edhe te kjo kategori foshnjash është arritur të ulet vdekshmëria, ndonëse vdekjet e tyre ndodhin edhe në qendrat më të avancuara shëndetësore në mbarë botën.

“Foshnjat që trajtohen në Klinikën e Neonatologjisë, brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, janë me sëmundje të ndryshme dhe patologjia që trajtohet më së shumti janë me lindje të parakohshme. Trajtimi i tyre, sidomos me peshë 1500 gramë janë problem edhe në qendra të avancuara shëndetësore, por edhe me infeksion si dhe anomalitë”, thotë Gojnovci.

“Shumica e sëmundjeve të foshnjave trajtohen me aparatura. Ndër vite ka pasur mungesë aparaturash, megjithatë këtë vit kemi pranuar aparaturë të nevojshme, si një numër inkubatorësh, por edhe barna si donacion, e që ka ndikuar që vdekshmëria e foshnjave të ulet, por edhe sëmundje të caktuara të trajtohen”, thotë ai.

Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës.
Klinika e Neonatologjisë në Qendrën Klinike Univeristare të Kosovës.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, konsiderohet se 32 për qind e foshnjave që lindin para kohe, vdesin nga faktorë të ndryshëm, derisa 54 për qind e foshnjave që vdesin pas lindjes, janë si pasojë e lindjes së parakohshme.

Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh anëtar të Komisionit për Shëndetësi thonë se prej kur ka filluar të merret si prioritet i Qeverisë sektori i shëndetësisë dhe është investuar në aparatura, por edhe barna e material shpenzues, vdekshmëria e foshnjave po shënon rënie nga viti në vit.

Deputetja Time Kadrijaj nga Komisioni për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, tha se tashmë po arrihet që brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, të shpëtohen edhe foshnje, që shpresa për jetë, për ato foshnje, ka qenë e vogël.

“Është një lajm i mirë që ka rënë vdekshmëria dhe ne si deputetë e kemi përcjellë trendin e vdekshmërisë së foshnjave dhe nënave. Mendoj se është investuar në këtë drejtim, qoftë për stafin përmes trajnimeve brenda dhe jashtë vendit, por edhe në aparatura të sofistikuara e edhe të nevojshme”.

“Dy-tre raste të foshnjave me probleme shëndetësore që unë i kam përcjellë, kanë qenë raste shumë të vështira dhe shpresa për jetën e atyre foshnjave ka qenë e vogël, por që ata sot janë gjallë dhe të shëndoshë. Mendoj se këtu ka ndikuar pra si investimi në aparaturë e staf, por edhe kujdesi i stafit nuk duhet anashkaluar, e që ka bërë që vdekshmëria të bie”, tha Kadrijaj.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se shëndeti i nënës dhe fëmijës është prioritet i këtij institucioni, andaj edhe kohët e fundit kanë rritur numrin e specializimeve për lëmin e neonatologjisë.

Derisa në Klinikën e Gjinekologjisë dhe Neonatologjisë, zyrtarë shëndetësorë brenda saj kanë thënë se prej kur marrin si donacion një ampulë të quajtur Surfaktant (e që shërben për përshpejtimin e pjekjes së mushkërive të foshnjave të lindura para kohe), ndër vite ka rënë shumë vdekshmëria e foshnjave.

Vetëm për dhjetë vjetët e fundit, donacionet e Surfaktantit kanë shpëtuar jetën e rreth 2,000 foshnjave të lindura para kohe dhe ato të lindura me peshë të ulët në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG