Ndërlidhjet

Kina raporton gati 60.000 vdekje të lidhura me koronavirus brenda një muaji


Qendër testimi për koronavirus në Kinë.
Qendër testimi për koronavirus në Kinë.

Autoritetet shëndetësore në Kinë kanë raportuar të shtunën rreth 60.000 vdekje të lidhura me koronavirusin brenda një muaji.

Kjo njëherësh është shifra e parë e tillë që publikon Qeveria kineze, prej lehtësimit të kufizimeve për koronavirus në fillim të muajit dhjetor.

Kina ka regjistruar 59.938 vdekje të lidhura me koronavirus në periudhën 8 dhjetor 2022 - 12 janar 2023, ka thënë Jiao Yahui, shefe e Zyrës për Administratë Mjekësore në Kinë.

Kjo shifër u referohet vetëm vdekjeve të regjistruara në qendrat mjekësore, andaj besohet se situata reale është më e rëndë.

Kina është akuzuar vazhdimisht për mosraportim të numrit të vdekjeve me koronavirus.

Zyrtarët shëndetësorë kinezë kanë thënë me raste se “nuk është e domosdoshme” që të publikohen shifrat e sakta.

Më parë Pekini pati ndryshuar metodologjinë e raportimit të vdekjeve me koronavirus, duke thënë se do të regjistrojë vetëm personat që vdesin nga sëmundjet e frymëmarrjes.

Mirëpo diçka e tillë është kritikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila ka thënë se definicioni i ri “është shumë i ngushtë”.

Zyrtarët shëndetësorë kinezë kanë thënë të shtunën se mosha mestare e viktimave ka qenë 80.3 vjet, dhe se 90 për qind e të vdekurve janë mbi moshën 65-vjeçare.

Sipas tyre, shumica kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese.

Aktualisht, miliona persona mbi moshën 60-vjeçare janë të pavaksinuar në Kinë.

Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.7 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG