Kur inxhinieri iranian i hapësirës ajrore, Ayoob Entezari, vdiq më 31 maj, autoritetet i dorëzuan familjes së tij një letër mirënjohjeje në të cilën ata e cilësuan Entezarin “martir”, duke sugjeruar se ai ishte vrarë.
Pak kohë pas kësaj, autoritetet në qytetit Yazd u tërhoqën, duke thënë se formulimi në këtë letër kishte një “gabim” që ishte korrigjuar “menjëherë”.
Në ndërkohë, mediat izraelite iu referuan vdekjes së Entezarit si vdekje “e dyshimtë”, duke thënë se ai u helmua gjatë një darke, pas së cilës, personat që e organizuan atë darkë u larguan nga vendi. Mediat izraelite thanë po ashtu se Entezari kishte punuar në programet e raketave dhe dronëve të Iranit.
Gjyqësori në Yazd tha më 5 qershor se Entezari ishte një “punonjës i zakonshëm në një kompani industriale” i cili vdiq në spital nga një “sëmundje” e paspecifikuar.
Gjyqësori shtoi se “thashethemet” për vdekjen e Entezarit nga helmimi u përhapën nga një i afërm “i cili dëshironte të bëhej i famshëm”. Institucionet e drejtësisë u zotuan se do të ndëshkojnë këtë individ të paidentifikuar.
Një ditë më pas, autoritetet lokale në qytetin Yazd thanë se shkaku i vdekjes së Entezarit ende po hetohej. Ali Salehi, kreu i departamentit për komunikim në Qeverinë provinciale, tha më 6 qershor se “ne duhet të presim që autoritetet relevante të njoftojnë për pikëpamjet e tyre”.
Mahmud Entezari, që tha se ishte i afërm i inxhinierit, pretendoi përmes një postimi në Instagram se Ayoob Entezari i kishte thënë se kishte frikë se do të shënjestrohej nga Izraeli.
“Mos u befaso nëse e kam fatin e njëjtë sikurse [Mostafa] Ahmadi Roshan”, citohet t’i ketë thënë atij Entezari, një referencë për një shkencëtar bërthamor iranian, që u vra më 2012.
Misteri që rrethon vdekjen e Entezarit, që kishte pasur doktoraturë në inxhinierinë e hapësirës ajrore nga Universiteti prestigjioz i Teknologjisë Sharif i Teheranit, ka nxitur spekulime se ai është viktima e fundit e vrasjeve në Republikën Islamike.
Vdekja e tij ndodhi disa ditë pas vdekjes së mistershme të Ali Esmailzadeh, një zyrtar i lartë i Forcave Kuds, krahut të jashtëm të Korpusit të fuqishëm të Gardës Revolucionare të Iranit, që është degë elite e forcave të armatosura të shtetit.
Media shtetërore raportoi më 3 qershor se Esmailzadeh, një kolonel i Gardës Revolucionare, vdiq rreth një javë më parë pasi ra nga ballkoni i tij në qytetin Karaxh, afër Teheranit.
Por, televizioni Iran International, me seli në Londër, raportoi se Esmailzadeh ishte vrarë nga inteligjenca iraniane nën dyshimet se ai kishte qenë i përfshirë në vrasjen më 22 maj të një koloneli tjetër të Gardës Revolucionare të Iranit. Televizioni Iran International besohet se ka lidhje me Qeverinë e Arabisë Saudite, rivalit rajonal të Teheranit.
Koloneli Hassan Sayad Khodaei u vra nga një sulmues jashtë shtëpisë së tij në Teheran. Autoritetet iraniane fajësuan Izraelin për vrasjen dhe u zotuan se do të hakmerren. Teherani ka ofruar pak informacione për Khodaein. Mediat izraelite kanë raportuar se ai kishte qenë kreu i një njësie të Forcave Kuds që ka planifikuar sulme ndaj izraelitëve që gjenden jashtë vendit.
Më 26 maj, autoritetet konfirmuan vdekjen e inxhinierit Ehsan Ghad Beigi, në atë që e përshkruan si “aksident industrial” në ndërtesën ushtarake të Iranit në Parçin. The New York Times raportoi se Beigi ishte vrarë në një sulm të dyshuar me dron të Izraelit.
‘Krijo paranojë dhe frikë’
Vdekjet e fundit janë pjesë e një seri incidentesh, përfshirë edhe vrasje, sabotazh dhe sulme kibernetike, për të cilat Teherani ka fajësuar Izraelin. Tel Avivi besohet se qëndron pas vrasjeve të të paktën pesë shkencëtarëve bërthamorë iranianë në dekadën e fundit. Këto vrasje kanë ngritur pyetje lidhur me mundësinë që agjencitë e huaja të inteligjencës të kenë depërtuar në aparatin e sigurisë së Iranit.
“Nuk është e qartë nëse të gjitha këto janë vrasje”, tha për Radion Evropa e Lirë një gazetar në Teheran, i cili nuk deshi që t’i publikohej emri.
“Është e mundur që disa prej këtyre vdekjeve nuk janë të dyshimta. Ndoshta qëllimi i këtyre raportimeve nga mediat në Izrael dhe Arabi Saudite, shtete të cilat bëjnë luftë psikologjike ndaj Iranit, është që të krijojnë paranojë dhe frikë”, shtoi gazetari.
Televizioni shtetëror i Iranit në mbulimin e kësaj ngjarjeje tha se nëse raportimet që sugjerojnë se Entezari është vrarë janë të vërteta, atëherë “establishmenti po përballet me një fazë të re të vrasjeve, përfshirë vrasjen e atyre që nuk janë të lidhur me programin bërthamor të Iranit dhe janë të lidhur me programe të tjera, ushtarake dhe joushtarake”.
Raz Zimmt, hulumtues në Universitetin e Tel Avivit, i tha Radios Evropa e Lirë se vrasjet e fundit dhe vdekjet e dyshimta në Iran duket se reflektojnë “një ndryshim të posaçëm në politikën izraelite” karshi Iranit, nën udhëheqjen e kryeministrit izraelit, Naftali Bennett.
“Irani është në prag të shndërrimit në një shtet bërthamor dhe përdorimi i mundshëm i opsionit ushtarak është i kufizuar për arsye operacionale dhe gjeopolitike”, tha Zimmt.
“Kjo situatë e vështirë ka inkurajuar përdorimin e operacioneve taktike që synojnë ta lodhin Iranin, ta pengojnë, të ekspozojnë dobësitë e tij dhe të zgjerojnë hendekun midis regjimit iranian dhe popullit iranian”, shtoi ai.