Mbretëresha Elizabeth II, monarkja e 63-të e Britanisë, vdiq të enjten në moshën 96-vjeçare. Ajo udhëhoqi monarkinë përgjatë dekadave përcjellë me ndryshime sociale, teksa mbeti simbol i stabilitetit kombëtar në një botë të ndryshueshme.
Fëmija më i madh i Dukës dhe Dukeshës së Jorkut, Elizabeth Alexandra Mary pritej të luante një rol thjesht mbështetës në monarki.
Në kohën e lindjes së saj, më 21 prill 1926, xhaxhai i saj ishte Princ i Uellsit dhe i pari në radhë për ta trashëguar fronin nga George V, ndërsa babai i saj i dyti.
Jeta e Elizabeth ndryshoi në mënyrë të beftë më 11 dhjetor 1936, kur xhaxhai i saj, asokohe mbreti Edward VIII, njoftoi se po abdikonte nga froni, për t’u martuar me personalitetin amerikan, të divorcuar dy herë, Wallis Simpson.
Froni i kaloi vëllait të tij, i cili u bë George VI, ndërsa Elizabeth u bë e para në radhë për ta trashëguar atë, teksa supozohej se babai i saj nuk do të kishte djem që do ta kalonin atë në radhë.
Ajo u zhvendos me prindërit dhe me motrën e saj, Margaret, në Pallatin Bakingam, ku ndoqi mësime për t’u bërë udhëheqëse, dhe u rrit nën mbikëqyrje të rreptë prindërore.
Adoleshenca e asokohe princeshës Elizabeth u la në hije nga Lufta e Dytë Botërore, një periudhë të cilën ajo dhe motra e saj e kaluan kryesisht në sigurinë relative të Kështjellës Uindsor, në perëndim të Londrës, duke zbritur gjatë alarmeve për sulme në bodrume, ku ruheshin thesaret më të çmueshme.
Në moshën 16 vjeçare, ajo u regjistrua në një zyrë për punë, dhe me kërkesën e saj më vonë iu bashkua divizionit të grave në ushtrinë britanike, Shërbimit Ndihmës Territorial, ku u mësua për ngasje dhe për rregullim të automjeteve.
Dy vjet pas përfundimit të luftës, Elizabeth kremtoi ditëlindjen e saj të 21-të, teksa po vizitonte Afrikën e Jugut, dhe e shënoi këtë ngjarje me një adresim televiziv, me ç’rast u zotua se do t’i shërbente me përkushtim Komonuelthit.
Pak pas kthimit të saj nga Afrika e Jugut erdhi njoftimi për fejesën e princeshës me kushëririn e saj të largët, togerin Philip Mountbatten, të birin e princit Andrew të Greqisë, njëherësh stër-stër-nipin e mbretëreshës britanike Victoria.
Ata u martuan në Kishën e Uestminsterit më 20 nëntor 1947, në një ceremoni në të cilën morën pjesë udhëheqës dhe monarkë nga e mbarë bota. Titujt – Lartmadhëria e tij Mbretërore Princi Filip, Dukë i Edinburgut, Kont i Merionethit, Baron i Griniçit – iu dhanë atij nga mbreti George VI para ceremonisë së martesës.
Fëmija i parë i çiftit, princi Charles, u lind më 1948, ndërsa pas tij erdhën në jetë princesha Anna më 1950, princi Andrew më 1960 dhe princi Edward më 1964.
Në shkurtin e 1952-tës, princesha Elizabeth dhe bashkëshorti i saj nisën një turne nëpër Komonuelth, me një vizitë në Kenia. Lajmi për vdekjen e mbretit George i shkoi çiftit monark gjashtë ditë pas nisjes së tyre, ndërsa princesha u kthye në Londër si mbretëresha Elizabeth II.
Kurorëzimi i saj, në moshën 27-vjeçare, u bë në Kishën e Uestminsterit, më 2 qershor 1953.
Ceremonia, në të cilën morën pjesë homologë të saj dhe udhëheqës nga politika dhe biznesi nga e mbarë bota, u transmetua nga televizione dhe radio gjithandej. Mosha dhe gjinia e mbretëreshës Elizabeth nxitën komente asokohe, por shpejt u dëshmuan si pasuri në një vend të vendosur për një fillim të ri, pas luftës dhe viteve të asketizmit që pasuan.
Ndasitë sociale dhe respekti për rendin e vjetër filluan të zbehen, por mbretëresha shihej si simbol i rëndësishëm i unitetit dhe u qëndroi stoikisht besnike parimeve që vetë i përcaktoi në ditëlindjen e saj të 21-të.
Gjatë mbretërimit të saj, mbretëresha hapi rrugë të reja për monarkinë britanike gjatë shumë prej vizitave të saj jashtë vendit.
Më 1975, ajo u bë monarkja e parë britanike që vizitonte Japoninë.
Ajo u takua me udhëheqësin kinez, Deng Xiaoping, dhe u bërë monarkja e parë britanike që ecte në Murin e Madh të Kinës, kur e vizitoi më 1986.
Shumë prej vizitave të mbretëreshës jashtë vendit u bënë në vendet e Komonuelthit dhe si udhëheqëse e organizatës, ajo rregullisht mori pjesë në takimet e mbajtura çdo dy vjet mes udhëheqësve të qeverive të vendeve të Komonuelthit.
Në tetorin e 1994-tës, mbretëresha arriti në Moskë për një vizitë historike, që kishte për qëllim të shëronte armiqësitë anglo-ruse të Luftës së Ftohtë prej gati pesë dekadash.
Disa prej vizitave të saj jashtë vendit përfshinë respektimin e zakoneve lokale, siç ishte vizita e mbretëreshës në Xhaminë e Faisalit, në Islamabad, ku asaj iu kërkua të mbulonte kapelën e saj me një vello dhe t’i hiqte këpucët e të ecte me çorape.
Mbretëresha, po ashtu, ka mirëpritur shumë udhëheqës shtetëror që kanë vizituar Britaninë, përfshirë ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Ronald Reagan, udhëheqësit e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), ish-presidentin e Egjiptit, Hosni Mubarak, dhe ish-presidentin e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela.
Në gushtin e 2000-tës, mbretëresha iu bashkua nënës dhe motrës së saj në ballkonin e Pallatit Bakingam, të cilat u përshëndetën nga turmat e mbledhura për të festuar ditëlindjen e 100-të të Nënës Mbretëreshë.
Festimet do të pasoheshin nga një periudhë e humbjeve dhe e zisë për mbretëreshën.
Princesha Margaret vdiq në shkurtin e vitit 2002, pasi pësoi disa sulme, ndërsa dy muaj më vonë vdiq edhe Nëna Mbretëreshë, në moshën 101-vjeçare.
Më pak se një muaj pas funeralit të Nënës Mbretëreshë, mbretëresha Elizabeth II nisi turneun e saj Jubileu i Artë, për të shënuar 50 vjet në fron, që kulmuan me festime mbarëkombëtare përgjatë katër ditëve në qershorin e vitit 2002.
Mbretëresha e festoi ditëlindjen e saj të 80-të me një shëtitje në Uindsor, më 21 prill 2006, dhe pranoi lule dhe kartolina nga disa prej mijëra uruesve që ishin mbledhur për të festuar për të.
Ajo tregoi pak shenja të ngadalësimit në dekadën e saj të nëntë.
Në prillin e vitit 2009, ajo priti presidentin e porsazgjedhur amerikan, Barack Obama, dhe Zonjën e Parë, Michelle Obama, në Pallatin Bakingam.
Gjatë mbretërimit të saj, mbretëresha ka takuar të 12 presidentët e Shteteve të Bashkuara, me përjashtim të Lyndon B. Johnsonit.
Si shefe e Shtetit, mbretëresha formalisht hapte secilin sesion të ri të Parlamentit, me një ceremoni të bujshme. E ulur në fron në Dhomën e Lordëve, duke mbajtur në kokë kurorën dhe e veshur me rroba parlamentare, ajo mbante Fjalimin e Mbretëreshës, të hartuar nga Qeveria, i cili përmbante një pasqyrë të politikave dhe legjislacionit të propozuar për sesionin në vijim.
Në majin e 2011-tës, mbretëresha kreu një vizitë historike shtetërore në Republikën e Irlandës, të parën nga një monarke britanike, prej kur Irlanda fitoi pavarësinë nga Londra, më 1921.
Në përvjetorin e 60-të të marrjes së fronit nga mbretëresha, dhe në fillim të festimeve për Jubileun e saj të Diamanttë, 6 shkurti i vitit 2012 u shënua me 41 qitje tradicionale në nderim të saj, në Hajd Park të Londrës.
Në dhjetorin e 2012-s, ajo mori pjesë për herë të parë në një mbledhje kabineti qeveritar, duke shënuar herën e parë që një monarke britanike merrte pjesë në një mbledhje kabineti, që prej mbretit George III më 1781.
Me lindjen e të birit të Dukës dhe Dukeshës së Kembrixhit në korrikun e 2013-tës, për herë të parë në më shumë se 100 vjet u bënë tre breza të gjallë të trashëgimtarëve të drejtpërdrejtë të fronit. Princi George, i cili mori emrin sipas babait të mbretëreshës, u bë i treti në radhë për fronin, pas babait dhe gjyshit të tij.
Më 9 shtator 2015, kombi festoi teksa mbretëresha u bë monarkja britanike që mbretëroi më së gjati. Elizabeth e theu rekordin e stër-stër-gjyshes së saj, mbretëreshës Victoria, e cila kishte mbretëruar për 63 vjet, 7 muaj, 2 ditë, 16 orë dhe 23 minuta.
Më 21 prill 2016, mbretëresha mbushi 90 vjet jetë. Ajo festoi me një shëtitje në Uindsor.
Festimet zyrtare u bënë në qershor, duke kulmuar me një festë të madhe rrugore, para Pallatit Bakingam.
Pas vdekjes së mbretit Bhumibol Adulyadej të Tajlandës, në tetorin e 2016-tës, mbretëresha Elizabeth u bë monarkja që ka mbretëruar më së gjati në botë.
Gjatë mbretërimit të saj, figura personale e mbretëreshës ruajti respektin e lartë, pavarësisht kritikave shpesh të forta që morën pjesëtarët e tjerë të familjes mbretërore.
Monarkja 96-vjeçare u pa si figurë e denjë, e dashur shumë nga monarkët dhe e respektuar edhe nga republikanët.
Asaj i shërbyen 15 kryeministra gjatë mbretërimit të saj.
Më 9 prill 2021, Philip, bashkëshorti i mbretëreshës për 73 vjet, i cili i kishte qëndruar krah përgjatë mbretërimit rekord, vdiq në Kështjellën e Uindsorit, në moshën 99-vjeçare. Funerali i Philipit u mbajt më 17 prill 2021, në Uindsor.
Në pjesën e dytë të vitit 2021, mbretëresha, monarkja më e moshuar dhe me mbretërimin më të gjatë në botë, mungoi në disa prej ngjarjeve të profilit të lartë, pasi u këshillua që të pushonte.
Më 6 shkurt 2022, Elizabeth II shënoi Jubileun e Platinttë, përvjetorin e 70-të të ardhjes në fron.