Ndërlidhjet

OBSH: Omicron nuk ka shkaktuar ende asnjë vdekje


Punëtorët në aeroportin Narita të Japonisë kontrollojnë pasagjerët, me qëllim që të parandalojnë përhapja e variantit Omicron. 30 nëntor 2021.
Punëtorët në aeroportin Narita të Japonisë kontrollojnë pasagjerët, me qëllim që të parandalojnë përhapja e variantit Omicron. 30 nëntor 2021.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se deri më tani nuk është raportuar për ndonjë vdekje që lidhet me variantin e ri të koronavirusit, Omicron, variant që është detektuar në pothuajse 40 shtete të botës.

Më 3 dhjetor, OBSH-ja tha se ende duhet kohë për të kuptuar sesa infektues është ky variant, nëse shkakton sëmundje më të rëndë dhe sa janë efektive trajtimet dhe vaksinat kundër Omicronit.

Të dhënat e para sugjerojnë se varianti është jashtëzakonisht infektues. Ky variant ishte identifikuar në nëntor në Afrikën e Jugut dhe mund të shkaktojë simptoma më të buta sesa variantet paraprake, përfshirë variantin Delta që është dominues në mbarë botën.

Megjithatë, një numër i personave që janë infektuar me variantin Omicron, kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Varianti Omicron po përhapet në kohën kur spitalet në disa shtete veçse janë të ngarkuara me pacientë të infektuar me variantin Delta.

Në Evropë, vala e re e shkaktuar nga Delta ka detyruar qeveritë që të rivendosin masat, siç janë mbajtja e detyrueshme e maskës, distanca sociale, izolime dhe përshpejtim të vaksinimit.

Agjencia për shëndetësi e Bashkimit Evropian ka paralajmëruar se Omicroni mund të jetë shkaktar i gjysmës së rasteve me COVID-19 në Evropë në muajt e ardhshëm.

Si një shenjë e mundshme e natyrës më infektuese të Omicronit mund të jetë edhe rritja e rasteve në Afrikën e Jugut. Në këtë shtet, brenda një dite në nëntor shënoheshin rreth 200 raste, ndërkaq më 3 dhjetor janë regjistruar mbi 16,000 raste me koronavirus. Megjithatë, ky numër është më i ulët krahasuar me 25,000 raste që regjistroheshin në baza ditore gjatë valës së fundit të pandemisë në Afrikën e Jugut në muajin qershor dhe korrik.

Sipas të dhënave paraprake të një studimi të kryer në Afrikën e Jugut thuhet se Omicroni ka gjasa tri herë më shumë që të shkaktojë riinfektime krahasuar me variantin Delta.

Rritja ekonomike botërore – që veçse ka marrë goditje për shkak të variantit Delta, problemeve me zinxhirët e furnizimeve dhe inflacioni – me gjasë do të ngadalësohet gjatë vitit të ardhshëm për shkak të variantit Omicron, ka thënë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

“Edhe para shfaqjes së këtij varianti të ri, ne kemi qenë të shqetësuar për rimëkëmbjen, edhe pse po vazhdon (rimëkëmbja), ajo disi po e humb vrullin”, tha drejtoresha menaxhuese e FMN-së, Kristalina Georgieva.

“Varianti i ri që mund të përhapet shumë shpejt mund të dëmtojë besimin, dhe në këtë kuptim, ne ka të ngjarë që do të shohim ulje të parashikimeve tona për tetorin, sa i përket rritjes globale”, tha ajo në një konferencë.

FMN-ja tha muajin e kaluar se pret që ekonomia botërore të rritet me 5.9 për qind këtë vit dhe 4.9 për qind vitin e ardhshëm.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG