Ndërlidhjet

Si manifestohet Delta te fëmijët?


Një vajzë e vogël me maskë në Athinë të Greqisë. Fotografi ilustruese.
Një vajzë e vogël me maskë në Athinë të Greqisë. Fotografi ilustruese.

Javëve të fundit, Kosova po regjistron rritje të rasteve me koronavirus, teksa varianti Delta – që është variant më ngjitës – është bërë variant dominues i koronavirusit. Në baza ditore, Ministria e Shëndetësisë raporton se ky variant po prekë edhe fëmijët dhe adoleshentët.

Vetëm më 24 gusht, 45 persona të grupmoshës 0-9 vjeç u infektuan me koronavirus si dhe 200 të tjerë të grupmoshës 10-19 vjeç. Për shkak të infektimit me COVID-19, më 24 gusht, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar raportoi se në Klinikën e Pediatrisë po trajtohen nëntë pacientë.

Nga varianti fillestar i koronavirusit, por edhe variantet pasuese, fëmijët duket se ishin “imunë” ndaj COVID-19, në kuptimin që, pavarësisht se infektoheshin, ata në të shumtën e rasteve manifestonin simptoma të buta ose ishin asimtomaptik.

Por, varianti Delta duket se ka ndryshuar situatën.

Sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara (CDC), përderisa një person i infektuar me variantin fillestar të koronavirusit infektonte dy persona, me variantin Delta, një person i infektuar e transmeton virusin te pesë e më shumë persona.

Personat e pavaksinuar janë kryesisht ata që po infektohen me variantin Delta. Dhe në shumë vende të botës, autoritetet kanë autorizuar që personat mbi 12 vjeç të vaksinohen kundër koronavirusit. Në Kosovë, personat mbi 16 vjeç mund të imunizohen, ndërkaq vaksinimi për fëmijët e grupmoshës 12-15 bëhet “me prioritet dhe sipas indikacioneve shëndetësore”, ka thënë Ministria e Shëndetësisë më 16 gusht.

Simptomat e Deltës te fëmijët

Yale Medicine ka raportuar se kollitja dhe humbja e shijes janë simptoma më të rralla te njerëzit e infektuar me variantin Delta, derisa kokëdhimbja, dhimbja e fytit, rrjedhje nga hunda dhe temperatura janë simptomat kryesore të këtij varianti.

Por, te fëmijët, duket se simptomat janë më të ndryshme.

“Simptomat kryesore te fëmijët dhe adoleshentët duket se janë temperatura dhe kollitja, ndërkaq simptomat nazale, ato gastrointestinale dhe skuqjet ndodhin më rrallë”, thotë Dr. Michael Gross, shef mjekësor në spitalin Huntington, ka shkruar Healthline.

Pediatrja dhe ekspertja e sëmundjeve ngjitëse në Klinikën Mayo, Nipunie Rajapakse thotë se niveli i të infektuarve me variantin Delta te fëmijët dhe të rinjtë është i lartë.

“Gjëja më e rëndësishme që ne mund të bëjmë për të mbrojtur fëmijët që janë nën moshën 12-vjeçare, e që ende nuk mund të vaksinohen, është që të sigurohemi që sa më shumë njerëz që janë përreth tyre dhe që ndërveprojnë me ta, të jenë të vaksinuar. Çdokush mbi moshën 12-vjeçare duhet të vaksinohet për të mbrojtur veten, por edhe të tjerët, përfshirë edhe fëmijët nën 12 vjeç”, tha ajo për ueb-faqen e Klinikës Mayo.

Në Shtetet e Bashkuara, Akademia amerikane e Pediatërve, ka rekomanduar që të gjithë fëmijët mbi dy vjet të mbajnë maska, kur të kthehen në shkolla.

Por, dr. Jennifer Lighter, specialiste për sëmundje ngjitëse te fëmijët në Langone Health, tha se varianti Delta, pavarësisht se është më ngjitës “nuk duhet se është më i rrezikshëm për fëmijët sesa variantet tjera”.

Vaksinat për fëmijët

Në Shtetet e Bashkuara personat mbi 12 vjeç janë të lejuar që të marrin vaksinat kundër koronavirusit të Pfizer/BioNTech dhe Modernas.

Këto dy kompani farmaceutike veçse kanë nisur studimet e tyre për fëmijët nën 12 vjeç.

Në studimin e Pfizer/BioNTech janë përfshirë mbi 4.600 fëmijë nga 11 vjeç deri në gjashtë muaj, kanë thënë për CNN nga kompania Pfizer.

Ndërkaq, në studimin e kompanisë Moderna janë përfshirë rreth 6.700 fëmijë.

Por, përderisa të dalin rezultatet e këtyre studimeve për të parë nëse edhe fëmijët nën 12 vjet mund të imunizohen, arma më e mirë për t’u mbrojtur nga Delta, sipas ekspertëve, është kujdesi.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG