Ndërlidhjet

Valë e re sulmesh godet Ukrainën


Ekipet e shpëtimit pranë disa shtëpive private të dëmtuara rëndë nga sulmet raketore ruse në Ukrainë, 29 dhjetor 2022.
Ekipet e shpëtimit pranë disa shtëpive private të dëmtuara rëndë nga sulmet raketore ruse në Ukrainë, 29 dhjetor 2022.

Një valë e re sulmesh goditi disa qytete në Ukrainë, në orët e para të së enjtes, duke plagosur disa njerëz në Kiev dhe duke lënë pa rrymë gati gjithë qytetin perëndimor të Lvivit.

Alarmet për sulme ajrore mund të dëgjoheshin në të gjithë vendin, ndërsa këshilltari presidencial, Oleksiy Arestovych, paralajmëroi përmes një shkrimi në Facebook për disa sulme me raketa ruse.

Kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, raportoi për tre të plagosur si rezultat i një sulmi.

“Për momentin, janë tre të plagosur në Kiev, përfshirë një vajzë 14-vjeçare. Të gjithë janë shtruar në spital”, shkroi ai në Telegram.

Sipas tij, ekipet e shpëtimit janë duke vazhduar operacionet e kërkim-shpëtimit.
Klitschko paralajmëroi për ndërprerje të mundshme të energjisë elektrike dhe u bëri thirrje banorëve që të rezervojnë ujë.

Përveç Kievit, vala e sulmeve goditi edhe qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkivin, dhe qytetin port të Detit të Zi, Odesa.

Kryetari i bashkisë së Harkivit, Ihor Terekhov, tha se në qytet ndodhën shpërthime të shumta.

Shtëpi të shkatërruara nga sulmet ruse në rajonin e Harkivit.
Shtëpi të shkatërruara nga sulmet ruse në rajonin e Harkivit.

Ndërprerje të energjisë elektrike kishte edhe në rajonet Odesa dhe Dnipropetrovsk.

“Armiku po e sulmon Ukrainën nga drejtime të ndryshme me raketa”, tha mbrojtja ajrore ukrainase në mediat sociale, duke e përshkruar sulmin si “masiv”.

Ndihmësi i presidentit, Mykhaylo Podolyak, tha se janë hedhur më shumë se 120 raketa.

Gjatë natës, dronët kamikazë rusë sulmuan infrastrukturën në rajonet: Harkiv, Zaporizhja dhe Dnipropetrovsk, por shumica e tyre u rrëzuan nga ushtria ukrainase, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

“Okupatorët rusë goditën edhe një herë infrastrukturën energjetike të Harkivit, duke përdorur 13 mjete ajrore iraniane, Shahed-136, në sulme. Mbrojtja ukrainase rrëzoi 11 prej këtyre dronëve”, tha Shtabi i Përgjithshëm në raportin e 29 dhjetorit.

Sipas tij, pesë dronë u rrëzuan në rajonin Dnipropetrovsk.

Në Zaporizhja, ndërkaq, granatimet dëmtuan linjat e energjisë elektrike dhe tubacionin e gazit, si dhe disa shtëpi.

Shefi i inteligjencës ukrainase, Kyrylo Budanov, tha për BBC-në se luftimet në lindje janë bllokuar, pasi as Ukraina dhe as Rusia nuk mund të bëjnë përparime të rëndësishme.

“Situata është bllokuar. Nuk lëviz”, tha ai.

Rusët vazhduan të godasin Bahmutin, por në vende tjera raportohet se janë vënë në pozicione të mbrojtjes.

Fillimi i sezonit të ftohtë ka ngadalësuar gjithashtu ritmin e operacioneve tokësore të Ukrainës, përgjatë vijës së frontit, të gjatë 1.000 kilometra.

“Ne nuk mund t’i mposhtim ata në të gjitha drejtimet. As ata nuk munden neve”, tha Budanov për BBC-në.

“Po i presim me padurim furnizimet e reja të armëve dhe ardhjen e armëve më të avancuara”, tha ai.

Budanov tha se Rusia ka pësuar humbje të konsiderueshme, por shtoi se forcave ukrainase u mungojnë burime për të ecur përpara në shumë zona.

Pretendimet nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se Rusia do të rrisë numrin e trupave dhe sasinë e pajisjeve në Ukrainë.

Ai, gjithashtu, tha se Rusia dëshiron që situata në Ukrainë të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur, me prioritet mbrojtjen e civilëve dhe shpëtimin e jetëve të ushtarëve.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG