Irani e ka prezantuar me shumë bujë vaksinën e tij Fakhra kundër koronavirusit, duke thënë se është e “cilësisë së lartë”.
Autoritetet e kanë emëruar atë sipas shkencëtarit bërthamor iranian, Mohsen Fakhrizadeh, i cili është vrarë vitin e kaluar dhe është shpallur “hero kombëtar”.
Por, shtatë muaj pas fillimit të provave të para klinike të Fakhra-s, prodhimi i saj do të ndërpritet, për shkak të, siç ka thënë një zyrtar këtë javë, mungesës së kërkesës.
Vendimi është një goditje e re mbi programin e vaksinave të Iranit, i cili është përballur me mosbesim të gjerë dhe është dëmtuar nga vonesat dhe akuzat për korrupsion.
Zyrtarët iranianë janë mburrur se aftësia e vendit të tyre për të bërë vaksina kundër koronavirusit reflekton vetëmjaftueshmërinë e tij.
Në mars, ministri i Shëndetësisë ka thënë se Republika Islamike së shpejti do të bëhet “lidere botërore” në prodhimin e vaksinave.
Por, në vend të kësaj, Irani ka rritur importin e vaksinave të huaja.
Pengesat e vazhdueshme kanë shkaktuar zemërim publik. Shumë iranianë thonë se ideja e vetëmjaftueshmërisë e ka vonuar imunizimin dhe ka shkaktuar mijëra vdekje të parandalueshme.
Irani është vendi më i goditur nga koronavirusi në Lindjen e Mesme. Sipas shifrave zyrtare, gati 125,000 njerëz kanë vdekur. Autoritetet shëndetësore pranojnë se numri real i viktimave është dy herë më i lartë.
Vëzhguesit thonë se fushata e vaksinimit në Iran është udhëhequr më shumë nga interesi vetjak financiar, sesa nga shëndeti publik.
“Ka qenë e qartë qysh në fillim se grupe [të ndryshme] kanë filluar të konkurrojnë për prodhimin e vaksinave, për të pasur qasje në burimet [shtetërore]”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë Mohammad Kazem Attari, mjek në SHBA.
Sipas tij, prodhuesit e vaksinave në Iran kanë ofruar pak detaje në lidhje me to, gjë që ka rritur mosbesimin publik.
“Nderi kombëtar”
Vetëm një nga së paku pesë vaksinat e zhvilluara në Iran, është prodhuar në masë.
Rreth katër milionë doza të Barekatit - vaksinës kryesore të Iranit - raportohet të jenë administruar.
Instituti Barekat - prodhuesi i vaksinës - është zotuar më herët se do të sigurojë 50 milionë doza deri në shtator.
Vaksina është zhvilluar nga Setad, një organizatë e fuqishme e kontrolluar nga zyra e udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Khamenei, i cili ka marrë vaksinën Barekat, ka thënë se vaksinat e Iranit janë një “nder kombëtar” që duhet të çmohet.
Udhëheqësi suprem e ka ndaluar importin e vaksinave të prodhuara në Perëndim, duke thënë se atyre nuk mund t’iu besohet.
Shefi i stafit të tij, Ajatollah Mohammad Mohammadi Golpayegani, ka pretenduar në mënyrë të rreme se vaksina Pfizer/BioNTech ka vrarë disa njerëz.
Megjithatë, shumë iranianë kanë zgjedhur vaksinat e huaja, përfshirë ato të importuara nga Kina, Rusia dhe India.
“Qendra në të cilën jam vaksinuar unë, ka ofruar Barekat dhe Sinopharm”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një banor i Teheranit, duke iu referuar vaksinës së prodhuar në Kinë. “Për Barekat nuk kishte radhë”, ka thënë ai.
Statusi i dy vaksinave të tjera iraniane, Razi COV Pars dhe Noora, është i paqartë.
Noora thuhet se është zhvilluar nga Korpusi i Gardës Revolucionare të Iranit.
Sipas mediave shtetërore në Iran, Razi Cov Pars nuk e ka marrë miratimin zyrtar, ndërsa Noora është ende duke kaluar nëpër provat klinike.
Ndërkohë, kreu i programit të vaksinës Fakhra i ka thënë agjencisë së lajmeve ILNA të Iranit më 19 tetor se prodhimi i vaksinës do të ndërpritet, por nuk ka specifikuar kur.
Ahmad Karimi ka thënë se janë prodhuar një milion doza Fakhra, por, sipas tij, në Iran nuk ka kërkesa për këtë vaksinë.
Karimi ka thënë se Ministria e Mbrojtjes, e cila ka zhvilluar programin e vaksinës Fakhra, nuk ka qenë në gjendje të gjejë vullnetarë të mjaftueshëm për provat e saj.
Zemërimi publik
Dështimi i dukshëm i prodhimit vendas të vaksinave ka nxitur zemërimin e publikut iranian.
“Projekti Barekat ka dështuar, ndërsa Fakhra do të ndërpritet”, ka shkruar gazetari iranian, Amir Reza Nazari, në Twitter.
“A nuk kemi të drejtë të pyesim se përse importi i [vaksinave të prodhuara jashtë] është vonuar? A keni menduar seriozisht se mund të prodhoni [vaksinë] më të mirë sesa Pfizer?”, ka pyetur ai.
Sociologu Simin Kazemi ka thënë se politizimi i shëndetit publik në Iran ka çuar në mosbesim dhe dëshpërim.
“Çështje të tilla si prodhimi i vaksinave të shumta vendase, me efikasitet kryesisht të paqartë, kanë përcjellë mesazhin te shoqëria se shëndeti publik nuk është i një rëndësie të madhe”, ka thënë Kazemi për të përditshmen iraniane Shargh, në fillim të këtij muaji.
Politikani reformist, Mostafa Tajzadeh, ka thënë në fund të gushtit se ka pasur thirrje që gjyqësori t’i gjykojë ata zyrtarë që, sipas tij, janë bashkëpunëtorë në “vdekjen e dhjetëra mijëra qytetarëve”.
Nën ish-presidentin iranian, Hassan Rohani, një politikan relativisht i moderuar, fushata e vaksinimit ka qenë e ngadalshme.
Sipas disa raporteve, kundërshtarët e tij të linjës së ashpër kanë bërë përpjekje ta pengojnë Qeverinë e tij nga importimi i vaksinave perëndimore.
Rohani është zëvendësuar nga presidenti Ebrahim Raisi, politikan ekstremist, pas zgjedhjeve në qershor.
Ministri aktual i Shëndetësisë, Bahram Eynollahi, ka qenë në mesin e 2,500 mjekëve që kanë paralajmëruar Rohanin kundër importimit të vaksinave të prodhuara në Shtetet e Bashkuara dhe Britani.
Importimi i vaksinave të huaja në Iran - kryesisht nga Kina - është rritur nën Raisin.
Kur Raisi ka marrë detyrën në gusht, vetëm rreth 3 për qind e popullsisë iraniane ka qenë e vaksinuar.
Sipas mediave shtetërore, kjo shifër tani është rreth 18 për qind.
Autoritetet kanë miratuar edhe përdorimin e vaksinës Johnson & Johnson, të prodhuar në SHBA, pavarësisht ndalesës që u ka vënë Khamenei vaksinave perëndimore.
Javëve të fundit, numri i viktimave dhe i të infektuarve nga koronavirusi në Iran është rritur dhe zyrtarët paralajmërojnë për një valë të gjashtë.
Facebook Forum