Ndërlidhjet

Pfizer/BioNTech: Vaksina është e sigurt edhe te fëmijët e vegjël


Një vajzë 14 vjeçe duke u vaksinuar kundër koronavirusit në Rumani.
Një vajzë 14 vjeçe duke u vaksinuar kundër koronavirusit në Rumani.

Kompania farmaceutike amerikane, Pfizer, dhe partneri i saj gjerman, BioNTech, i dorëzuan disa të dhëna fillestare në Administratën amerikane të Ushqimit dhe Barnave - FDA, për përdorimin e vaksinës së tyre kundër koronavirusit edhe te fëmijët.

Prodhuesit e barnave thanë se provat e tyre kanë treguar se vaksina është e sigurt dhe efektive për fëmijët 5 deri në 11 vjeç.

Në Shtetet e Bashkuara, vaksina Pfizer/BioNTech, e cila jepet në dy doza, është aktualisht e disponueshme për personat 12 vjeç e lart.

Pfizer dhe BioNTech thanë se do të paraqesin një kërkesë në FDA, për të kërkuar autorizim urgjent të vaksinës te fëmijët 5 deri në 11 vjeç në javët e ardhshme.

Pasi të bëhet kërkesa, janë rregullatorët dhe zyrtarët e shëndetit publik ata që vendosin nëse do ta rekomandojnë ose jo përdorimin e vaksinës për këtë grup-moshë.

Sipas agjencisë së lajmeve AP, ky proces mund të mos përmbyllet deri në fund të nëntorit. Por, varësisht se sa shpejt vepron FDA-ja, vaksinat mund të bëhen të disponueshme edhe në fillim të nëntorit, shkruan AP.

Pfizer dhe BioNTech planifikojnë t’i paraqesin të dhënat e tyre edhe tek Agjencia Evropiane e Barnave - EMA dhe rregullatorët e tjerë.

Edhe prodhuesi tjetër amerikan i vaksinave, Moderna, është duke i testuar vaksinat e tij te fëmijët e moshës së shkollës fillore. Rezultatet e tij priten më vonë gjatë vitit.

Sigurimi i vaksinave për fëmijë konsiderohet kyç për frenimin e pandemisë së koronavirusit dhe për kthimin e botës në një shkallë të normalitetit.

Edhe pse të dhënat sugjerojnë se simptomat e koronavirusit janë më pak të forta te fëmijët, virusi ka mbyllur shkolla në të gjithë globin dhe ka shkaktuar presion mbi disa prindër që të qëndrojnë në shtëpi ose të lënë punën, për shkak të mësimeve në distancë.

Në të tjera zhvillime, Brazili u bë vendi i fundit që tha se do të sigurojë vaksina përforcuese kundër koronavirusit për të gjithë banorët e tij mbi 60 vjeç.

Kosta Rika tha se të gjithë punonjësit e saj shtetërorë do të duhet të vaksinohen kundër koronavirusit, duke u bërë kështu një nga vendet e para në Amerikën Latine që imponon vaksinimin e detyrueshëm. Kompanitë private gjithashtu do të mund t’i urdhërojnë punonjësit e tyre të vaksinohen, tha Ministria e Shëndetësisë.

Kroacia, në anën tjetër, tha se do të kërkojë nga punonjësit në sektorët e kujdesit shëndetësor dhe social të vaksinohen ose të sigurojnë test negativ për koronavirusin.

“Ata që nuk duan të vaksinohen ose testohen dhe nuk e kanë kaluar sëmundjen, nuk do të lejohen të shkojnë në vendin e tyre të punës dhe nuk do të marrin paga”, tha ministri kroat i Shëndetësisë, Vili Berosh. Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi nga java e ardhshme.

Në një studim të ri, të udhëhequr nga Universiteti i Oksfordit, studiuesit zbuluan se duhanpirësit kanë 80 për qind më shumë gjasa të shtrohen në spital dhe dukshëm më shumë gjasa të vdesin nga koronavirusi, sesa joduhanpirësit.

“Rezultatet tona sugjerojnë fuqishëm se pirja e duhanit lidhet me rrezikun për sëmundje të rëndë nga koronavirusi. Ashtu siç pirja e duhanit ndikon në rrezikun e sëmundjeve të zemrës, kancereve të ndryshme dhe të tjerave, duket se e njëjta gjë vlen edhe për koronavirusin”, tha Ashley Clift, studiuesi kryesor nga Oksfordi.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, koronavirusi ka prekur mbi 232 milionë njerëz në të gjithë botën. Prej tyre, mbi 4.7 milionë kanë vdekur.

Përgatiti: Valona Tela

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG