Ndërlidhjet

Rreth 90 raste me meningjit gjatë një viti


Qendra Klinike Universitare e Kosovës
Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Meningjiti apo inflamacioni i cipave të trurit është sëmundje mjaft e shpeshtë. Në Kosovë, gjatë vitit 2019, janë prekur 90 fëmijë, prej të cilëve një rast ka përfunduar me vdekje.

Infektologu Izet Sadiku, thotë për Radion Evropa e Lirë se nëse bëhet një krahasim mes vitit 2018, ka rritje të rasteve prej 17 për qind te fëmijët që i prek meningjiti. Sipas tij, meningjiti, një inflamacion i cipave të trurit, që e mbulojnë trurin dhe palcën kurrizore, mund të shkaktohet nga viruset ose nga bakteret.

“Meningjiti apo pezmatimi i cipave të trurit, është një prej sëmundjeve shumë të rënda, sidomos te fëmijët. Shkaktarët më të shpeshtë janë bakteret dhe viruset. Sa më e vogël është mosha, mundësia për komplikime është shumë më e madhe”, thotë Sadiku.

Ai thotë se viti 2019 është përmbyllur me 90 raste të fëmijëve me meningjit, derisa 20 për qind e tyre kanë qenë forma të rënda.

“Pothuajse të gjithë janë trajtuar në Klinikën Infektive, dhe pas shërimit, janë liruar në shtëpi. Një rast (pacient), fatkeqësisht ka vdekur, disa orë pasi ka ardhur në klinikë në gjendje shumë të rëndë’’, bën të ditur Sadiku.

Sipas tij, meningjiti shkakton vdekje 30 deri në 40 për qind të rasteve. Megjithëkëtë, në Kosovë nuk është në kalendarin e vaksinimit, vaksina kundër meningjitit.

Epidemiologia Edita Goranci-Haxhiu, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, bën të ditur se në shumë vende të botës tashmë aplikohet vaksina kundër meningjitit. Por, siç thotë ajo, Kosova ende nuk është e gatshme, për ta futur këtë vaksinë në kalendar, meqë janë edhe dy të tjera në radhë.

“Raste me meningjit në Kosovë ka vazhdimisht. Vaksina, e cila ekziston, e që të mbron prej meningjitit, aplikohet në disa vende të Evropës, por edhe më gjerë, me kalendar të rregullt të vaksinimit. Në Kosovë ende nuk jepet kjo vaksinë. Kemi edhe dy vaksina në radhë, e që më pas parashihet të futet edhe vaksina për meningjit”.

“Meningjiti si sëmundje shkaktohet prej shumë shkaktarëve, e njëra nga to është meningo toksik, e që kjo vaksinë jepet në shumë vende të Evropës, por që te ne pacientëve iu jepet vetëm sipas indikacioneve, por edhe nëse udhëtojnë në vende të ndryshme të botës që është si sëmundje endemike”, shpjegon Haxhiu.

Kjo sëmundje, manifestohet me temperaturë, ethe dhe dhimbje koke. Në botë, brenda një ose dy ditësh, një ndër dhjetë persona të infektuar humb jetën. Rreth një e pesta e të prekurve vuajnë nga aftësitë e kufizuara, si: paraliza, vonesa mendore dhe epilepsia. Shtytja për të zbuluar një vaksinë efektive kundër meningjitit, filloi pas epidemisë së vitit 1996 dhe 1997, e cila preku mbi një çerek milioni afrikanë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG