Ndërlidhjet

Vaksina e AstraZeneca për koronavirusin më e lirë se vaksinat e tjera


Foto nga arkivi.
Foto nga arkivi.

Kompania farmaceutike AstraZeneca tha më 23 nëntor se vaksina e saj kundër COVID-19 mund të jetë rreth 90 për qind efektive, duke i ofruar botës edhe një armë në luftën kundër pandemisë. Vaksina e kësaj kompanie pritet të ketë çmim të lirë dhe shpërndarja e saj të jetë më e shpejt se e kompanive rivale që po zhvillojnë vaksinat e tyre kundër koronavirusit të ri.

Kjo kompani britanike tha se deri në fund të vitit 2020 do të ketë në dispozicion rreth 200 milionë doza të vaksinës, aspo katër herë më shumë se kompania amerikane Pfizer, që po ashtu ka njoftuar se ka gati vaksinën kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi, raporton agjencia Reuters.

Shtatëqind milionë doza mund të jenë gati për t’u shpërndarë në mbarë botën në fund të çerekut të parë të vitit 2021, tha kompania.

“Kjo do të thotë se ne kemi vaksinë për botën”, tha Andrew Pollard, drejtor në Universitetin e Oxfordit, ku dhe është zhvilluar kjo vaksinë.

Vaksina e kësaj kompanie ishte 90 për qind efektive në parandalimin e COVID-19 nëse një pacientit i jepet gjysmë doze, pasuar nga një dozë e plotë një muaj më vonë, thuhet në gjetjet e studimeve të kryera në Britani dhe Brazil. Sipas kompanisë AstraZeneca, nuk ka të dhëna se kjo vaksinë ka efekte serioze anësore.

Vaksina pritet t’iu kushtojë qeverive të botës disa dollarë, krahasuar me vaksinat e Pfizer dhe kompanisë Moderna që pritet të kushtojnë më shumë. Këto të fundit kanë përdorur teknologji jokonvencionale në zhvillimin e vaksinave të tyre.

Po ashtu, vaksina e AstraZeneca mund të ruhet në temperaturën e frigoriferëve normal dhe kjo e bën edhe më të lehtë që të transportohet, veçanërisht në vendet e varfra. Ndërkaq, Pfizer, që ka njoftuar për vaksinën e saj javën e kaluar, ka thënë se ajo duhet të ruhet në temperaturë -70 gradë celsius.

Shpërndarja më e shpejt e vaksinës rrit shpresat se ajo mund të arrijë më lehtë në vendet e varfra, që do të kishte ndikim edhe në ndaljen e ndasive sociale dhe ekonomike të shkaktuara nga pandemia, që deri më tani ka vrarë 1,4 milion njerëz në mbarë botën.

“Pjesa më e madhe e programit të shpërndarjes së vaksinës do të jetë në muajin janar, shkurt dhe mars. Ne shpresojmë se pas Pashkëve të nisim që t’i kthehemi normalitetit”, tha Matt Hancock, sekretari i Shëndetësisë së Britanisë së Madhe, shtet ky që tashmë ka porositur 100 milionë doza të vaksinës të kompanisë AstraZeneca.

Në shtetet e varfra, ku logjistika për shpërndarjen e vaksinave rivale paraqet sfidë më të madhe, avantazhi i vaksinës së AstraZeneca është çmimi i saj i lirë dhe shpërndarja më e shpejt. Ministri i Shëndetësisë së Bangladeshit, Zahid Maleque, shteti i si cilit do të blejë 30 milionë doza nga AstraZeneca, tha se gjetjet e studimit janë “vërtetë një lajm i mirë”.

“Avantazhi më i madh i kësaj vaksine është se ajo mund të ruhet, transportohet dhe të administrohet në temperaturë prej 2-8 gradë celsius dhe për këtë gjë ne kemi infrastrukturën e duhur”, tha ai.

“Do të jemi më të lumtur”

Rezultatet tregojnë se efektiviteti i vaksinës së AstraZeneca varet nga doza që merr pacienti dhe studimi tregoi se efektiviteti ra në 62 për qind kur një pacientit iu dhanë dy doza të plota të vaksinës në vend se gjysmë doze fillimisht.

Ndërkaq, Pfizer – që ka zhvilluar një vaksinë së bashku me kompaninë gjermane BioNTech – si dhe kompania Moderna, kanë thënë se vaksinat e tyre janë rreth 95 për qind efektive. Këto të dhëna, këto kompani thanë se kanë dalë gjatë studimeve të fazës së tretë të vaksinës.

“Unë mendoj se është budallallëk që të zgjedhësh në mes të tri vaksinave (të kompanisë Pfizer, Moderna dhe Astra) bazuar në të dhënat që kanë publikuar këto kompania nga faza e tretë”, tha Danny Altmann, profesor i imunologjisë në Universitetin Imperial të Londrës.

“Unë mendoj se brenda një viti ne do t’i përdorim të gjitha këto tri vaksina që ofrojnë rreth 90 për qind mbrojtje – dhe që të gjithë do të jemi shumë më të lumtur”, tha ai.

Studiuesit e AstraZeneca nuk kanë treguar se pse marrja e dozave më të vogla të vaksinës jep më shumë efektivitet ndaj sëmundjes COVID-19.

“Ka disa shembuj që tregojnë se ndryshimet në sistemin tonë imunitar mund t’i kundërpërgjigjen më mirë sëmundjes”, tha Pollard.

Dy vaksina premtuese dhe rruga e gjatë e shpërndarjes
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:26 0:00

Shefi ekzekutiv i AstraZeneca, Pascal Soriot tha se zhvillimi i vaksinës është lajm i mirë, pasi shumë njerëz mund të vaksinohen brenda një periudhe të shkurtër.

Administrata për Ushqim dhe Barna e SHBA-së (FDA) ka thënë se çdo vaksinë që shfaq të paktën 50 për qind efektivet ndaj sëmundjes, mund të merret në konsideratë për të marrë miratimin për t’u përdorur.

Vaksina e AstraZeneca ka përdorur një version të modifikuar të virusit të zakonshëm te shimpanzetë, që udhëzon qelizat që të luftojnë virusin. Kjo është një qasje më tradicionale krahasuar me qasjen që ka pasur Pfizer dhe Moderna, që për zhvillimin e vaksinave të tyre kanë përdorur një teknologji të re të quajtur RNA.

AstraZeneca ka thënë se menjëherë do të nisë punën për aplikimin për miratim në mbarë botën, duke iu dërguar autoriteteve të dhënat e studimeve të vaksinës.

Gjithashtu, kjo kompani do të kërkojë miratim emergjent edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për të përshpejtuar disponueshmërinë te vendet me të ardhura të ulëta.

Administrata për Ushqim dhe Barna me shumë gjasa do ta miratojë në mesin e muajit dhjetor vaksinën e zhvilluar nga kompania Pfizer, kanë thënë zyrtarë të lartë të administratës amerikane.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG