Ndërlidhjet

"Fitoret e mia dua t’i inkurajojnë vajzat e tjera të merren me mundje"


Sadije Dura, kampione e sportit të mundjes në Maqedoninëe Veriut.
Sadije Dura, kampione e sportit të mundjes në Maqedoninëe Veriut.

“Çdo bisedë në shtëpinë time fillon dhe përfundon me diçka që ka të bëjë me mundjen, prandaj nuk kisha se si të zgjidhja një sport tjetër”, thotë 14-vjeçarja Sadie Dura, e cila në vitin 2023 është shpallur kampione në mundje në Maqedoninë e Veriut.

Sadija ka arritur të zërë vendin e tretë në garat ballkanike, të cilat u organizuan në Greqi. Ndërkohë, në kampionatin evropian në kategorinë e vajzave U15 në Hungari në mesin e 22 konkurrenteve, është radhitur e nënta.

Sadije Dura, 14-vjeçare, kampione në mundje.
Sadije Dura, 14-vjeçare, kampione në mundje.


Por, rruga e suksesit për Sadije Durën ka qenë shumë sfiduese pasi në mungesë të vajzave në Klubin Liria ajo stërvitjet i realizon me bashkëmoshatarët e saj djem. Kjo, thotë se ka përparësitë po edhe mangësisë e veta.

“Po është e vështirë për një vajzë të ushtrojë në sallë të sportit me djem, ndërkohë që kur dal në gara, në dyluftim jam me vajza. Kjo pak më ngatërron, se stili i vajzave është më ndryshe. Por, edhe më ndihmon, pasi mësohem me forcën e djemve”, thotë ajo.

Babai i Sadijes, Hamit Dura, për Radion Evropa e Lirë thotë se e vogla e shtëpisë është krenaria e tij, pasi arrin të çojë para sportin, të cilin e kultivojnë me gjenerata në këtë familje.
Për të nuk ka sport për meshkuj apo vajzat, por ka sportistë që dinë të dalin fitues ose jo në gara, andaj ndihet krenar që më e vogla nga tri vajzat e tij është mundëse.

“Mundjen e kemi traditë në familjen tonë. Me këtë sport merret vëllai, djali i vëllait, ai motrës madje edhe gjyshi i Sadijes ka qenë mundës. Edhe unë kam ushtruar për pak kohë mundje në shkollën Liria të Shkupit. Mundjen nuk e llogarisim si sport, po si diçka që e kemi në gjene dhe e bëjmë me qejf”, thotë babai i i saj Hamiti.

Sadije Dura, e vetmja vajzë që stërvitet në mundje me ekipin e djemve.
Sadije Dura, e vetmja vajzë që stërvitet në mundje me ekipin e djemve.

Sadija me shaka thotë se ngaherë shokët kanë frikë ta ngacmojnë, jo vetëm atë po edhe shoqet e saj kur janë me ta, dhe kjo e bën të ketë më shumë vetëbesim, po edhe të jetë më e dashur në mesin e shoqërisë, megjithëse nuk harron të theksojë se stërvitet për të arritur suksese në gara dhe kjo nxit frikën te bashkëmoshatarët e saj.

“Më ngacmojnë se eci me hapa si djalë. Pastaj disa kanë frikë të përleshen pasi thonë jo ti je mundëse. Kjo i ka përparësitë e veta pasi edhe shoqet më duan më shumë pasi në prani timen disi ndihen më të sigurta, nga ngacmimet që i bëjmë mes shokësh, e dini”, thotë Sadija me të qeshur.

Krahas fitoreve në garat mbarëkombëtare në këtë sport, ajo ka për synim që të bëhet trajnere dhe me fitoret e saj të inkurajojë edhe vajza të tjera që të merren me këtë sport.

Sadije Dura dhe trajneri i saj.
Sadije Dura dhe trajneri i saj.

“Mundohemi të punojmë sa më shumë me Sadijen që nesër ajo kur të rritet si qëllim parësor e kemi atë që ajo të arrijë suksese maksimale në karrierën e saj, dhe më pas të kyçet këtu si trajnere në klubin e mundjes, Liria, në Shkup dhe atëherë mendoj se vajzat do të ndihen më të lira të përfshihen në këtë sport”, thotë trajneri i Sadies, Nehat Xhaferi.

Ai shpreh kënaqësinë se pavarësisht se klubi i mundjes Liria funksionon që nga viti 1977 dhe nuk ka pasur asnjëherë një vajzë që ushtron mundje, arrijnë të shënojnë fitore që me vajzën e parë që guxon të sfidohet me këtë sport.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG