Një 19-vjeçar është dënuar me dy vjet e gjysmë burgim nga një gjykatë rajonale në Samarkand të Uzbekistanit, i akuzuar për koment fyes ndaj presidentit të vendit, Shavkat Mirziyoev, në rrjetet sociale.
Dilshod Iskandarov u akuzua se e kishte fyer presidentin duke komentuar në një video të familjes presidenciale - anëtarë të së cilës zënë pozita politike dhe biznesore me ndikim apo fitimprurëse në regjimin klanor - të postuar në rrjetin social Instagram.
Ai u dënua më 26 tetor për "fyerje apo përgojim të presidentit në publik".
Iskandarov është më i fundit nga së paku tre uzbekë që janë dënuar në vitin e fundit në bazë të klauzolës penale për fyerje apo përgojim të presidentit.
Ai thuhet ta ketë fshirë komentin në Instagram pasi ishte paralajmëruar nga të afërmit e vet për rrezikun e mundshëm.
Mirziyoev e fitoi një mandat të ri shtatëvjeçar në zgjedhjet e pasfiduara në korrik.
Në gusht, Mirziyoev, e emëroi vajzën e vet, Saida Mirziyoev, si sekretare të presidentit.
Saida, 38 vjeçe, u bë personi i dytë në administratën presidenciale pas babait të vet Shavkat Mirziyoev.
Pozita e saj si sekretare është e barabartë me pozitën e shefit të administratës së presidencës.
Emërimi i të afërmeve në pozita shtetërore me ndikim është gjë e zakonshme në vendet autoritare të Azisë Qendrore. Në Turkmenistan, presidenti Serdar Berdymukhammedov e pasoi babanë e vet, Gurbanguly Berdymukhammedov.