Sistemet për mbrojtje ajrore të Ukrainës i kanë rrëzuar 22 prej 25 dronëve iranianë Shahed, të cilët i kanë nisur forcat ushtarake ruse në rajonin Odesa, në orët e para të 3 shtatorit, ka thënë forca ajrore ukrainase.
Të paktën dy civilë janë plagosur në “një seri sulmesh” që e kanë goditur infrastrukturën e lumit Danub, kanë thënë autoritetet ukrainase, duke shtuar se sulmet kanë zgjatur për më shumë se tre orë e gjysmë.
Danubi është kthyer në rrugën kyçe për Ukrainën për transportim të grurit prej skadimit të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, që e ka mundësuar transportimin e sigurt të mallit përmes Detit të Zi.
Prej atëherë, Rusia i ka shtuar sulmet në rajonet jugore ukrainase Odesa dhe Mikollaiv, zona shumë të rëndësishme për transportim të grurit.
Nuk dihet saktë se cili port është goditur, mirëpo ushtria ukrainase ka thënë se e ka shuar shpejt zjarrin e shkaktuar nga sulmet.
Moska nuk i ka komentuar ende këto deklarata të Ukrainës.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.
Presidenti Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.