Ushtria ukrainase ka thënë se ka krijuar "disa kryeura" në brigjet lindore të lumit Dnjepër në territorin e pushtuar nga Rusia në rajonin jugor të Hersonit, pas një "serie operacionesh të suksesshme".
Në një deklaratë të publikuar në Facebook më 17 nëntor nga Marina e Ukrainës thuhet se operacionet po vazhdonin në brigjet lindore të lumit Dnjepër dhe se forcat ruse kishin pësuar humbje të mëdha "në njerëz dhe pajisje."
Autoritetet ruse në rajonin e Hersonit dhe agjencitë shtetërore ruse të lajmeve në fillim të kësaj jave pranuan se lumi ishte kaluar nga forcat ukrainase.
Agjencitë ruse të lajmeve TASS dhe RIA Novosti, duke cituar ministrinë ruse të Mbrojtjes, raportuan këtë javë se komandantët rusë kishin urdhëruar një "rigrupim" të forcave në mes të luftimeve të ashpra në brigjet lindore të Dnjeprit. Raportimet u tërhoqën pa shpjegim brenda disa minutave pas publikimit të tyre më 13 nëntor dhe Ministria ruse e Mbrojtjes i përshkroi ato si një "provokim".
Më 15 nëntor, autoritetet ruse në rajonin Herson për herë të parë pranuan praninë e trupave ukrainase në brigjet lindore të Dnjeprit, duke thënë se ato ishin të përqendruara pranë një ure hekurudhore që të çon në fshatin Krinki.
Operacionet ukrainase përqendrohen në një shtrirje prej 45 kilometrash të territorit të kontrolluar nga Rusia përballë Hersonit, kryeqyteti rajonal i rimarrë nga forcat ukrainase një vit më parë.
Lumi Dnjepër shihet si një pengesë serioze për kundërofensivën disamujore të Ukrainës për të rimarrë territorin e kontrolluar nga Rusia.
Deri në këtë pikë, kundërofensiva ukrainase e nisur në qershor në juglindje dhe lindje nuk ka prodhuar rezultatet e parashikuara, ndërsa ka shkaktuar shqetësime nga disa prej aleatëve perëndimorë të Ukrainës.
Raportet se forcat ukrainase kanë transportuar pajisje të rënda ushtarake dhe trupa përtej lumit kanë nxitur sugjerimet se Kievi mund të jetë përgatitur për një përparim në frontin jugor dhe të hapë një linjë të re sulmi në drejtim të gadishullit të Krimesë.
Gadishulli ukrainas në Detin e Zi është kontrolluar nga Rusia që nga viti 2014, kur u pushtua dhe u aneksua ilegalisht nga Moska.
Kreu i zyrës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, tha në fillim të kësaj jave se trupat ukrainase kishin mbuluar 70 për qind të distancës drejt Krimesë, të cilën ai tha se Kievi synon ta "çmilitarizojë".