Ndërlidhjet

Gaza pa qasje në internet teksa Izraeli intensifikon sulmet


Pamje prej shpërthimeve të premten në Gazë.
Pamje prej shpërthimeve të premten në Gazë.

Banorët e Gazës janë pa qasje në internet dhe në shërbime tjera telefonike, pas rritjes së shkallës së bombardimeve izraelite në mbrëmjen e së premtes.

Mbi 2.3 milionë banorë të Gazës kanë mbetur pa asnjë linjë kontakti me pjesën tjetër të botës, teksa ushtria izraelite ka thënë se është duke e “zgjeruar” operacionin tokësor në këtë enklavë të rrethuar.

Njoftimi i ushtrisë izraelite është sinjal se forcat ushtarake të Izraelit janë edhe më afër pushtimit tokësor në Gazë, të cilat janë zotuar se do ta shkatërrojnë grupin militant Hamas, pas sulmeve që i ka kryer në tokën izraelite tri javë më parë.

Në deklarimin e së premtes, ushtria izraelite u ka bërë sërish thirrje banorëve të qytetit të Gazës që të shpërngulen në jug.

Shpërthimet e fuqishme në Rripin e Gazës janë parë prej distancës, ka raportuar Associated Press.

Banorët e Gazës veçse janë që disa javë pa furnizime me ushqim, ujë dhe rrymë, por tani kanë mbetur në izolim të plotë.

Ofruesi palestinez i telekomunikimeve në Gazë, Palte, ka thënë se zona është pa asnjë shërbim për shkak të bombardimeve.

Ende nuk dihet nëse ka viktima nga sulmet e reja ajrore, për shkak të izolimit të zonës.

Kryqi i Kuq ka thënë se nuk ka mundur të kontaktojë me ekipet mjekësore dhe banorët nuk mund të thërrasin ambulancën, çka nënkupton se ekipet do të duhet t’i ndjekin shpërthimet, për t’i identifikuar të plagosur nga sulmet.

Grupet tjera ndërkombëtare të ndihmës kanë thënë se kanë arritur të komunikojnë me pak pjesëtarë të stafit që kanë qasje në lidhje satelitore.

Banorët jashtë Gazës janë në panik, pasi kanë mbetur pa informacione për familjarët e tyre brenda.

“Jam frikësuar aq shumë që kjo do të ndodhë”, ka thënë Wafaa Abdul Rahman, drejtore e organizatës feministe me bazë në qytetin Ramallah në Bregun Perëndimor.

Ajo ka thënë se nuk ka informacione që disa orë për familjen e saj në qendër të Gazës.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton për armëpushim të menjëhershëm

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka miratuar një rezolutë për armëpushim të menjëhershëm në Gazë.

Kjo rezolutë e prezantuar nga Jordania, në emër të një grupi të shteteve arabe, dënon të gjitha aktet e dhunës kundër civilëve palestinezë dhe izraelitë.

Në të bëhet thirrje për ofrim të ndihmës dhe mbrojtje të civilëve.

Për rezolutën kanë votuar 120 vende, 14 kanë qenë kundër dhe 45 kanë abstenuar.

Rezolutat e Asamblesë së OKB-së nuk janë ligjërisht të detyrueshme, mirëpo bartin peshë morale.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka thënë se ky është “momenti i së vërtetës”.

“E përsëris thirrjen time për armëpushim në Lindje të Mesme, për lirim pa kushte të të gjitha pengjeve dhe për ofrim të furnizimeve tejet të nevojshme. Secili duhet të mbajë përgjegjësi. Ky është moment i së vërtetës. Historia do të na gjykojë të gjithëve”.

Ushtria izraelite "zgjeron aktivitetin"

Zëdhënësi i ushtrisë izraelite Daniel Hagari, ka thënë se forcat tokësore “do ta zgjerojnë aktivitetin “në mbrëmjen e së premtes në Gazë dhe do të veprojnë “me forcë të madhe për t’i arritur synimet e luftës”.

Izraeli deklaron se i sulmon luftëtarët e Hamasit dhe infrastrukturën e grupit, dhe që militantët operojnë në mesin e civilëve, duke e rrezikuar edhe jetën e tyre.

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant ka thënë për disa gazetarë të huaj se Izraeli pret ofensivë të gjatë dhe të vështirë tokësore në Gazë.

Do të marrë kohë për ta “shkatërruar Hamasin” dhe tunelet e tij, ka thënë ai, duke shtuar se pret periudhë të gjatë të luftimeve teksa Izraeli shkatërron “zonat e rezistencës”.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, numri i të vdekurve nga sulmet izraelite ka shkuar në 7.300, dhe mbi 60 për qind e tyre janë të mitur dhe fëmijë.

Kombet e Bashkuara janë të shqetësuara për pamundësinë e dërgimit të ndihmave në atë zonë dhe harxhimit të furnizimeve me naftë.

Më shumë se 1.400 persona janë vrarë nga sulmet e Hamasit në Izrael më 7 tetor, sipas Qeverisë izraelite dhe të paktën 220 pengje janë marrë në Gazë.

Mbi 1.4 milion njerëz në Gazë kanë ikur prej shtëpive të tyre, dhe gjysma besohet se janë nëpër shatorret e Kombeve të Bashkuara.

Qindra mijëra njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në veri të Gaza, pavarësisht thirrjeve të Izraelit për t’u evakuuar.

Javën e kaluar, Izraeli e ka mundësuar hyrjen e mbi 80 kamionëve me ndihmë nga Egjipti në Gazë, përfshirë 10 kamionë me ushqime, ilaçe dhe furnizime tjera.

Mirëpo kjo ndihmë për shumë organizata ndërkombëtare ka qenë një pikë uji në oqean, në krahasim me nevojat e banorëve në Gazë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG