Ndërlidhjet

Ushtria izraelite lëshon urdhra të rinj për evakuim në Gazë


Palestinezët e zhvendosur nga lufta ajrore dhe tokësore e Izraelit në Rripin e Gazës ikin nga qyteti Hamad, pas urdhrave për evakuim nga ushtria izraelite në Han Junis, 11 gusht 2024.
Palestinezët e zhvendosur nga lufta ajrore dhe tokësore e Izraelit në Rripin e Gazës ikin nga qyteti Hamad, pas urdhrave për evakuim nga ushtria izraelite në Han Junis, 11 gusht 2024.

Ushtria izraelite i ka urdhëruar të premten banorët nga zonat e Gazës jugore dhe qendrore të evakuohen, duke thënë se ato po përdoren për hedhjen e raketave dhe mortajave në drejtim të Izraelit nga Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Këto pjesë të Gazës kanë qenë të shpallura si zona të sigurta deri tani.

Ushtria tha se ka lëshuar fletushka dhe ka dërguar mesazhe telefonike në qytetin jugor Han Junis dhe në pjesën lindore të Deir-Al-Balah, ku dhjetëra mijëra njerëz kanë kërkuar strehim nga luftimet në pjesë të tjera të Gazës.

“Paralajmërimi i hershëm i civilëve po bëhet në mënyrë që të kufizohet dëmtimi i popullsisë civile dhe për t’ua mundësuar civilëve të largohen nga zonat e luftimeve”, tha ushtria në një njoftim.

Më herët, ushtria tha se e ka goditur një zonë në Han Junis, nga e cila po shkrepeshin raketa në drejtim të komunitetit të Kisufimit në Izrael të enjten. Ajo tha se aty ka gjetur armë, përfshirë raketa dhe eksplozivë.

Ndërkohë, negociatorët do të takohen sot për ditën e dytë radhazi në Doha për bisedime, në përpjekje për të arritur marrëveshje për ndaljen e luftës në Gazë dhe për kthimin në shtëpi të pengjeve izraelite dhe të huaja.

Shumica e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh është detyruar disa herë të zhvendoset prej se nisi lufta e Izraelit në Gazë në tetor.

Ushtria izraelite thotë se përpiqet ta shmangë dëmtimin e civilëve palestinezë dhe për vdekjen e tyre e fajëson Hamasin, duke thënë se militantët e tij veprojnë në zonat e banimit, nganjëherë duke u strehuar në mesin e civilëve dhe duke kryer sulme nga shtëpi, shkolla, xhami dhe ndërtesa të tjera civile.

Izraeli ka thënë se synimi i tij është ta shkatërrojë Hamasin, pas sulmit të 7 tetorit, në të cilin militantët nga Gaza u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë 1.200 njerëz, si dhe i rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Pas një rundi këmbimesh në nëntor, Izraeli thotë se edhe 111 pengje po mbahen në Gazë, përfshirë trupat e pajetë të 39 pengjeve.

Lufta e Izraelit në Gazë prej atëherë i ka lënë të vdekur rreth 40.000 palestinezë dhe më shumë se 91.700 të tjerë të plagosur, sipas zyrtarëve shëndetësorë në enklavë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG