Ndërlidhjet

Izraeli: Pengjet e vrara nga ushtria në Gazë kanë mbajtur flamuj të bardhë


Tre burrat e vrarë gabimisht prej ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës - Yotam Haim, 28 vjeç, Samer Al-Talalka 25 vjeç, dhe Alon Shamriz, 26 vjeç.
Tre burrat e vrarë gabimisht prej ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës - Yotam Haim, 28 vjeç, Samer Al-Talalka 25 vjeç, dhe Alon Shamriz, 26 vjeç.

Tri pengjet izraelite që janë vrarë gabimisht në Gazë prej ushtrisë së Izraelit, kanë qenë duke mbajtur një flamur të bardhë, sipas një hetimi fillestar për incidentin.

Incidenti ka ndodhur në një zonë të luftimeve intensive, ku operojnë militantë të Hamasit, kanë thënë zyrtarë të ushtrisë izraelite.

Hamasi, grup palestinez që udhëheq Gazën, është shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.

Një ushtar i ka parë pengjet disa metra larg prej zonës, ku ka qenë e pozicionuar ushtria.

“Ata kanë qenë pa bluza dhe kanë mbajtur në duar një copëz të bardhë. Ushtari është ndjerë i kërcënuar dhe ka shtënë me armë. Ai ka deklaruar se ata janë terroristë, dhe ushtarët tjerë kanë shtënë me armë, po ashtu”, ka thënë ky zyrtar ushtarak.

Burri i tretë është plagosur dhe është dërguar në një qendër të afërt, ku ka bërë thirrje për ndihmë, në gjuhën hebreje.

“Komandanti i batalionit ka kërkuar menjëherë ndalje të luftimeve, mirëpo ndërkohë janë nisur sulme tjera dhe personi i tretë ka vdekur”, ka shtuar mes tjerash ai.

Ushtria i ka identifikuar tri pengjet si Yotam Haim dhe Alon Shamriz, të marrë peng prej komunitetit Kfar Aza, dhe Samer Talalka, të marrë peng prej komunitetit Nir Am.

Protesta në Tel Aviv

Qindra protestues janë mbledhur natën e mbrëmshme në Tel Aviv, pas lajmit se ushtria izraelite ka vrarë gabimisht tre burrat.

Protestuesit kanë mbajtur pankarta dhe kanë ndezur qirinj, teksa kanë marshuar drejt bazës ushtarak në Tel Aviv dhe i kanë kërkuar Qeverisë izraelite të negociojë marrëveshje për lirim të pengjeve të mbetura.

Vdekjet janë bërë të ditura të premten teksa një zyrtar i lartë amerikan ka tentuar t’i bindë izraelitët që ta ulin intensitetin sa më shpejt në luftën kundër Hamasit.

Pamje nga protesta e mbajtur në Tel Aviv.
Pamje nga protesta e mbajtur në Tel Aviv.

Izraeli është zotuar për ta shkatërruar Hamasin, pas sulmeve të grupit në tokën izraelite, më 7 tetor, duke lënë të vdekur mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë rreth 240 pengje.

Ushtarët i kanë identifikuar gabimisht tre izraelitët si kërcënim dhe kanë gjuajtur kundër tyre, ka thënë zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

Ai ka thënë se besohet që të tre burrat, ose kanë ikur prej pengmarrësve, ose janë braktisur.

“Ndonëse në ditët e fundit, ose ditën e fundit, ende nuk i dimë të gjitha detajet, ata kanë arritur në atë zonë”, ka thënë Hagari.

Ai ka thënë se ushtria shpreh “pikëllim të thellë” dhe se situata po hetohet.

Prej marrjes së pengjeve nga Hamasi, kjo temë e ka dominuar diskursin publik në Izrael.

Familjarët kanë bërë fushata të fuqishme duke bërë thirrje që Qeveria të negociojë kthimin e tyre.

Protesta në solidaritet me pengjet dhe familjet e tyre mbahen gati çdo ditë në Izrael.

Liderët politikë dhe ata ushtarakë të Izraelit janë deklaruar shpesh se lirimi i të gjitha pengjeve është qëllimi kryesor i luftës, bashkë me shkatërrimin e Hamasit.

Megjithatë, edhe shtatë javë pas nisjes së ofensivës tokësore në veri të Gazës, ushtria nuk e ka shpëtuar asnjërin prej tyre, përveç gjetjes së disa trupave.

Vetë Hamasi i ka liruar mbi 100 pengje në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael, muajin e kaluar, dhe tani besohet se 130 janë në mbajtje.

Tri pengjet e vrara janë identifikuar si Yotam Haim, 28 vjeç, Samer Al-Talalka 25 vjeç, dhe Alon Shamriz, 26 vjeç.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka konsideruar vdekjen e tri pengjeve si “tragjedi të paparamenduar”, dhe është zotuar se do të bëhen të gjitha përpjekjet për kthim të pengjeve tjera në shtëpitë e tyre.

Në jug të Gazës, rrjeti televiziv Al Jazeera, ka thënë se sulmet izraelite të së premtes në qytetin Han Junis, ia kanë vrarë kameramanin Samer Abu Daqqa dhe e kanë plagosur korrespodentin e tij në Gazë Wael Dahdouh.

Të dy kanë qenë duke raportuar prej një shkolle kur janë qëlluar prej sulmeve ajrore, ka thënë ky rrjet.

Han Junis ka qenë shënjestra kryesore në ofensivën tokësore të Izraelit, në pjesën jugore të Gazës.

Dahdouhit, gazetar që ka mbuluar disa herë konfliktin Izrael – Gaza, i janë vrarë gruaja dhe fëmijët si pasojë e sulmeve izraelite në ditët e para të luftës.

Sipas Komitetit për Mbrojtje të Gazetarëve Abu Daqqa është gazetari i 64-të që është vrarë prej nisjes së luftës: 57 palestinezë, katër izraelitë dhe tre gazetarë të Libanit.

Ofensiva e Izraelit e ka rrafshuar pjesën më të madhe të veriut të Gazës, dhe ka detyruar 80 për qind të popullsinë prej 2.3 milionë banorëve që të shpërngulen nga shtëpitë e tyre.

Të zhvendosurit janë strehuar nëpër kampe të improvizuara në jug të vendit, por ushtria izraelite është duke kryer ofensivë edhe atje.

SI pasojë e nisjes së luftës janë vrarë mbi 18.700 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

Mijëra të tjerë janë të zhdukur dhe ka zëra se mund të jenë të vdekur nën rrënoja.

Teksa përballet me ofensivën izraelite, Hamasi vazhdon sulmet e veta.

Të premten grupi ka nisur raketa prej Gazës drejt qendrës së Izraelit, duke aktivizuar alarmet në Jerusalem , për herë të parë pas disa javës, ndonëse askush nuk është plagosur.

Rezistenca e vazhdueshme e grupit ka rritur dilema nëse Izraeli mund ta mposhtë grupin, pa e shkatërruar gjithë Gazën.

Izraeli beson se lufta është mjeti i vetëm që mund të parandalojë përsëritjen e sulmeve të Hamasit.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka shprehur shqetësim që Izraeli nuk po arrin të reduktojë numrin e viktimave civile, si dhe për planet e Izraelin për të ardhmen e Gazës, ndonëse Shtëpia e Bardhë vazhdon të ofrojë mbështetje të gjithanshme për izraelitët.

Në disa takime të zhvilluara këtë javë në Izrael, Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka diskutuar me krerë shtetërorë izraelitë për uljen e intensitetit të luftës.

Ministri i Mbrojtjes në Izrael, Yoav Gallant, i ka thënë Sullivanit se do të duhen muaj për ta shkatërruar Hamasin.

“Nuk ka kontradikta në mes të deklarimit që luftimet do të zgjasin me muaj, dhe deklarimit që fazat e luftës, që do të zhvillohen në periudha të ndryshme, nënkuptojnë tranzicion prej operacioneve të intensitetit të lartë, në operacione më të shënjestruara”, ka thënë të premten Sullivan.

Sullivan është takuar edhe me presidentin e Autoritetit Palestinez, Mahmouad Abbas, për të diskutuar të ardhmen e Gazës, pasi të përfundojë lufta.

SHBA-ja ka thënë se dëshiron të shoh Bregun Perëndimor dhe Gazën nën një “Autoritet Palestinez të rivitalizuar”, si hap fillestar drejt shtetit palestinez – ide që refuzohet prej kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili udhëheq qeveri të krahut të djathtë.

Zyrtarët palestinezë kanë thënë se duhet diskutuar për rolin e tyre pas luftës në Gazë, nëse bëhet fjalë për hapa konkretë amerikanë drejt shtetësisë së palestinezëve.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG