Ndërlidhjet

Ankesat e tri universiteteve të paakredituara nuk ka kush t’i shqyrtojë


Ilustrim
Ilustrim

Tri universitetet publike në Kosovë të cilat nuk janë akredituar për vitin akademik 2019/2020, ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje nga Agjencia për Akreditim e Kosovës, lidhur me ankesën e parashtruar për mosakreditim.

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, Universiteti “Isa Buletini” në Mitrovicë dhe Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren janë tri universitetet të cilat nuk u akredituan dhe të cilat nuk u pajtuan me vendimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë në Agjencinë për Akreditim të Kosovës.

Pas pranimit të vendimit për mosakreditim, këto tri universite kanë bërë ankesë pranë Agjencisë për Akreditim, por ankesat e tyre nuk janë shqyrtuar ende për shkak se Komisioni për Ankesa ka dhënë dorëheqje javë më parë.

Avni Gashi, ushtrues detyre i Agjencisë për Akreditim të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se pas dorëheqjes së këtij komisioni janë në pritje të formimit të Komisionit të ri për Ankesa.

“Komisioni i Ankesave ka dhënë dorëheqje para dy javëve. Një nga arsyet që janë dhënë është se ata nuk janë pajtuar të punojnë me rregulloren e punës të cilën e ka aprovuar Komisioni Shtetërorë i Cilësisë dhe nuk kanë gjetur hapësirën e mjaftueshme për të punuar sipas ligjit për procedurën e përgjithshme administrative dhe kanë konsideruar se është mirë të tërhiqen derisa të qartësohet kjo situatë. Ne jemi në pritje që ndoshta ministri në largim i arsimit do të nxjerr një vendim për të themeluar një Komision tjetër të ankesave”, thotë Gashi.

Universitetet publike kërkojnë që ankesat e tyre të shqyrtohen sa më shpejtë.

Drejtori për informim dhe marrëdhënie me publikun në Universitetin e Mitrovicës, Ahmet Jashari, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri tani është dashur të ketë një vendim nga Agjencia për Akreditim e Kosovës lidhur me ankesën që kanë bërë, por që sipas tij, ende nuk kanë marrë përgjigje.

“Pasi që e kemi pranuar vendimin nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë, sipas të cilit ne nuk kemi marrë akreditim institucional, i kemi respektuar procedurat sa i përket ankesës, e kemi dorëzuar dhe më datën 7 shtator kanë kaluar 1 muaj (afati ligjor) dhe ne nuk kemi përgjigje dhe sipas informacioneve që i kemi, Komisioni i Ankesave nuk është funksional dhe kjo situatë është absurde dhe ne nuk e dimë sa çfarë do të ndodh dhe çfarë vendimi do të marrin”, thotë Jashari.

Ai thotë se janë në pritje të përgjigjes nga Agjencia për Akreditim e Kosovës në mënyrë që të fillohet me pranimin e studentëve të rinj, pasi që siç thotë Jashari, Universiteti i Mitrovicës i plotëson kriteret për akreditim institucional.

“Ne kemi shpresuar që gjendja do të ndryshojë për shkak se ne kemi reaguar dhe kemi konsideruar që rekomandimet apo vlerësimet që kanë dal nga grupi i ekspertëve nuk kanë qenë në realitetin ekzistues në gjendjen faktike në Universitetin e Mitrovicës dhe mund të them që papërgjegjësia e këtij institucioni që kanë pasur në raport me universitete, ne jemi në pritje dhe nuk e dimë se çfarë përgjigje do të marrim”, thotë Jashari.

Universitetet publike të cilat nuk ishin akredituar, nuk kanë të drejtë të pranojnë studentë të rinj në këtë vit akademik, ndërsa studentët ekzistues, vazhdojnë studimet normalisht.

Gazmend Luboteni, kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë i cili funksionon në kuadër të Agjencisë për Akreditim të Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se ankesat tani janë në Agjencinë për Akreditim dhe se do të shqyrtohen së shpejti.

“Pas marrjes së vendimit kanë pasur të drejtën që brenda 30 ditësh nga data kur është pranuar vendimi nga Agjencia e Kreditimit të parashtrojnë ankesën e cila pastaj brenda 30 ditëve të shqyrtohet. Disa nga këto institucione kanë dërguar në afatin ligjor ankesat e tyre të cilat dashur të shqyrtohen nga Komisioni i Ankesave mirëpo të gjitha ankesat tani kanë mbërritur në Agjencinë e Akreditimit dhe pritet të shqyrtohen në ankesat dhe argumentetet e tyre në mbledhjen e ardhshme në ditë në vijim”, thotë Luboteni.

Luboteni shton se nuk mund të flet në detaje për ankesat e universiteteve, por që sipas tij, kryesisht duhet të bazohen në ato pika negative që janë vlerësuar nga ekspertët ndërkombëtarë në rastin kur ata nuk kanë marrë akreditim institucional.

Megjithatë, ai shton se “vlerësimet e ekspertëve ndërkombëtar janë meritore pasi që kanë përvojë të gjatë në këtë fushën e vlerësimit”.

Përplasje ndërmjet Komisionit për Ankesa dhe Këshillit Shtetëror të Cilësisë, kryesisht për çështje të kompetencave të komisionit dhe më pas dorëheqja e Komisionit për Ankesa në Agjencinë për Akreditimin e Kosovës ka ngritur shqetësim tek ambasadat e vendeve perëndimore në Kosovë.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, kanë reaguar ndaj, siç kanë thënë, bllokadës në të cilën është Agjencia e Akreditimit të Kosovës.

“Ambasadat e Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar e konsiderojnë arsimin cilësor si përparësi për të ardhmen e Kosovës. Për këtë arsye, ato janë shumë të brengosura për qorrsokakun aktual brenda Agjencisë së Akreditimit të Kosovës, i cili po vë në rrezik serioz akreditimin e programeve të studimit për vitin e ardhshëm akademik”, thuhej në një deklaratë të përbashkët të këtyre ambasadave.

Universitetet publike të cilat nuk janë akredituar kishin marrë vërejtje të shumta nga ekspertët ndërkombëtarë për punën e tyre. Universitet, ishte theksuar se nuk kishin përmbushur një numër të konsiderueshëm të standardeve të cilat kërkohen si; vizioni, cilësia, strategjia, stafi dhe elemente tjera.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG