Ndërlidhjet

Zaev paralajmëron qëndrim neutral në raport me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO


Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Maqedonia në asnjë mënyrë nuk guxon të mbaj qëndrim neutral në raport me Kosovën, ashtu siç ka theksuar kryeministri Zoran Zaev.

Përkundrazi, ata thonë se Maqedonia ka dy arsye të fuqishme se pse duhet të mbështes anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Së pari, në këtë vijë është politika e qendrave vendimmarrëse dhe së dyti, kjo do të ketë ndikim në raportet ndëretnike.

Ndryshe në një ballafaqim me gazetarët në transmetuesin publik, Zoran Zaev në cilësinë e kryeministrit ka ripërsëritur qëndrimin dhënë kohë më parë për mediat serbe se Maqedonia ka gabuar vitin e kaluar që votoi “pro” anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, tha se kësaj radhe Maqedonia si shtet do të mbaj qëndrim neutral.

“Kur bëhet fjalë për marrëdhënie të këtilla, si kjo për hyrje në UNESCO, për mbrojtje të objekteve në Kosovë, Maqedonia nuk guxon të marrë njërën anë. Sidomos kur bëhet fjalë për dy vende fqinje. Sepse, kjo punë nuk varet nga Maqedonia”.

“Me këtë rast, Maqedonia do të qëndrojë neutrale dhe për këtë pata kritikuar Qeverinë tonë, sepse ajo kishte marrë anë e që nuk do të duhej të ndodhte në këto procese. Unë shpresoj në mirëkuptimin e Kosovës dhe të Serbisë”, ka theksuar Zaev.

Pas kësaj deklarate ka pasuar reagimi i gazetarit shqiptar se Zaev votat i ka marrë nga votuesit shqiptarë të cilat i kanë mundësuar atij të marrë pushtetin.

Por, Zaev kishte deklaruar tutje se nuk besonte që shqiptarët e kanë votuar partinë e tij për çështje të karakterit ndërkombëtar.

“Qytetarët shqiptarë i kanë dhënë LSDM-së vota për jetë më të mirë, shkollim më të mirë, infrastrukturë të mirë, siguri, të ardhme më të mirë, drejtësi dhe për reformat që duhet të ndodhin”, ka thënë Zaev.

Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik, tha për Radion Evropa e Lirë se qëndrimi i Zaevit është i nxituar duke shprehur bindjen se ai do ta ndryshojë këtë qëndrim pas konsultimeve me faktorin ndërkombëtar.

“Mendoj se qëndrimi që do të mbaj Maqedonia karshi anëtarësimit të Kosovës në UNESKO do të merret pas konsultimeve me ndërkombëtarët, për të gjetur kuptohet dhe alibi para udhëheqësve të Serbisë, sepse megjithatë një gjë është e qartë se Maqedonia si shtet është përcaktuar për një diskurs që nuk është i ngjashëm me atë të Serbisë”.

“Përfundimisht mendoj se pozicioni I Maqedonisë nuk do të jetë neutral, por do të votohet për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO”, vlerëson Ramadani.

Ndërkaq, ish-ambasadori Nanu Ruzhin, thotë se pavarësisht që Maqedonia si shtet gjendet në një pozitë shumë delikate që duhet të zgjedh mes dy fqinjëve.

Megjithatë, nënvizon ai, Shkupi nuk guxon në asnjë mënyrë të provokojë me qëndrimet e saj interesat që përfaqësohen nga Uashingtoni dhe Brukseli, madje edhe nëse duhet të paguaj çmimin që Serbia të tërheq vendimin për të njohur Maqedoninë me emrin e saj Kushtetues.

“Deri në momentin e fundit, ekipi i Zoan Zaevit si kryeministër por edhe ai ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov të analizojnë se cili vendim do t'i sillte më pak dëme Maqedonisë si shtet, por edhe në raport të marrëdhënieve ndërkombëtare, përkatësisht nëse nëse Maqedonia vendos të mbaj anën e Kosovës apo të mbaj qëndrim neutral”.

“Megjithatë e theksoj se duhet pasur parasysh që forcat më të mëdha botërore në krye me SHBA-të dhe BE-në kanë një pozitë të caktuar kundrejt anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, është shumë e logjikshme se duhet t’i ndjek hapat e tyre aq më tepër se ruajtja e raporteve ndëretnike është shumë më e rëndësishme se raportet e mira me fqinjët”, nënvizon Ruzhin.

Njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se Maqedonia e ka shumë më të rëndësime kultivimin e raporteve të mira me fqinjët, por më të rëndësishëm e ka kultivimin e raporteve me shqiptarët, që përbëjnë të paktën një të katërtën e popullsisë në këtë shtet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG