Ndërlidhjet

Zelensky kërkon përshpejtim të ndihmës ushtarake për Ukrainën


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Fotografi nga arkivi.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. Fotografi nga arkivi.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, sërish u ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë “të zbatojnë shpejtë” marrëveshjet për armët dhe furnizimet e tjera për të ndihmuar Ukrainën në luftën kundër pushtimit të nisur nga Rusia.

Në një video-mesazh të publikuar në orët e vona të 14 shtatorit, ai tha se “është e rëndësisë kritike që të gjitha shtetet, veçmas SHBA-ja, të zbatojnë menjëherë marrëveshjet e arritura me Ukrainën”.

“Ndikimi duhet të ndihet në front”, tha Zelensky. “Çdo vonesë e pakove ushtarake ka pasoja negative në front. Çdo dërgesë në kohë, dërgesë e shpejt ka ndikim pozitiv”.

Përpjekjet e mëdha për të ndihmuar ushtarakisht Ukrainën po vazhdojnë, teksa NATO-ja po përballet me thirrje nga disa shtete anëtare që të furnizojë Kievin me armë më të avancuara.

Kievi po ashtu vazhdimisht thotë se ka nevojë që të kryejë sulme brenda territorit rus me armë me rreze të gjatë veprimi, në mënyrë që të mbrojë veten nga forcat pushtuese ruse. Ky argument ukrainas është mbështetur nga disa zyrtarë të NATO-s.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, u takua në Shtëpinë e Bardhë më 13 shtator me presidentin amerikan, Joe Biden, për të diskutuar nëse duhet miratuar kërkesa e Ukrainës për të përdorur armë me rreze të gjatë veprimi kundër caqeve në Rusi.

Këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha më 14 shtator se Biden “është i vendosur që t’i përdorë katër muajt që i kanë mbetur të mandatit që ta vendosë Ukrainën në pozitën më të mirë të mundshme në mënyrë që të triumfojë”.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë më herët gjatë javës se Perëndimi do të ishte “në luftë” me Rusinë nëse i lejon Ukrainës të sulmojë me raketa me rreze të gjatë, të prodhuara në Perëndim, ndërkaq Medvedev tha më 14 shtator se Rusia mund ta shkatërrojë kryeqytetin ukrainas, Kiev, me armë jobërthamore nëse Perëndimi heq kufizimet e tij.

Medvedev, që tani shërben në postin e kryetari të Këshillit të Sigurisë së Ukrainës, po ashtu tha se Rusia mund të përdorë armë bërthamore.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG