Ndërlidhjet

Ukraina thotë i rrëzoi 15 dronë rusë gjatë natës


Sistemi i mbrojtjes i Ukrainës e vëren një dron Shahed, i prodhuar në Iran, gjatë një sulmi rus. (Fotografi nga arkivi).
Sistemi i mbrojtjes i Ukrainës e vëren një dron Shahed, i prodhuar në Iran, gjatë një sulmi rus. (Fotografi nga arkivi).

Mbrojtja e Ukrainës i ka rrëzuar 15 dronë rusë gjatë një sulmi gjatë natës së 18 gushtit, tha të shtunën Forca Ajrore e Kievit.

Sipas saj, 17 dronët Shahed, të prodhuar në Iran, u përdorën në sulmin ajror rus, por nuk specifikoi se çfarë ndodhi me dy të tjerët.

Forcat ruse "sulmuan nga veriu me dronë pa pilotë, të tipit ‘Shahed-136/131’. Gjithsej 17 dronë sulmues u lëshuan nga rajoni i Kurskut", tha Forca Ajrore e Ukrainës në Telegram.

Mbrojtja ajrore u aktivizua në "rajonet veriore dhe qendrore, si dhe në rajonet perëndimore".

“Pesëmbëdhjetë dronë të armikut u shkatërruan nga forcat dhe mjetet e Forcës Ajrore në bashkëpunim me sistemet e mbrojtjes ajrore të përbërësve të tjerë të Forcave të Mbrojtjes të Ukrainës”, tha ajo.

Të dyja palët në konflikt - i cili filloi në shkurt 2022 - kanë raportuar kohët e fundit për sulme të rregullta të dronëve nga ajri dhe deti, në një kohë kur Ukraina është duke e kryer një kundërofensivë që synon rimarrjen e territoreve të kontrolluar nga Rusia.

Rusia i ka shtuar sulmet ndaj porteve të Ukrainës në Detin e Zi dhe Danub, qëkur Moska u tërhoq nga një marrëveshje e cila mundësonte eksportin e sigurt të grurit përmes qendrës së transportit detar.

Të premten, Rusia tha se forcat e saj i shkatërruan dronët ukrainas që synonin Moskën dhe flotën e saj të Detit të Zi.

Në vijën e frontit, forcat ukrainase kaluan në bregun lindor të rajonit Herson, i cili ishte pushtuar nga Rusia, dhe zunë pozicione atje, konfirmoi guvernatori i këtij rajoni i emëruar nga Rusia.

Të premten, Shtetet e Bashkuara i thanë Danimarkës dhe Holandës se mund t'ia dorëzojnë Ukrainës avionët e tyre luftarakë F-16 kur pilotët ukrainas të trajnohen për t'i përdorur ata, një veprim i mirëpritur si "lajm i madh" nga ministri i Mbrojtjes i Ukrainës, Oleksii Reznikov.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG