Ndërlidhjet

Ukraina goditet nga një valë e re e sulmeve ruse


Një ndërtesë e goditur nga sulmet ajrore në Donjeck më 5 dhjetor.
Një ndërtesë e goditur nga sulmet ajrore në Donjeck më 5 dhjetor.

Banorët e Kievit dhe qyteteve të tjera në mbarë Ukrainën më 5 dhjetor u përballen me sulme të reja ajrore ruse, pasi paraprakisht u raportua se në dy baza ajrore ruse kishte shpërthime.

Zëdhënësi i forcave ajrore ukrainase, Yuriy Ignat, i tha Radios Evropa e Lirë se mbrojtja ajrore ka arritur të godasë mbi 60 nga 70 raketat e lëshuara.

Ai tha se 38 raketa u lëshuan nga bombarduesit Tu-95, që gjenden të stacionuar në rajonin e Detit Kaspik dhe në rajonin jugor rus të Rostovit. Ky rajon gjendet në kufirin lindor të Ukrainës. Ndërkaq, 22 raketa të llojit Kalibr, sipas tij, u lëshuan nga anijet e flotës ruse në Detin e Zi.

“Ne po ashtu kemi informacione se janë përdorur bombarduesit e llojit Tu22 M3, që kanë raketahedhës, e të cilët janë më të fuqishmit, sa i përket luftimeve”, tha Ignat.

Sirenat për sulme ajrore janë lëshuar për tri orë dhe zyrtarët u kanë bërë thirrje banorëve që të strehohen.

Sipas raportimeve në rrjetet sociale, qindra persona janë strehuar në stacionet e metrosë në kryeqytetin ukrainas, Kiev.

Nga sulmet ajrore është plagosur një person në Odesa dhe Rusia ka goditur infrastrukturën e energjisë së këtij qyteti, duke bërë që Odesa të mbetet pa energji dhe pa furnizime me ujë.

Po ashtu, infrastruktura e energjisë është goditur edhe në rajonin e Dnipropetrovskit dhe autoritetet thanë se ka gjasa që të ketë reduktime të rrymës në shkallë të gjerë. Në rajonin Sumi, autoritetet kanë ndërprerë rrymën vetë si masë parandaluese dhe po ashtu raportohet se mund të ketë edhe reduktime në Çernihiv në veri në rajonin perëndimor të Ternopilit.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se inxhinierët veçse kanë nisur punën për të riparuar linjat elektrike të goditura nga sulmet.

Më herët gjatë 5 dhjetorit, të paktën një shpërthim i fuqishëm ndodhi në bazën ajrore ruse në rajonin Saratov, rreth 600 kilometra në lindje të Ukrainës. Po ashtu është raportuar edhe për një shpërthim në një bazë ajrore në Riazan, në juglindje të Moskës.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë tha se sulmet u kryen nga dronët ukrainas. Por, autoritetet ukrainase ende nuk kanë komentuar për këto shpërthime.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG