Ndërlidhjet

E dobësuar ushtarakisht, Ukraina befason me sulmin e ri në Rusi


Një ushtar ukrainas kalon pranë një ndërtese të dëmtuar në Sudzha në rajonin Kursk të Rusisë.
Një ushtar ukrainas kalon pranë një ndërtese të dëmtuar në Sudzha në rajonin Kursk të Rusisë.

Që nga gushti, forcat ukrainase kanë pasur vështirësi për t’i mbajtur territoret që kanë marrë nën kontroll në rajonin Kursk të Rusisë.

Inkursioni tejkufitar i tyre, edhe pse me objektiva të paqarta taktike, i ka befasuar aleatët perëndimorë të Kievit, por edhe Kremlinin.

Tani, Kievi ka nisur një ofensivë të re në Kursk kundër forcave ruse - të mbështetura nga ushtarët koreano-veriorë - të cilat kanë rikthyer më shumë se gjysmën e territorit të kapur nga Ukraina.

Nuk është e qartë pse Ukraina po e zhvillon këtë sulm të ri në Kursk dhe pse pikërisht tani.

Ajo është duke u përballur me sfida në shumë zona përgjatë vijës së frontit.

Është, gjithashtu, më pak e armatosur se Rusia dhe ka probleme të mëdha në rekrutimin dhe mobilizimin e njerëzve për t’i plotësuar radhët e saj të dobësuara.

Atëherë, pse të harxhohen burimet e pakta për një ofensivë të re, ndoshta të pasuksesshme?

Sipas ekspertëve, qëllim mund të jetë ndryshimi i narrativit të luftës që po vazhdon prej gati tre vjetësh.

“Qendra e gravitetit të Ukrainës është mbështetja e SHBA-së. Çdo fitore që ajo arrin brenda territorit rus, do ta bëjë më të vështirë për administratën e re që ta quajë luftën një kauzë të humbur”, thotë John Nagl, profesor në Kolegjin Ushtarak të Ushtrisë amerikane.

Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë i është dhënë qasje ekskluzive për të xhiruar një prej njësiteve të dronëve me rreze të gjatë veprimi të Ukrainës:

Dronët që po i ndihmojnë Ukrainës të sulmojë thellë brenda Rusisë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:25 0:00

Rritja e moralit

Forcat ukrainase kanë arritur përfitime të kufizuara prej se kanë nisur sulmin e ri më 5 janar.

Ende mbetet e paqartë nëse bëhet fjalë për një operacion mashtrues - me qëllim tërheqjen e forcave ruse nga vende të ndryshme të frontit - apo për një kundërofensivë më të madhe.

Inkursioni i Kurskut nga Ukraina në gusht është parë si një përpjekje për t’i tërhequr forcat ruse nga lindja e Ukrainës dhe për ta ngadalësuar përparimin e tyre atje.

Por, strategjia e Kievit kryesisht ka dështuar, pasi Rusia u ka dhënë përparësi avancimeve në lindje të Ukrainës.

Moska ka marrë gjithashtu ndihmë nga Koreja e Veriut, e cila ka dërguar rreth 11.000 trupa në Kursk, për t’i mbështetur forcat ruse.

Trupat ruse kanë vazhduar të përparojnë në lindje të Ukrainës, duke marrë qytetin Vuhledar në tetor. Ato janë tani gati për ta marrë Pokrovskun, një qendër e rëndësishme logjistike në rajonin e Donjeckut.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka mbështetur sulmin në Kursk. Por, ekspertët ushtarakë kanë shprehur dyshime për këtë lëvizje.

“Avancimet ruse pranë Pokrovskut janë të rëndësishme nga pikëpamja ushtarake dhe kanë peshë politike; Kursku ka më pak rëndësi ushtarake”, thotë Nagl, ish-kolonel i Ushtrisë amerikane.

Megjithatë, fitorja në Kursk mund ta rrisë moralin e ukrainasve dhe ta ndryshojë narrativin e fushëbetejës në një moment kritik të luftës, kur pesimizmi mes ukrainasve është rritur.

Gjithashtu, do të ishte një goditje mbi imazhin e presidentit rus, Vladimir Putin, si një “njeri i fortë që mbron Rusinë”, thotë David Silbey, profesor i Studimeve Ushtarake në Universitetin Cornell.

Gjatë konferencës vjetore me publikun në dhjetor, Putin ka premtuar se do t’i largojë forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut, por nuk ka dhënë ndonjë afat kohor.

Silbey thotë se shanset e Ukrainës për sukses në Kursk, janë më të larta se në frontin e fortifikuar në lindje.

Rusia jo vetëm që ka shumicën e forcave të saj të vendosura në lindje të Ukrainës, por atje ka edhe linja të gjera mbrojtëse.

“Një ofensivë [në lindje të Ukrainës] do të ishte një luftë e ngadaltë, me mundësi të limituara për sukses dhe me viktima të shumta, dhe do të dobësonte mbrojtjen ukrainase në atë zonë. Njësitë ukrainase tashmë po dobësohen shumë në lindje të Ukrainës dhe nuk mendoj se Zelensky dëshiron ta përshpejtojë këtë”, thotë Silbey.

Ukraina ka vështirësi në rekrutimin e ushtarëve. Kjo ka bërë që të ketë edhe mungesa përgjatë vijës së frontit të gjatë 1.000 kilometra.

Ekspertët thonë se mungesa e luftëtarëve, jo e armëve, është tani problemi më i madh për forcat e armatosura të Ukrainës.

Silbey thotë se nuk pret që ofensiva e Ukrainës në Kursk të zgjasë shumë, marrë parasysh kufizimet në burimet njerëzore.

Pozicione për negociata

Ekspertët thonë se qëllim i ofensivës së re të Ukrainës në Kursk mund të jetë gjithashtu forcimi i pozicionit të Kievit në negociatat e ardhshme për paqe.

Operacioni i ri në Kursk ndodh vetëm dy javë para se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, ta marrë detyrën.

Trump është zotuar se do ta përfundojë shpejt luftën në Ukrainë.

Më herët, ai ka kërcënuar se do ta ndalojë ndihmën ushtarake prej miliarda dollarësh për vendin në luftë.

Në një konferencë për shtyp më 7 janar, Trump ka thënë se shpreson t’i japë fund luftës brenda gjashtë muajsh. Ai ka thënë se do të jetë vështirë të ndërmjetësohet një marrëveshje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, por ka shtuar se është i vendosur që ta zgjidhë këtë çështje.

Trump raportohet se po përpiqet ta ngrijë konfliktin përgjatë vijës aktuale të frontit, që do të thotë se çdo fitore nga cilado palë ndërkohë, do ta forconte pozicionin e saj në negociata.

“Këtë e shoh si hap të parë në negociatat e paqes, duke e vendosur Ukrainën në një pozicion sa më të fortë që të jetë e mundur dhe duke i dhënë asaj më shumë për të shkëmbyer me Rusinë në tryezën e negociatave”, përfundon Silbey.

Përgatiti: Erza Elezaj

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG