Ndërlidhjet

Rusia pretendon se e ka pushtuar një fshat ukrainas gjatë sulmit të mbrëmshëm


Kundërajrorët e Ukrainës e rrëzojnë një dron Shahed mbi Kiev, maj 2023.
Kundërajrorët e Ukrainës e rrëzojnë një dron Shahed mbi Kiev, maj 2023.

Rusia ka pretenduar se forcat e saj e kanë pushtuar fshatin Novoselvika Persha në lindje të Ukrainës.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisës tha të dielën se Moska “e ka çliruar vendbanimin” në rajonin e Donjeckut. Ky është fshati më i fundit në një varg fshatrash që Kremlini pretendon se i ka okupuar në javët e fundit.

Disa prej atyre fshatrave kanë shumë pak rrugë.

Donjecku është njëri prej katër rajonale lindore dhe jugore të Ukrainës që Rusia pretendon se i ka aneksuar më 2022, pak muaj pasi e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës.

Ndërkohë, Forcat e Armatosura të Ukrainës i rrëzuan pesë dronë gjatë një sulmi me dronë dhe raketa nga Rusia në disa rajone ukrainase mëngjesin e së dielës.

Komandanti i Forcave të Armatosura të Ukrainës, Mykola Oleshchuk shkroi në Facebook se pesë dronët e prodhimit iranian, Shahed, u rrëzuan në rajonet Herson, Dnipropetrovsk, Kirovohrad dhe Zaporizhja.

Dronët u lëshuan nga një bazë ajrore në rajonin Krasnodar të Rusisë.

Rusia shkrepi gjithashtu edhe dy raketa të telekomanduara, S-300, dhe dy raketa të telekomanduara, Kh-59, thanë zyrtarët ukrainas.

Në anën tjetër, guvernatori i rajonit Belgorod në perëndim të Rusisë, Vyacheslav Gladkov, tha se një grua e moshuar u vra si pasojë e sulmeve ukrainase me dronë në qytetin Shebekino.

Në shënjestër të sulmeve ukrainase ishin edhe fshatrat Saltykovo dhe Petrovka, sipas Gladkovit, i cili shtoi se një veturë dhe një autobus u dëmtuan, por askush nuk u lëndua.

Radio Evropa e Lirë nuk është në gjendje t’i verifikojë raportimet për luftimet brenda Rusisë.

Në Ukrainë, guvernatori i Hersonit, Oleksandr Prokudin, tha të dielën se 15 njerëz, përfshirë fëmijë, u plagosën nga bombardimet ruse një ditë më herët.

Me gjithë dëshmitë e mëdha, Rusia vazhdon ta mohojë se nuk i sulmon civilët në luftë kundër Ukrainës.

Misioni Vëzhgues i Kombeve të Bashkuara ka thënë se së paku 11.284 civilë ukrainas janë vrarë nga lufta prej se Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022, duke theksuar se numri i vërtetë ka gjasa të jetë shumë më i lartë.

Ndërkohë, autoritetet në Rusi kanë filluar të dërgojë mesazhe telefonike për t’i nxitur qytetarët të regjistrohen në Ministrinë e Mbrojtjes të Rusisë dhe “menjëherë” t’i fitojnë 9.400 dollarë pas nënshkrimit të kontratës për t’iu bashkuar ushtrisë.

Mediat ruse raportuan për herë të parë në qershor për planin e Ministrisë ruse për të rekrutuar ushtarë përmes mesazheve telefonike.

Përveç shumës së fituar për nënshkrimin e kontratës, guvernatorët rajonalë kanë autoritet t’i paguajnë ushtarët nga rajonet e tyre të holla shtesë për ta ruajtur garën për rekrutim. Raportohet se pagesat shtesë fillojnë nga 13.200 dollarë në Komi deri në 20.000 dollarë në Leningrad.

Rusia po përpiqet t’i joshë qytetarët t’i bashkohen ushtrisë për ta rritur numrin e trupave në luftën e saj kundër Ukrainës, pa shpallur formalisht mobilizim, sepse një gjë e tillë do të mundë të shkaktonte pakënaqësi.

Në prag të zgjedhjeve presidenciale në dhjetor 2023, presidenti rus Vladimir Putin premtoi se nuk do të kishte njoftime për thirrje të reja në ushtri, meqë në vijat e frontit ndodheshin “gjysmë milion” ushtarë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG