Ndërlidhjet

Zelensky do t’ua prezantojë aleatëve “planin e fitores”


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan, Joe Biden, më 26 shtator 2024.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë me presidentin amerikan, Joe Biden, më 26 shtator 2024.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, do të prezantojë “planin e fitores” të Kievit, gjatë takimit të radhës me aleatët perëndimorë, që do të mbahet në Gjermani.

“Ne do të prezantojmë planin e fitores, hapa të qartë dhe specifikë për përfundimin e drejtë të luftës”, shkroi Zelensky në rrjetet sociale më 5 tetor, duke iu referuar pushtimit të Ukrainës që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.

Takimi i 25-të i mbi 50 aleatëve dhe partnerëve, që njihet si Grupi i Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, do të mbahet në bazën ajrore Ramshtajn në Gjermani më 12 tetor.

Duke iu referuar strategjisë si “paqe përmes forcës”, Zelensky tha se “plani i fitores parasheh forcimin e nevojshëm të Ukrainës”.

Presidenti ukrainas tha se Kievi veçse ka nisur diskutimet me Shtetet e Bashkuara, mbështetësin kryesor të Ukrainës gjatë luftës, dhe shtoi se “ne do të përfshijmë të gjithë partnerët”.

Zelensky nisi të përmendte “planin për paqe” të Ukrainës në gusht dhe më pas njoftoi se ai ishte pothuajse gati dhe përmbante “katër pika kyçe dhe një që duhet të zbatohet pas luftës”.

Gjatë vizitës në Uashington muajin e kaluar, ai ia prezantoi planin presidentit amerikan, Joe Biden, si dhe dy kandidatëve për zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit: nënpresidentes demokrate, Kamala Harris, dhe ish-presidentit republikan, Donald Trump.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha atëbotë se plani përmbante “një numër hapash produktivë”.

Shumë pak dihet për planin. The Wall Street Journal, duke cituar zyrtarë anonimë amerikanë ka raportuar se ata kanë thënë se plani në thelb është një kërkesë e ripërtërirë për më shumë armë dhe kërkesa që shtetet që i kanë dhuruar Kievit armë me rreze të gjatë, ta lejojnë Ukrainën që t’i përdorë ato për të sulmuar thellë brenda territorit rus.

Gjatë takimit të aleatëve të Ukrainës në Gjermani, Zelensky pritet të takohet me Bidenin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG