Ndërlidhjet

Ukraina raporton për përparime në kundërofensivë


Një banor shihet pranë një tregu rruge të shkatërruar nga sulmet ushtarake, në Saltivka, një nga zonat e banimit më të dëmtuara në Harkiv.
Një banor shihet pranë një tregu rruge të shkatërruar nga sulmet ushtarake, në Saltivka, një nga zonat e banimit më të dëmtuara në Harkiv.

Ushtria ukrainase tha se forcat mercenare që luftojnë për Rusinë, po pësojnë humbje të mëdha në njerëz, teksa beteja të ashpra po zhvillohen në verilindje të shtetit përreth Harkivit.

Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura tha më 7 shtator se “humbjet e mëdha” të këtyre ushtarëve privatë “përbëjnë mbi 40 për qind të ushtarëve të plagosur rëndë apo të vrarë”.

Pushtimi rus i Ukrainës

REL ju sjell informacionet kryesore mbi pushtimin rus të Ukrainës, përfshirë analiza, video dhe fotogaleri.

Ndërkaq, burimet ukrainase nuk ofruan detaje, por sugjeruan se kundërofensiva ukrainase, që nisi javën e kaluar, po vazhdon dhe Kievi “ka shënuar disa suksese”.

Gjatë një fjalimi në një forum ekonomik në Vladivostok, presidenti rus, Vladimir Putin, duke arsyetuar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës, tha se ai ishte i nevojshëm.

Rusia e cilëson “operacion të posaçëm ushtarak” luftën në Ukrainë.

“Mund të them se përftimi kryesor ka qenë forcimi i sovranitetit tonë dhe ky është një rezultat i pagabueshëm i asaj që po ndodh tani”, tha lideri rus, duke shtuar se “ne nuk kemi humbur asgjë dhe nuk do të humbim asgjë”.

Putin tha se Rusia nuk ka nisur asnjë operacion ushtarak, por “ne po tentojmë që t’i japim fund asaj që u nis më 2014”.

Më 2014, forcat ruse pushtuan Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe separatistët e mbështetur nga Rusia nisën një rebelim në lindje të Ukrainës.

Nuk ka qenë e mundur që të konfirmohen këto pretendime për përparim në fushëbetejë të Ukrainës, teksa pushtimi rus i nisur në fund të shkurtit, ende po vazhdon.

Por, ushtria ukrainase tha se pala ruse “po vazhdon të përqendrojë përpjekjet e saj” në marrjen e kontrollit të plotë në territorin lindor të Donjeckut dhe po tenton të mbajë kontrollin e Harkivit.

Po ashtu, sipas Kievit, Moska po tenton që të mbajë kontrollin edhe të zonave të pushtuara në jug, përfshirë edhe centralin e Zaporizhjës dhe në Mikolajiv.

Po ashtu, ushtria ukrainase tha se ushtarët po luftojnë në Herson, ku Kievi nisi një kundërofensivë të madhe javën e kaluar.

Shtabi i Përgjithshëm pretendoi më 7 shtator se po vazhdon të kryejë sulme ajrore kundër depove të municioneve ruse dhe ndaj zonave ku Moska ka vendosur pajisje ushtarake.

Një zyrtar i lartë i separatistëve pro-rusë tha se forcat ukrainase kanë sulmuar qytetin Balaklia në lindje dhe në veri po kryejnë sulme midis qytetit të Harkivit dhe Izijumit.

Guvernatori ukrainas në rajonin e Luhanskut, Sehir Gaidai, tha se “kundërofensiva po vazhdon”, duke shtuar se “forcat tona po korrin disa suksese. Kaq mund të them”.
Teksa kundërofensiva ukrainase po vazhdon, Ukraina sërish ka akuzuar palën ruse për sulme me mortaja dhe artileri pranë centralit të Zaporizhjas.

Luftimet në këtë central – që është më i madhi në Evropë – kanë rritur shqetësimet ndërkombëtare për një fatkeqësi të mundshme bërthamore.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG