Ndërlidhjet

Rusia bombardon Odesën: Vritet një person, plagosen 22, dëmtohet katedralja


Një person është vrarë dhe 22 të tjerë janë plagosur, përfshirë katër fëmijë, nga një sulm i fundit rus me raketa në qytetin-port ukrainas të Odesës, kanë njoftuar zyrtarët ukrainas, më 23 korrik.

Një katedrale ortodokse është dëmtuar rëndë nga sulmi ushtarak rus i natës, ka thënë Oleh Kiper, guvernator i rajonit jugor të Odesës në Ukrainë, përmes një njoftimi në platformën Telegram.

“Odesa: një tjetër sulm nate nga përbindëshat”, ka shkruar Kiper.

Një banor vendës duke qëndruar para një ndërtese të dëmtuar nga një sulm rus me raketë në Odesë, më 23 korrik 2023.
Një banor vendës duke qëndruar para një ndërtese të dëmtuar nga një sulm rus me raketë në Odesë, më 23 korrik 2023.

Ushtria e Rusisë ka kryer sulme ndaj Odesës dhe qendrave tjera ukrainase të eksportimit të ushqimit gjatë javës së kaluar, pasi Kremlini është tërhequr nga një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për një korridor detar, që lejonte kalimin e sigurt të anijeve transportuese me drithëra ukrainase. Kievi e ka akuzuar Moskën për shënjimin e rezervave të drithërave dhe të infrastrukturës vitale për marrëveshjen.

“Raketa kundër qyteteve paqësore, kundër ndërtesave të banimit, kundër një katedraleje... Nuk mund të ketë arsyetim për ligësinë ruse. Si gjithmonë, kjo ligësi do të humbë. Dhe, padyshim se do të ketë hakmarrje ndaj terroristëve rusë për Odesën. Ata do ta ndiejnë këtë hakmarrje”, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një shkrim në rrjetin social Twitter, pas sulmit ushtarak rus ndaj Odesës.

Sulmi i fundit ndodhi vetëm disa orë para një takimi të planifikuar ndërmjet presidentit rus, Vladimir Putin, dhe udhëheqësit bjellorus, Alyaksandr Lukashenka, i cili arriti në Shën Petersburg natën e 22 korrikut.

Administrata ushtarake e Odesës ka thënë se katedralja Spaso-Preobrazhensky e Kishës Ortodokse Ukrainase, e lidhur me Moskën, është dëmtuar dukshëm. “Ikona e Kasperovit e Nënës së Zotit, mbrojtëse e Odesës, është nxjerrë përfund rrënojave”, ka thënë administrata në kanalin e saj në Telegram.

Katedralja Spaso-Preobrazhensky, apo Katedralja e Shpërfytyrimit, është kisha më e madhe ortodokse e Odesës, dhe është shenjtëruar më 1809. Ajo ishte shkatërruar nga autoritetet sovjetike më 1939, por është rindërtuar më 2003.

Pasojat e sulmit rus në katedralen e Odesës.
Pasojat e sulmit rus në katedralen e Odesës.

Në një video të publikuar në mediat sociale, kryetari i qytetit, Hennady Trukhanov shihet duke ecur mes rrënojave brenda kishës.

Një tjetër video ka shfaqur një burrë duke ecur brenda katedrales, duke përsëritur: “S’ka më kishë... Zot ki mëshirë”.

Fotografi dhe video të tjera kanë shfaqur pjesë të shkatërruara të ndërtesës dhe rrënoja brenda saj, me disa ikona nëpër tokë.

Banorë vendës duke ecur mes rrënojave pranë një ndërtese banimi të dëmtuar nga raketat ruse, në Odesë, më 23 korrik 2023.
Banorë vendës duke ecur mes rrënojave pranë një ndërtese banimi të dëmtuar nga raketat ruse, në Odesë, më 23 korrik 2023.

Komanda Operative Jugore e Ukrainës ka thënë se Odesa është goditur nga të paktën pesë lloje raketash, përfshirë raketa Onyx me precizitet të lartë, raketa lundruese det-breg Kalibr, dhe raketa balistike Iskander.

Administrata ushtarake e qytetit ka thënë se sistemet e mbrojtjes ajrore kanë shkatërruar “një pjesë të konsiderueshme” të tyre.

Andriy Yermak, shef i stafit të Zelenskyt, ka përsëritur thirrjet për më shumë raketa dhe më shumë sisteme të mbrojtjes.

“Armikut duhet t’i hiqet aftësia për t’i goditur civilët dhe infrastrukturën. Më shumë sisteme të mbrojtjes antiraketore, si dhe ATACMS – kjo do ta ndihmojë Ukrainën”, ka shkruar Yermak në Telegram, duke iu referuar raketave taktike me rreze të gjatë veprimi, të cilat Kievi dëshiron që t’ia japë Uashingtoni.

Odesa është bombarduar disa herë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, ndërsa agjencia kulturore e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNESCO, në janar e përcaktoi qendrën historike të qytetit si Trashëgimi Botërore në Rrezik.

Në Shën Petersburg, Lukashenka dhe Putin pritet të diskutojnë për “partneritetin dhe aleancën strategjike” ndërmjet vendeve të tyre, ka njoftuar Kremlini.

Takimi do të zhvillohet dy ditë pasi Moska paralajmëroi se çfarëdo agresioni kundër aleates, Bjellorusisë, do të konsiderohej sulm ndaj Rusisë.

Pasi Polonia vendosi më herët këtë javë që t’i çonte njësitet ushtarake më afër kufirit të saj me Bjellorusinë, pas arritjes në Bjellorusi të forcave nga grupi mercenar rus Wagner, Putin tha se Moska do t’i përdorte të gjitha mjetet që ka për të reaguar ndaj çfarëdo armiqësie karshi Minskut.

Përderisa nuk ka dërguar trupa bjelloruse në Ukrainë, Lukashenka e ka lejuar Moskën ta përdorë territorin e Bjellorusisë për të nisur pushtimin e plotë të Ukrainës, në shkurtin e vitit 2022, dhe që atëherë është takuar shpesh me Putinin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG