Ndërlidhjet

Ushtria ukrainase thotë se po vazhdon rezistencën në Bahmut


Luftimet në qytetin ukrainas të Bahmutit. Prill, 2023.
Luftimet në qytetin ukrainas të Bahmutit. Prill, 2023.

Mbrojtësit ukrainas po vazhdojnë të rezistojnë ndaj një vale të re të sulmeve ruse në qytetin lindor të Bahmutit, pavarësisht se Rusia ka pretenduar se ka avancuar në këtë qytet, tha ushtria ukrainase më 10 maj.

Njoftimet për luftime të ashpra në Bahmut vijnë në kohën kur Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar për ndihmë të re ushtarake për Kievin dhe Bashkimi Evropian pritet që të diskutojë për paketën e re të sanksioneve, për shkak të luftës që Moska ka nisur ndaj Ukrainës.

Forcat ruse kanë kryer 46 sulme ndaj pozicioneve ukrainase në vijën e frontit Bahmut-Avdijivka-Marjinka në rajonin lindor të Donjeckut, ku Moska ka përqendruar përpjekjet kryesore të luftës, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase.

Përveç granatimeve të vazhdueshme, forcat ruse po ashtu kanë përdorur avionë për të sulmuar pozicionet ukrainase në Avdijivka, tha ushtria.

Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit rus të mercenarëve, Wagner, pretendoi se forcat e tij po bëjnë përparim në Bahmut.

Por, në orët e vona të 9 majit ai akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë se ka dështuar të furnizojë luftëtarët e tij me municion të mjaftueshëm dhe akuzoi trupat ruse se po ikin nga luftimet përreth Bahmutit. Këto deklarata ishin të fundit në serinë e pakënaqësive që ai ka shprehur publikisht për zyrtarët ushtarakë rusë.

Ai ia ka lënë fajin mungesës së municioneve për paaftësinë e grupit të tij që të marrë kontrollin e Bahmutit dhe vetëm disa ditë më parë ka kërcënuar se do të tërheqë trupat nga qyteti, por më vonë ka thënë se forcat e tij kishin filluar të pranonin municione.

Më 10 maj, guvernatori i rajonit rus, Kursk, që gjendet në kufi me Ukrainën, tha se një “dron i armikut” është rrëzuar.

Roman Starovoit pretendoi se droni u rrëzua në afërsi të Kurskut, dhe copëzat e fluturakes ranë në fshatin Tolmaçovo, duke shkaktuar disa dëme materiale.

Pretendimet e tij nuk kanë mundur të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Në Bruksel, të dërguarit e BE-së ndërkaq do të nisin debatin më 10 maj për paketën e re të propozuar të sanksioneve – të njëmbëdhjetën me radhë – lidhur me luftën e Rusisë kundër Ukrainës. Pakoja e re e sanksioneve shënjestron edhe kompanitë kineze dhe iraniane që mbështetin Rusinë.

Bisedimet pritet të jenë të vështira, sipas burimeve diplomatike të cituara nga Reuters, dhe nuk pritet që të arrihet menjëherë marrëveshje.

Ndërkaq, SHBA-ja më 9 maj njoftoi për paketën e re të ndihmës ushtarake në vlerë prej 1.2 miliard dollarësh për Ukrainën. Në paketën e re përfshihen municione për të forcuar mbrojtjen ajrore dhe municione shtesë për artilerinë, njoftoi Departamenti amerikan i Mbrojtjes.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG