Ndërlidhjet

Ukraina u kërkon qytetarëve të saj të largohen nga Rusia


Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy

Ukraina po u kërkon qytetarëve të saj që të shmangin udhëtimet në Rusi dhe që ata që janë atje të largohen menjëherë, duke përmendur një ndërprerje të mundshme të shërbimeve konsullore përballë tensioneve në rritje me Rusinë.

“Për shkak të përshkallëzimit të agresionit rus kundër Ukrainës, i cili mund të çojë në një reduktim të konsiderueshëm të asistencës së mundshme konsullore në Rusi, Ministria e Jashtme u bën thirrje qytetarëve të Ukrainës që të përmbahen nga udhëtimi në Rusi dhe që ata në atë vend të largohen menjëherë nga territori i saj”, tha ministria në një deklaratë më 23 shkurt.

Sipas shifrave të regjistrimit rus, rreth 1.9 milionë ukrainas jetojnë në Rusi që nga viti 2010, me shumë familje të përziera të ukrainasve dhe rusëve.

Ukraina po përballet me atë që Perëndimi thotë se është kërcënimi i një pushtimi të afërt në shkallë të plotë nga Rusia.

Presidenti rus Vladimir Putin këtë javë njohu pavarësinë e dy rajoneve separatiste në Ukrainën lindore dhe tha se do të dërgonte trupa ruse në këto territore, lëvizje të dënuara nga Perëndimi dhe Kombet e Bashkuara.

Ndërkohë, Ukraina ka deklaruar se po thërret rezervistët ushtarakë të moshës 18-60 vjeç për një vit shërbimi, por se nuk po urdhëron një mobilizim të përgjithshëm të trupave në këtë kohë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG