Ndërlidhjet

Ukraina i fton OKB-në dhe Kryqin e Kuq Ndërkombëtar në Kursk të Rusisë


Një ushtar ukrainas patrullon në një zonë të kontrolluar nga ushtria ukrainase në qytezën Sudzha, në rajonin e Kurskut, Risi, 16 gusht 2024.
Një ushtar ukrainas patrullon në një zonë të kontrolluar nga ushtria ukrainase në qytezën Sudzha, në rajonin e Kurskut, Risi, 16 gusht 2024.

Ukraina tha të hënën se i ka kërkuar Kombeve të Bashkuara dhe Komisionit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) t’u bashkohen përpjekjeve humanitare në rajonin Kursk të Rusisë, në të cilin forcat ukrainase e kryen një inkursion në gusht.

Ushtria ukrainase tani ka nën kontroll rreth 100 vendbanime në rajonin e Kurskit një muaj pasi e nisi inkursionin befasues, sipas presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat ruse i kanë rimarrë nën kontroll edhe dy fshatra të tjera në këtë rajon.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andriy Sybiha, tha se e udhëzoi të dielën Ministrinë e vet t’i ftojë OKB-në dhe ICRC-në të punojnë në rajonin e Kurskut.

“Ukraina është e gatshme ta lehtësojë punën e tyre dhe të sillet në përputhje me ligjin ndërkombëtar humanitar”, tha Sybiha në X gjatë një vizite në Sumi, nga ku forcat ukrainase e nisën sulmin matanë kufirit.

Ai tha se ushtria ukrainase po garanton ndihmë humanitare dhe kalim të sigurt për civilët në rajonin e Kurskut.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se ftesat u janë dërguar OKB-së dhe ICRC-së “duke marrë parasysh gjendjen humanitare dhe nevojën për të siguruar të drejta themelore njerëzore në territorin e rajonit të Kurskut”.

Ajo tha se i ka kërkuar ICRC-së të vëzhgojë nëse Ukraina po vepron në përputhje me parimet e ligjit ndërkombëtar humanitar.

Nuk është e qartë nëse OKB-ja dhe ICRC-ja janë përgjigjur.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, e citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, duke thënë se deklarata të tilla janë “provokuese”.

Ai e bëri të qartë se Moska, e cila e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës më 2022, pret që OKB-ja dhe ICRC-ja të mos i pranojnë ftesat.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG