Ndërlidhjet

Këngëtaret ukrainase në Eurovision me mision për rindërtimin e një shkolle


Dyshja ukrainase, Alyona Alyona dhe Jerry Heil, duke kënduar këngën Teresa & Maria në gjysmëfinalen e edicionit të 68-të të Eurovision-it. Malmo, 7 maj 2024.
Dyshja ukrainase, Alyona Alyona dhe Jerry Heil, duke kënduar këngën Teresa & Maria në gjysmëfinalen e edicionit të 68-të të Eurovision-it. Malmo, 7 maj 2024.

Në përpjekjet e tyre për të sjellë fitoren e dytë në Eurovision në tre vjetët e fundit, këngëtaret dhe tekstshkrueset, Alyona Alyona dhe Jerry Heil, do të performojnë këngën e tyre për forcimin e grave. Ata po ashtu ata kanë një mision që vë këtë mesazh në sprovë: mbledhjen e mbi 250.000 dollarëve për të rindërtuar një shkollë në jug të Ukrainës, të dëmtuar nga sulmet ruse.

“Ne duam ta rindërtojmë sepse ne vërtetë besojmë se duke rindërtuar të shkuarën, ne mund të ndërtojmë të ardhmen për fëmijët ukrainas, të cilët do të rindërtojnë shtetin pas kësaj” lufte, tha Heil gjatë konferencës për media në Eurovision.

Festivali i Këngës, Eurovision, një ngjarje e përvitshme me një audiencë prej mbi 150 milionë po mbahet në Malo, pasi Suedia fitoi më 2023. Finalja mbahet më 11 maj.

Sipas të dhënave zyrtare, më shumë se 3.500 institucione arsimore në Ukrainë janë dëmtuar dhe pothuajse 400 janë shkatërruar që kur Rusia nisi pushtimin e shtetit fqinj në shkurt të vitit 2022.

E dëmtuar nga raketat dhe granatat ruse, shkolla e cila do të përfitojë nga këngëtaret, ku mësojnë afër 250 nxënës në fshatin Veljka Kostromka, në rajonin e Dnipropetrovskit, është mbyllur për nxënësit që nga marsi i vitit 2022.

Nisma e Qeverisë ukrainase për mbledhjen e fondeve, e quajtur United24, ka vendosur si qëllim që të mbledhë 253.000 dollarë për rindërtimin e shkollës ë Veljka Konstromka, përfshirë mbi 151.000 dollarë gjatë Eurovision-it. Fondet për projektin e rindërtimit, që vlerësohet se do të kushtojë 1.8 milion dollarë, do të shkojnë në Ministrinë e Arsimit.

Performueset ukrainase duke u nisur nga Kievi për në Suedi për të marrë pjesë në Eurovision. 25 prill 2024.
Performueset ukrainase duke u nisur nga Kievi për në Suedi për të marrë pjesë në Eurovision. 25 prill 2024.

Deri më 29 prill, Alyona Alyona dhe Jerry Heil kanë mbledhur 101.000 dollarë për shkollën në Veljka Kostromka. Ato shpresojnë që të mbledhin shumën e mbetur deri më 25 maj, fiks një muaj pas nisjes së mbledhjes së fondeve nga to, thanë këngëtaret për Shërbimin Ukrainas të Radios Evropa e Lirë.

Alyona Alyona, 32 vjeçe, një prej repereve më të famshme në Ukrainë e njohur për tekstet goditëse, ka një motiv personal për mbledhjen e fondeve.

E lindur me emrin Alyona Savranenko, ajo për katër vjet punoi si drejtoreshë e një çerdheje dhe mësuese në një fshat të rajonit të Kievit, para se një video amatore me një këngë e zhanrit rep – e quajtur Rybki ose Peshqit e Vegjël – të bëhej virale më 2018, duke e shtyrë atë në botën e muzikës.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, ajo nisi të bashkëpunonte me Jerry Heil, 28 vjeçe, një yll në platformat Spotify dhe YouTube, dhe ish-studente e muzikës në Kiev, e cila vitin e kaluar doli në vendin e tretë në Eurovision.

Kënga e tyre, që performohet në gjuhën angleze dhe ukrainase, quhet Teresa & Maria, që është referencë për Nënën Terezë dhe Virgjëreshën Maria. Teksti i këngës vë në pah fuqinë e gruas që triumfon ndaj vështirësive.

“Pa marrë parasysh të gjithave, bota është në supet e saj”, thotë teksti i këngës.

Performueset ukrainase po mbledhin fonde për rindërtimin e një shkolle në rajonin e Dnipropetrovskit, që u dëmtua si pasojë e sulmeve ruse.
Performueset ukrainase po mbledhin fonde për rindërtimin e një shkolle në rajonin e Dnipropetrovskit, që u dëmtua si pasojë e sulmeve ruse.

Në finale, kjo dyshe do të garojë kundër 19 shteteve të tjera që zgjidhen nga shikuesit, por edhe ndaj gjashtë finalistëve që “para-kualifikohen” nga Franca, Gjermania, Italia, Spanja, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar – shtete që transmetuesit e tyre “japin kontributin më të madh financiar” për Eurovision-in, festival që organizohet nga Unioni i Transmetuesve Evropianë.

Ukraina është shteti i vetëm që në shekullin 21 e ka fituar tri herë Eurovision-in: më 2004, 2016 dhe 2022.

Alyona Alyona tha se së bashku me Heil zgjodhën që gjatë pjesëmarrjes së këtij viti në festival të mbështesnin shkollën sepse shumica e evropianëve “nuk mund ta imagjinojnë se si është... të shpërndash fëmijët e një klase nëpër botë, t’ua marrësh fëmijërinë”.

Jerry Heil tha se gjatë bisedës me mësuesit e Veljka Kostromka, që iu treguan dëmet që ka pësuar shkolla, mësuesit u thanë se gjithë kjo ngjarje i ka prekur mendërisht “dhe ua ka shkatërruar jetën”.

Megjithatë, mësuesit vazhdojnë të mos dorëzohen.

Sulmet në Veljka Kostomka, fshat me rreth 2.785 banorë, nisën në fillim të marsit të vitit 2022, teksa forcat ruse po avanconin dhe po pushtonin pjesë të rajonit të Hersonit që gjendet vetëm disa kilometra larg nga ky fshat.

Mësuesit duke pastruar shkollën pas sulmeve ruse.
Mësuesit duke pastruar shkollën pas sulmeve ruse.

Në muajt në vijim, disa nga 250 nxënësit e shkollës u evakuuan, por shumica e stafit qëndroi. Mësimet kaluan online.

Tetyana Mahda
Tetyana Mahda

Megjithatë, rreziku vazhdoi të mbetej. Më 8 korrik 2022, taket ruse nisën të sulmonin shkollën, kujton Tetyana Mahda, 53 vjeçe, mësuese që ka punuar në këtë shkollë për më shumë se 15 vjet.

Së bashku me disa anëtarë të tjerë të stafit, Mahda u strehua në bodrumin e shkollës. Me muret dhe tavanin e bodrumit që dridhej, ajo tha se kishte dëgjuar 16 shpërthime gjatë një periudhe prej pothuajse dy orësh.

“Kur dolën, pamë oborrin, pemët, gjithçka të shkatërruar, telat elektrike që ishin lëvarur”, kujton Mahda. “Ndërtesa... ata goditën katin e dytë. Dy klasë u shkatërruan. Ishte krijuar një vrimë. Por, ndërtesa nuk u shemb”.

Një raketë që ra rreth 100 metra larg nga shkolla theu të gjitha dritaret e klasave dhe dëmtoi bufenë dhe një depo. Një tjetër raketë më vonë goditi një park të vogël të shkollës që gjendet vetëm 30 metra nga ndërtesa e shkollës, duke shkaktuar dëme të tjera.

Sulmet me artileri të rëndë dhe me raketa vazhduan deri në mesin e tetorit të vitit 2022, kur trupat ruse u larguan nga fshati gjatë kundërofensivës së madhe ukrainase, tha drejtoresha e shkollës, Olha Dashko. Megjithatë, gjatë largimit, trupat ruse qëlluan me raketa shkollën në natën midis 10 dhe 11 tetorit, duke goditur krahun e majtë të shkollës, që e lidh me palestrën.

Edhe pse mësuesit “kanë jetuar me shpresë gjatë gjithë kohës” se shkolla do të rindërtohet pasi ekspertët teknikë tha se kjo është e mundur, Dashko ka dyshime se paratë do të mblidheshin nëse iniciativës nuk do t’i bëhej reklamë nga pjesëmarrja në Eurovision e Alyona Alyona dhe Jerry Heil.

“Kurrë se kemi menduar se do të jemi në qendër të vëmendjes, jo vetëm të të gjithë Ukrainës, por edhe të botës, nuk e kemi menduar se do të kishte kaq shumë publicitet”, tha Dashko.

Dyqind donatorët më të mëdhenj do të marrin kopje miniaturë të një çelësi gjigant që ndërtuesit ja dhanë shkollës kur ajo u hap më 1977.

Alyona Alyona me një dhuratë që ia kanë dhuruar nxënësit e shkollës.
Alyona Alyona me një dhuratë që ia kanë dhuruar nxënësit e shkollës.

Duke festuar kalimin e tyre në finalen e Eurovision-it, performueset valëvitën kopje të atij çelësi për të simbolizuar ndërtimin e shkollës. Gjatë ceremonisë hapëse të Eurovision-it më 5 maj, në veshjet e tyre kishin vendosur edhe çelësa.

Nxënësit e shkollës në Veljka Kostromka kanë vizatuar 60 piktura të shkollës për këngëtaret që t’i marrin me vete në Eurovision.

“Ne vërtetë besojmë se çështja e rindërtimit do të prekë të gjitha shtetet” në Eurovision, tha Alyona Alyona, para performancës në gjysmëfinale të dyshes ukrainase. “Disa nga ta janë apolitikë. Por, dhurimi i parave për rindërtim është një gjë e mirë”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG