Ndërlidhjet

Koalicioni "Forumi Shqiptar" fiton zgjedhjet në Tuz


Zgjedhjet lokale në Tuz të Malit të Zi. 5 Mars 2023.
Zgjedhjet lokale në Tuz të Malit të Zi. 5 Mars 2023.

Koalicioni “Forumi Shqiptar - Bashkim dhe Zhvillim”, i drejtuar nga Nik Gjeloshaj, ka fituar shumicën absolute në zgjedhjet në Tuz - komunë e banuar me shumicë shqiptare në afërsi të Podgoricës – të cilat u mbajtën me 5 mars. Ky koalicion ka marrë rreth 52 për qind të votave, sipas të dhënave preliminare.

Në këtë koalicion, veç partisë së Gjeloshit - Alternativa Shqiptare (AA) – bëjnë pjesë edhe partitë tjera shqiptare: Aleanca Demokratike e Shqiptarëve (DSH), Unioni Kombëtar Shqiptar (UKSH) dhe Aleanca Demokratike e Malit të Zi (DSCG).

Koalicioni “Rrugës së drejtë” - Partia Demokratike e Socialistëve (DPS), Unioni Demokratik i Shqiptarëve (UDSH), Partia Boshnjake (BS) dhe Social Demokratët (SD), fitoi 33 për qind të votave.

Në garë ishin edhe dy koalicione të tjera, sikurse koalicioni shqiptar “Bashkë” - Partia Demokratike (PD) dhe Forca, dhe koalicioni “Me gjithë zemër për Tuzin” - Partia Socialdemokrate (SDP) dhe Lëvizja për Tuzin. Si dhe, tri subjekte politike: “Më të fortë jemi së bashku” - Demokratët, “Për Tuzin me nderë” - Partia Popullore Socialiste (SNP) dhe “Për gjeneratat e ardhshme” - Partia për Drejtësi dhe Pajtim (SPP).

Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin 12.387 votues, ku 66.5 për qind nga ta morën pjesë në votime.

Dita e zgjedhjeve ishte e qetë, me parregullsi të vogla që nuk mund të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.

Tuzi është në qendër të Malsisë, që gjendet mes Malit të Zi dhe Shqipëri.

Statusin si komunë e pavarur , Tuzi e rifitoi në shtator të vitit 2018, duke u ndarë nga kryeqyteti i Malit të Zi.

Dekada më parë, Tuzi ishte pjesë administrative e Podgoricës dhe më pas një prej komunave të kryeqytetit.

Në zgjedhjet e para të mbajtura më 2019, Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviq fitoi pushtetin në Tuz.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG