Ministri i Jashtëm i Suedisë, Tobias Billstrom, tha të enjten se do të shkojë në Ankara për të shtyrë përpara ofertën e pranimit të vendit të tij në NATO.
Ai nuk dha datën e saktë të këtij udhëtimi, por tha se kjo do të ndodhë "së shpejti".
"Unë së shpejti do të shkoj në Ankara, këtë vjeshtë, për t'i vazhduar diskutimet me homologët e mi atje", tha Billstrom.
“Suedia po punon me zell drejt një hyrjeje të shpejtë dhe pa probleme në NATO”, tha ai në një konferencë për media, më 10 nëntor, në Berlin, pas takimit me ministrin e Jashtëm gjerman.
Pasi Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës, Suedia dhe Finlanda i dhanë fund politikës së tyre të kahershme të neutralitetit dhe aplikuan për anëtarësim në aleancën ushtarake.
Por, Turqia e ka penguar ratifikimin e kërkesës së tyre, duke i akuzuar se po strehojnë militantë të jashtëligjshëm kurdë.
Kryeministri i ri suedez, Ulf Kristersson, vizitoi Ankaranë më 8 nëntor dhe takoi presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan, për ta bindur që të heqë dorë nga kundërshtimet e tij.
Pas takimit, Erdogan tha se një takim tjetër i përbashkët do të organizohej në Stokholm më vonë këtë muaj, pa specifikuar datën.
Udhëtimi i kryeministrit Kristersson në Ankara tregoi se ka "ende shumë vend për dialog", tha Billstrom.
"Unë mendoj se diskutimet po vazhdojnë në mënyrë shumë pozitive", tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vizitoi Ankaranë javën e kaluar për ta shtyrë përpara kërkesën e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim.