Ndërlidhjet

Putin: I gatshëm për bisedime me Ukrainën nëse pranon realitetet e reja territoriale


Takimi midis presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në Uzbekistan më 16 shtator 2022.
Takimi midis presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, në Uzbekistan më 16 shtator 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, i tha homologut turk, Recep Tayyip Erdogan, se është i hapur për dialog me Ukrainën nëse Kievi pranon se territoret e pushtuara nga Moska janë territore ruse, tha Kremlini më 5 janar.

“Putin edhe një herë konfirmoi gatishmërinë për dialog serioz, me kusht që autoritetet e Kievit të përmbushin kërkesat e paraqitura tashmë dhe që janë të njohura”, tha Kremlini përmes një deklarate.

Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt dhe ka pushtuar disa pjesë në lindje dhe jug të shtetit.

Kremlini pretendon se ka aneksuar rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Zaporizhjës dhe Hersonit, pavarësisht se nuk i kontrollon plotësisht këto rajone.

“Pala ruse theksoi rolin shkatërrues të shteteve perëndimore, që po furnizojnë me armë dhe pajisje ushtarake regjimin e Kievit, dhe po i ofrojnë informacione operacionale”, u tha në njoftim.

Ndërkaq, sipas njoftimit të Ankarasë, Erdogan i ka kërkuar Putinit që të shpallë armëpushim “të njëanshëm” në Ukrainë.

“Presidenti Erdogan tha se thirrjet për paqe dhe negociata duhet të mbështeten nga një armëpushim i njëanshëm dhe një vizion për zgjidhje të drejt”, tha zyra e Erdoganit, pas bisedës telefonike midis liderit turk dhe atij rus.

Erdogan po ashtu pritet të zhvillojë një bisedë telefonike gjatë të enjtes edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Lideri turk ka përdorur raportet e mira që ka edhe me Moskën dhe me Kievin, për të tentuar që të ndërmjetësojë përfundimin e luftës, që Rusia nisi më 24 shkurt 2022.

Turqia ka qenë nikoqir i dy rundeve të bisedimeve të paqes dhe po ashtu ka ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për rinisjen e eksporteve të drithërave ukrainase nga Deti i Zi.

Erdogani po ashtu vazhdimisht ka tentuar që të sjellë në Turqi Putinin dhe Zelenskyn në një samit të paqes.

Thirrjet e Erdoganit për armëpushim vijnë pasi më herët gjatë së enjtes, lideri shpirtëror i Rusisë, Patriarku Kirill bëri thirrje për një marrëveshje armëpushimi gjatë Krishtlindjes Ortodokse, që festohet këtë javë.

Erdogani ka arritur të mbajë raporte të mira me Putinin, pasi ka refuzuar që t’i bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë dhe ka arritur marrëveshje dypalëshe tregtare gjatë kohës kur po zhvillohet lufta në Ukrainë.

Të dy liderët tani po tentojnë të çojnë përpara planet për të ndërtuar një qendër të gazit natyror në Turqi, që do t’i mundësonte Rusisë një rrugë alternative për të furnizuar Evropën me karburante.

Zyra e Erdoganit tha se Turqia “ka forcuar dhe do të vazhdojë ta forcojë infrastrukturën” për qendrën e propozuar të gazit.

Si Erdogan, ashtu edhe Putin, shpresojnë “që ky projekt të zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha zyra e presidentit të Turqisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG