Turqia shënon sot përvjetorin e parë të përpjekjes së dështuar të grushtshtetit kundër presidentit Recep Tayyip Erdogan.
Mbrëmjen e 15 korrikut, 2016, dhuna ka përfshirë dy qytetet kryesore: në Stamboll fraksione të ushtrisë, me tanke dhe helikopterë, kanë bllokuar një urë, ndërsa në Ankara kanë rrethuar selitë e inteligjencës turke dhe të Parlamentit.
Përpjekja për puç është shkatërruar, pasi Erdogan u ka bërë thirrje njerëzve të dalin në rrugë dhe të mbështesin qeverinë e tij përballë komplotuesve.
Mbi 240 njerëz, shumica civilë, kanë vdekur gjatë asaj nate.
Erdogan ka fajësuar për grushshtetin mbështetësit e klerikut fetar, Fethullah Gulen, të cilin shpesh e ka akuzuar për përpjekje për të nxitur kryengritje në ushtri, media dhe gjyqësi.
Një vit më pas, pasojat vazhdojnë të trondisin Turqinë.
Mbi 50,000 njerëz janë arrestuar dhe rreth 150,000 të tjerë janë pezulluar ose shkarkuar nga puna, nën dyshimet se kanë lidhje me Gulenin. Gulen, i cili jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara, mohon çdo përfshirje në përpjekjen për puç.
Ndjekësit e tij, të njohur edhe si gylenistë, kanë punuar në çdo cep të shoqërisë – biznese, akademi, shërbime civile dhe media – por Qeveria turke është kritikuar për shfrytëzim të rastit për të goditur të gjithë kundërshtarët dhe jo vetëm komplotuesit e puçit.
Erdogan, në një rast, e ka përshkruar grushtshtetin si “dhuratë nga Zoti” që, siç ka thënë, i ka mundësuar qeverisë të pastrojë institusiconet ushtarake dhe publike nga gylenistët.
Këtë javë, kryeministri turk, Binali Yildirim, tha se “asnjë shtet nuk mund të punojë me ata që nuk tregojnë besnikëri”. “Lufta jonë kundër lëvizjes gyleniste do të vazhdojë me vendosmëri”, tha ai.
Komuniteti ndërkombëtar i ka dënuar arrestimet masive të qytetarëve turq, ndërsa në reagimet e para pas përpjekjes për puç, ka bërë thirrje për qetësi dhe ka thënë se institucionet demokratike të Turqisë duhet të respektohen.
Turqia është anëtar kryesor i NATO-s, luan rol kyç në konfliktin në Siri, ndërsa për Bashkimin Evropian është partner i rëndësishëm në pëprjekjet e tij për të zgjidhur krizën me migrantë dhe të tjera.
Ushtria turke, historikisht, ka ndërhyrë në politikë, pasi e sheh veten si mbrojtëse të sekularizmit dhe demokracisë. Qysh në vitin 1960, në Turqi kanë ndodhur katër grushtshtete.
Në përkujtim të përpjekjes së fundit për grushtshtet, në gjithë Turqinë raportohet se janë vendosur posterë: vizatime të njerëzve që përbalken me ushtarë, nën moton “legjenda e 15 korrikut”.