Ministria turke e Mbrojtjes ka konfirmuar të dielën, nisjen e një numri të ushtarëve turq në Kosovë, si përforcim për misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Përmes disa pamjeve të publikuara në Twitter, autoritetet turke kanë thënë se pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë, është nisur drejt Kosovës.
Prej 29 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.
Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës dhe 52 serbë.
Vetë shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka dënuar rëndë dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.
Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në këtë shtet.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.
Në mesin e kërkesave janë tërheqja e kryetarëve nga ndërtesat komunale dhe pezullimi i operacioneve policore në ato ndërtesa në veri.
Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.
Sa i përket Serbisë, faktori ndërkombëtar ka kërkuar nga ky shtet që të ulë gjendjen e gatishmërisë ushtarake, dhe që të ndihmojë në uljen e tensioneve në mesin e protestuesve serbë në veri.
Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.
Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.