Turqia ka kritikuar programin e Shteteve të Bashkuara për të ofruar mundësinë e zhvendosjes së afganëve që mund të jenë shënjestra të dhunës së talibanëve, për shkak të lidhjeve me SHBA-në, duke thënë se ky vendim mund të nxisë “krizë të madhe të migrimit” në rajon.
Departamenti amerikan i Shtetit ka bërë të ditur programin e ri më 2 gusht, nën të cilën mijëra afganë do të kenë mundësi të zhvendosen si refugjatë në SHBA.
Afganët që do të jenë pjesë e këtij programi duhet të barten në një shtet të tretë, dhe të presin për 12 deri në 14 muaj derisa të analizohet gjithë aplikacioni.
Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit ka thënë se Uashingtoni është duke diskutuar me vendet fqinje, duke shtuar se është e rëndësishme që kufijtë e Pakistanit me Afganistanin të mbeten të hapur, derisa të tjerët mund të udhëtojnë në Turqi përmes Iranit.
Ministria e Jashtme turke ka thënë përmes një deklarate se ka refuzuar referencën e Turqisë si pikë rrugë migrimi për afganët dhe ka shtuar se Turqia – ndër vendet me së shumti refugjatë në botë – nuk do të përfshihet në “krizën e migrimit si një vend i tretë”.
“Si Turqi, ne nuk pranojmë vendimin e papërgjegjshëm të Shteteve të Bashkuara pa u konsultuar me shtetin tonë. Nëse SHBA-ja dëshiron të marrë këta njerëz në vendin e vet, është e mundshme t’i transferojë ata përmes aeroplanëve”, ka thënë ministria.
“Askush nuk duhet të presë nga kombi turk që të përfshihet në krizën e migrantëve si rezultat i vendimeve për vendet e treta në rajon”, është thënë në reagim.
Qindra afganë kanë kaluar në Turqi në javët e fundit, ndërkohë që rritet shkalla e dhunës në Afganistan, duke rritur shqetësimet për fluks të ri të migrantëve.
Marrëdhëniet në mes të Ankarasë dhe Uashingtonit janë tensionuar për një mori çështjesh, duke nisur nga vendimi i Ankarasë për të blerë sisteme ruse të mbrojtjes, e deri te dallimet në politika në Siri, Libi dhe lindje të Mesdheut.
Ankaraja ka ofruar mundësinë për të ruajtur Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai në Kabul, pas tërheqjes së trupave amerikane dhe atyre të NATO-s nga Afganistani, çka mund të ndikojë në rritje të bashkëpunimit në mes të aleatëve të NATO-s.
Zhvendosja e afganëve
Departamenti amerikan i Shtetit, ka njoftuar më 2 gusht se punëtorët aktualë dhe ata që kanë punuar në agjenci amerikane apo agjenci që pranojnë fonde amerikane, tani do të mund të aplikojnë për statusin e refugjatit në Shtetet e Bashkuara.
Ky njoftim vjen teksa militantët talibanë vazhdojnë ofensivën e tyre për të pushtuar territore në Afganistan, prej kur forcat e huaja amerikane, kanë nisur të tërheqjen nga muaji maj.
Procesi i tërheqjes pritet të finalizohet më 31 gusht.
Punëtorët dhe ish-punëtorët e Qeverisë amerikane apo ata të operacioneve ushtarake të NATO-s, që nuk përmbushin kriteret për programet speciale për viza, janë të përfshirë në listë, ka thënë Departamenti amerikan i Shtetit.
Krijmi i listës “Prioriteti 2”, për afganët brenda Programit të Pranimit të Refugjatëve, do të mbulojë afganët dhe familjarët e tyre që “mund të jenë në rrezik për shkak bashkëpunimit me SHBA-në”, mirëpo nuk janë në gjendje të aplikojnë në programin special për viza të imigrantëve, meqë nuk kanë punuar drejtpërdrejt për Qeverinë afgane.
Departamenti amerikan i Shtetit, ka thënë se ky program nënkupton se “mijëra afganë” dhe familjet e tyre kanë mundësi që kenë lejeqëndrim të përhershëm në Shtetet e Bashkuara si refugjatë.
“Synimi amerikan mbetet Afganistani paqësor dhe i sigurt”, është thënë në deklaratë.
“Megjithatë, teksa rritet niveli i dhunës së talibanëve, Qeveria amerikane është duke punuar për t’iu mundësuar disa afganëve, duke përfshirë atyre që kanë punuar me Shtetet e Bashkuara, që të jetojnë përjetësisht në SHBA”.
Për të aplikuar në kategorinë “Prioriteti 2”, afganët duhet të nominohen nga ndonjë agjenci qeveritare amerikane, nga shtetas amerikanë, media me bazë në SHBA, apo organizata joqeveritare.
Grupi i parë prej 221 afganëve, shumica prej të cilëve përkthyes, të cilët kanë kaluar të gjitha testet për siguri, kanë arritur më 30 korrik në Uashington.
Rreth 2.500 afganë tjerë pritet të arrijnë në SHBA në ditët në vijim.
Ndërkohë, rreth 4.000 persona tjerë që kanë aplikuar për shpërngulje në SHBA, plus familjet e tyre, dhe janë duke pritur që të kalojnë fazat e sigurisë, do të dërgohen në shtete të treta, derisa të përfundojnë të gjitha procedurat.
Deri më tani vlerësohet se 20.000 afganë kanë shprehur interesim për programet amerikane të zhvendosjes.
Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.
Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.
Facebook Forum