Ndërlidhjet

Turqia kërkon ekstradimin e shtetasit të saj nga Kosova


Ilustrim
Ilustrim

Turqia nuk po heq dorë nga kërkesa që Kosova ta ekstradojë shtetasin turk, Ugur Toksoj, i cili është arrestuar në Kosovë me kërkesën e autoriteteve të Ankarasë, për shkak të dyshimit se ka qenë anëtar i organizatës FETO, të cilën autoritetet turke e konsiderojnë si organizatë të armatosur terroriste. Lidhur me këtë çështje, Gjykata e Kosovës do të vendosë në javët e ardhshme. Ndaj Toksojit tashmë ekziston masa e paraburgimit prej 40 ditësh, ndërkaq që për të ekziston kërkesa për ekstradim nga Ministria e Drejtësisë e Republikës së Turqisë, më 16 dhe 19 tetor të vitit 2017, si dhe Gjykatës Penale, e cila e ka shpallur urdhër-arrestin.

Ndaj të dyshuarit po bëhet hetim penal në Turqi, për përfshirje të supozuar në organizatë të armatosur. Gjykatës Themelore në Prishtinë ka sjellë vendimin në mënyrë që Toskoj të mos e lëshojë vendin dhe ai të jetë i qasshëm për organet gjyqësore.

Avokati i Toksojit, Adem Vokshi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se në të dhënat e Prokurorisë theksohet që Toksoj ka ndihmuar financiarisht organizatën e Fetullah Gulenit me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, organizatë kjo e cila, siç thuhet, qëndron prapa grusht-shtetit të vitit 2016.

Avokati Vokshi thekson se nuk ekzistojnë kurrfarë argumentesh se Toksoj ka qenë i lidhur me lëvizjen Hizmet të udhëheqësit religjioz turk Fatulah Gulen, të cilin autoritetet turke e kanë akuzuar se qëndron prapa tentimit për grusht-shtet të vitit 2016.

“Atmosfera, në Prizren që është, e ka veprimtarinë e regjistruar në mënyrë zyrtare. Veprimtaria e shoqatës së tij kontrollohet nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe nga ana e Ministrisë së Financave, për veprimtarinë e saj që e bën këtu. Kështu që asnjë para e kësaj shoqate dhe asnjë para e tij nuk ka shkuar për shoqatën Guleniste, për atë të cilën ky ngarkohet. Shteti i Turqisë nuk ka ofruar kurrfarë provash që zoti Ugur është fajtor për atë për çfarë ngarkohet”, tha avokati Vokshi.

Ugur Toksoj, tash e 10 vjet jeton me familjen e tij në Kosovë dhe punon si koordinues në degën e fondacionit arsimor “Atmosfera”, në Prizren, fondacion i cili ofron shërbime kulturore dhe arsimore për të rinjtë në vend.

Ambasadorja turke në Kosovë, Kiviligjim Kiliq, në një konferencë për media, të mërkurën, ka shprehur besimin se gjyqësori i Kosovës do të vendosë drejtë lidhur me këtë rast, duke theksuar se Toksoj do të ballafaqohet me gjykim në Turqi. Ambasadorja Kiliq u është drejtuar vetëm mediave turke në Kosovë.

Fatri Nezha nga fondacioni “Atmosfera”, thotë për Radion Evropa e Lirë se Toksoj ka punuar si koordinator i fondacionit në Prizren, tash e 10 vjet dhe se tash e tre vjet nuk ka udhëtuar për në Turqi. Siç thotë ai, Toksoj ka leje të rregullt qëndrimi në Kosovë dhe se i gjithë rasti është i motivuar politikisht.

Nuk është e vërtetë që ai ka marrë pjesë (në grusht-shtetin në Turqi). Kjo thjeshtë është çështje ideologjike, politike, sepse Ugur Toksoj, në kohën që ka ndodhur puçi i shtetit, ka qenë në Kosovë. Nuk ka qenë as në Turqi e as nuk ka marrë pjesë. Gati ka tre vjet që nuk ka shkuar në Turqi. Këtë e vërtetuar edhe në gjykatë, përmes pasaportës”, tha Nezha.

Nezha ka shtuar se fondacioni “Atmosfera” mbështetë aktivitetet kulturore dhe arsimore në Kosovë dhe se bashkëpunon në mënyrë aktive me institucionet e Kosovës. Financimi i fondacionit, sipas tij, bëhet nga donatorët vendorë dhe nga pagesat e shfrytëzuesve të shërbimeve të tyre. Nezha thekson se përderisa Turqia “i konsideron personat që punojnë në fondacion si terroristë, atëherë me siguri që edhe fondacionin e konsideron si terrorist”.

Avokati Vokshi, thekson që, në qoftë se zbatohet ligji, atëherë ekstradimi i Toksojt nuk do të duhej të ndodhte.

Madje edhe në rast se vërtetohet fajësia e tij, Marrëveshja për ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, neni 3, parasheh që askush nuk mund ekstradohet në Turqi ose Kosovë, për bindje politike. Tjetra, për shkak të nuk mund të vijë deri te ekstradimi në qoftë se nuk ekzistojnë garanci që gjykimi do të jetë i drejtë dhe që personi nuk do t’i jetë objekt i torturës dhe ndjekjes njerëzore, gjë që po ndodh për çdo ditë në Turqi”, tha avokati Vokshi.

Në periudhën e ardhshme, Gjykata edhe një herë duhet të shqyrtojë kërkesën dhe provat, në mënyrë që të vërtetohet se a do të vijë situata deri te ekstradimi ose që kërkesa për një gjë të tillë do të refuzohet për shkak të mungesës së provave. Megjithatë, fjalën e fundit për këtë e ka Ministri i Drejtësisë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka thënë se autoritetet e Kosovës duhet ta refuzojnë kërkesën e organeve të Turqisë, që me procedurë të përshpejtuar të bëhet ekstradimi i Toksojt në Turqi, për shkak se përveç shkeljes së të drejtave të njeriut, atij nuk do të kishte as gjykim të drejtë.

Ekstradimi i një personi të arrestuar në shtetin, i cili e kërkon, është obligim ndërkombëtar, por kur vlerësohet se ai person mund të kalojë nëpër një tretman brutal dhe ndaj tij mund të përdoret torturë fizike dhe psikike dhe në këtë mënyrë i rrezikohet jeta, atëherë deri te ekstradimi nuk duhet të vijë. Në të kundërtën, Kosova do të identifikohet si vend që i kontribuon shkeljes së të drejtave të njeriut përmes ekstradimit”, thuhet në reagimin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. Aty gjithashtu theksohet se Kosova nuk duhet t’i nënshtrohet diktaturës, kushtëzimeve ose shantazheve.

Ambasadorja turke, Kiliq, në konferencën për gazetarë ka thënë se deklaratat lidhur me proceset gjyqësore në Turqi, janë të pabaza, të pakëndshme dhe tentime të hapura që të mashtrohet drejtësia. Ajo ka theksuar se duhet të pritet vendimi i gjykatës.

Prokurori i përgjithshëm i Republikës së Turqisë, Mehmet Akardja, më 4 tetor në Prishtinë, është takuar me ministrin e Drejtësisë të Qeverisë së Kosovës, Abelard Tahiri dhe Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Akardja ka shprehur kënaqësinë që është arritur pajtimi për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet organeve të drejtësisë të Turqisë dhe Kosovës, në luftë kundër terrorizmit dhe organizatave terroriste, sikurse Partia e Punëtoreve të Kurdistanit (PPK), Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit, si dhe FETO-s.

Miqve tanë ua kemi theksuar dëshirën që të na ndihmojnë për procedimin e veprave jolegale të pjesëtarëve të organizatave terroriste, të cilat janë të pranishme gjithkah nëpër botë”, kishte theksuar Akrdja.

Mediet turke kanë raportuar se autoriteteve të Kosovës u është dorëzuar lista me emrat e 25 shtetasve turq, të cilët po hetohen nga Turqia.

Zëdhënësi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Ekrem Lutfiu, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ata kanë marrë “një material, në të cilin ka informacione për aktivitetet e disa shtetasve të Turqisë dhe të Kosovës në fushën e biznesit, shëndetësisë dhe arsimit. Por, në atë dosje nuk ceket se ndonjëri nga këta persona është duke u ndjekur për ndonjë vepër penale nga autoritetet e Turqisë”, ka thënë Lutfiu.

Kohë më parë, Kryeprokurori Lumezi, ka konfirmuar se është e nevojshme që të forcohet bashkëpunimi i institucioneve të prokurorive të shteteve, të Kosovës dhe Turqisë, në fushën e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, duke shtuar se Kosova do të ofrojë ndihmën juridike ndërkombëtare për Turqinë, aty ku ajo është e nevojshme, por që edhe nga Turqia do të kërkohet ndihmë për rastet që hetohen në Kosovë.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG