Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ia ka dërguar Parlamentit turk për ratifikim protokollin për pranimin e Suedisë në NATO, njoftoi zyra e tij më 23 tetor.
Ky vendim e sjellë më afër shtetin nordik për anëtarësim në aleancën ushtarake.
Erdogan e kishte vonuar ratifikimin e anëtarësimit të Suedisë, duke e akuzuar Stokholmin se ka qenë i butë ndaj militantëve kurdë dhe grupeve të tjera që gjenden në këtë shtet, e që Turqia i konsideron si kërcënime për sigurinë e saj. Po ashtu, Ankaraja është zemëruar me djegien e kopjeve të Kuranit – librit të shenjtë të myslimanëve – në protestat në Suedi.
Të 31 anëtarët e NATO-s duhet të mbështesin anëtarësimin e Suedisë. Turqia dhe Hungaria janë të vetmet anëtare të aleancës që ende nuk e kanë ratifikuar atë.
Përmes një deklarate të shkurtër, Presidenca turke tha se Erdogan ka nënshkruar protokollin për pranimin e Suedisë në NATO, i cili i është dërguar Asamblesë Kombëtare turke. Megjithatë, në njoftim nuk u bë e ditur se kur do të jetë kjo çështje në rend dite në Parlamentin turk.
Suedia mirëpriti këtë vendim.
“Gëzohem që presidenti turk Erdogan tani ia ka dërguar dokumentet për ratifikim Parlamentit turk”, tha kryeministri suedez, Ulf Kristersson, përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter.
Suedia dhe Finlanda u deklaruan se duan t’i bashkohen NATO-s, pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës shkurtin e vitit të kaluar.
Finlanda iu bashkua aleancës në prill, pasi Turqia hoqi pengesat e saj për anëtarësim, duke theksuar se Helsinki kishte adresuar shqetësimet e sigurisë së Ankarasë.