Ndërlidhjet

Turkmenistani ndalon importin e kostumeve të plazhit


Turistët në Detin Kaspik, foto nga arkivi.
Turistët në Detin Kaspik, foto nga arkivi.

Mos fajësoni banorët e Turkmenistanit, nëse kostumet e tyre të plazhit duken jashtë mode gjatë kësaj vere në plazhet e Detit Kaspik.

Qeveria turkmene ka ndaluar importin e rrobave të plazhit duke detyruar notarët dhe personat e tjerë që vizitojnë bregdetin të veshin kostumet e tyre të vjetra apo t’i dizajnojnë vetë ato.

Pronarët e dyqaneve të këtyre veshjeve kanë thënë se zyrtarët e doganave kanë ndaluar edhe importin e pantollonave të shkurtër për gratë dhe burrat.

“Jemi duke iu afruar stinës së notit, andaj edhe kërkesa për këto produkte është rritur”, ka thënë një shitës për Radion Evropa e Lirë.

“Mirëpo zyrtarët e doganave nuk kanë dhënë sqarime për arsyen e këtij ndalimi”.

Në një treg të ri në kryeqytetin e këtij shteti, Ashgabat, shitësit mund t’iu ofrojnë konsumatorëve vetëm produktet që kanë mbetur nga e kaluara.

Sapo ato produkte të kenë mbaruar është e paqartë se çfarë zgjidhje do të bëjnë banorët që vizitojnë plazhin apo ata që dëshirojnë të veshin pantollona të shkurtër kur temperatura të arrijë në 50 gradë Celsius.

Njëjtë, nuk është bërë e qartë nëse kostumet e vjetra janë në kundërshtim me normat e reja qeveritare.

Kostumet e plazhit dhe veshjet tjera janë mallrat e fundit që qeveria turkmene i ka cilësuar të papranueshme për popullin e saj.

Vendi i udhëhequr rreptë prej vitit 2007 nga presidenti, Gurbanguly Berdymukhammedov, i cili e konsideron veten si “Mbrojtës”, ka vendosur ndalime të shumta kohën e fundit duke përfshirë veturat e zeza, pasi që presidenti beson se veturat e bardha sjellin “fat të mirë”.

Në produktet tjera të ndaluara përfshihen ngjyrat për thonj, flokë dhe aksesorët e arit për të gjithë punëtorët.

Sikurse edhe ndalimet tjera, qeveria nuk ka treguar se pse ka vendosur të ndalojë importin e veshjeve të plazhit.

Një zyrtar i doganave i ka thënë Radios Evropa e Lirë se ndalimi është i lidhur me “normat morale të popullit turkmen”.

Ai ka folur në kushte anonimiteti meqë nuk ka pasur të drejtë të flasë për media.

Pasi që nuk është njoftuar zyrtarisht për këtë ndalim shumica e banorëve mësojnë për rregullat e reja në momentin që përballen me to.

Njëri nga rastet është kur policia ka konfiskuar veturat e zeza nga parkingu apo ka vënë gjoba në trafik për ata që kanë poseduar vetura të tilla.

Ndalimi për mirëmbajtjen e thonjëve dhe ngjyrosjen e flokëve për punëtorët qeveritarë ka qenë vetëm fillimi pasi që pas pak kohe shitësit e këtyre produkteve kanë treguar se dogana kanë ndaluar importin e produkteve në fjalë.

Shumë turkmenë e cilësojnë gjest ironik vendimin për ndalimin e lyrjes së flokëve, pasi presidenti Berdymukhammedov njihet për flokët e tij gri në fillimet e udhëhëqësisë së tij, ndërisa tani shfaqet me flokë me ngjyrë të zezë.

Flokët e lyera të presidentit Berdymukhamedow
Flokët e lyera të presidentit Berdymukhamedow

​Turkmenistani njihet si shoqëri konservative, kultura dhe normat e të cilit ndikohen nga Islami, që është fe dominuese në këtë vend.

Mirëpo kostumet e plazhit, të llojit që gjenden në vendet Perëndimore kanë qenë të zakonshme për burrat dhe gratë që kanë vizituar plazhet e Detit Kaspik.

Turkmenistani njihet si shtet i pasur me gaz natyror, mirëpo keqmenaxhimi i qeverisë ka dërguar në probleme siç është papunësia e madhe, inflacioni dhe mungesa e rëndë e prodhimeve, duke përfshirë bukën.

Kjo gjë ka detyruar turkmenët të kontrabandojnë miell nga shtetet fqinje.

Me një pagë mesatare prej rreth 300 dollarësh, disa njerëz janë detyruar të kërkojnë punë në Turqi, Azerbajxhan apo shtete e Azisë Qendrore, si Kazakistani apo Uzbekistani.

Një grup i turkmenëve kanë mbajtur një protestë të improvizuar më 3 prill pasi pa ndonjë sqarim nuk janë lejuar të udhëtojnë drejt Stambollit, në mesin e një fushate qeveritare për të mos lejuar njerëzit të largohen nga shteti.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG