Trupi i liderit opozitar rus, AlexeiNavalny – i cili vdiq papritmas dhe befas në burg javën e kaluar – i është dorëzuar nënës së tij, njoftoi të shtunën ish-zëdhënësja e tij, Kira Yarmysh.
Yarmysh tha se nuk e di nëse autoritetet ruse do të lejojnë mbajtjen e varrimit të tij “në mënyrën se si familja dëshiron dhe në mënyrën se si Alexei e meriton”.
Trupi i Navalnyt iu dorëzua nënë së tij Lyudmila Navalnaya pak kohë pasi asaj i ishte kërkuar të pajtohej për “varrosjen e tij fshehurazi”, ose ndryshe ai do të varrosej në burgun ku vdiq.
Yarmysh i falënderoi të gjithë ata që kishin kërkuar kthimin e trupit të tij te familja.
Nëna e Navalnyt e kaloi javën e kaluar në qytetin afër burgut ku ai vdiq, duke u përpjekur së pari ta gjejë vendndodhjen e trupit të tij dhe duke kërkuar pastaj që trupi i tij t’i dorëzohej.
Pasi e nënshkroi një certifikatë të vdekjes së tij ku thuhej se ai ka vdekur nga shkaqe natyrale, asaj i ishte dhënë tri orë kohë për t’u pajtuar për ta varrosur “fshehurazi” të birin.
Nëse nuk do të pajtohej, trupi i tij do të varrosej në oborrin e burgut ku vdiq, i ishte thënë nënës së tij, sipas Yarmysh.
Por, Lyudmila nuk kishte pranuar të negocionte me autoritetet.
Të shtunën më herët, e veja e Navalnyt, Yulia Navalnaya, e akuzoi presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, se po e mbante “peng” trupin e burrit të saj dhe i kërkoi ta lironte atë pa asnjë kusht.
Ajo përsëri e akuzoi presidentin rus se është përgjegjës për vdekjen e burrit të saj.
Kremlini i ka mohuar akuzat, ndërsa reagimet e Perëndimit për vdekjen e tij i ka cilësuar si “histerike”.
Navalny vdiq më 16 shkurt në një burg rus në Arktik.
Navalny ka qenë kritiku më i madh i liderit rus për vite të tëra.
Në gusht 2020, Navalny ishte helmuar me agjent nervor Noviçok, dhe atëbotë e kishte fajësuar aparatin shtetëror, në krye me Putinin, për atë vendim.
Navalny ishte shëruar në Gjermani pas helmimit, dhe në ditën e kthimit në Rusi, ishte dërguar në burg.
Përpjekjet për ta përkujtuar vdekjen e tij janë shtypur nga autoritetet ruse, të cilat i kanë larguar memorialet e improvizuara për nder të tij në disa qytete ruse, si dhe i kanë arrestuar qindra njerëz.