Ndërlidhjet

Trump përmend armët kineze në prag të braktisjes së paktit me Rusinë


Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se vendimi i tij për t’u larguar nga Traktati Bërthamor, i nënshkruar me Rusinë dekada më parë, është nxitur jo vetëm nga pretendimet se Moska është duke shkelur këtë pakt, mirëpo edhe nga nevoja për t’iu përgjigjur Kinës në aspektin e krijimit të armëve bërthamore.

“Rusia nuk ka vepruar në përputhje me marrëveshjen”, ka thënë Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 22 tetor.

“Ne kemi të holla më shumë se askush tjetër. Ne do të ndërtojmë armë derisa ata të vetëdijësohen”, ka thënë ai.

“Jam duke ndërprerë marrëveshjen sepse ata kanë shkelur paktin”, ka thënë Trump, mirëpo ai ka thënë se vendimi i tij është “kërcënim për secilin, përfshirë, Kinën, Rusinë dhe secilin që përfshihet në këtë lojë. Nuk mundemi. Nuk mund të luani atë lojë me mua”.

Ndonëse Kina nuk ka qenë kurrë pjesë e Traktatit për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme, i cili është negociuar në kohën e Luftës së Ftohtë në mes të presidentit të atehershëm amerikan, Ronald Reagan dhe homologut të tij rus, Mikhail Gorbachev, Trump ka insistur që edhe Kina duhet të përfshihet në këtë marrëveshje.

Deklaratat e Trumpit kanë ardhur pasi Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton është takuar në Moskë me zyrtarë të lartë të Rusisë, të cilët kanë paralajmëruar se çdo vendim i Uashingtonit për të braktisur Traktatin, do të përbëjë “rrezik” dhe do të nxisë Moskën për të marrë hapa drejt balancimit të fuqisë.

Çdo veprim në këtë drejtim do të përcjellet me kundërmasa, sepse stabiliteti strategjik mund të arrihet vetëm në baza të barazisë”, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov më 22 tetor, para se të niste takimin me Boltonin.

“Kjo barazi duhet të sigurohet me të gjitha kushtet. Ne kemi përgjegjësi për stabilitet global dhe presim nga Shtetet e Bashkuara të mos braktisin pjesën e tyre të përgjegjësisë”.

Bolton pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin për të diskutuar këtë çështje më 23 tetor.

Bolton ka përsëritur argumentin e Trumpit për Kinën në një intervistë për të përditshmen ruse, Kommersant.

Ai ka thënë se Shtëpia e Bardhë është e shqetësuarme supozimet për shkelje të paktit nga ana e Rusisë, por edhe për rritjen e kapaciteteve të armëve bërthamore të Kinës, duke e cilësuar këtë të fundit “kërcënim shumë real”.

Derisa Bolton e ka pranuar se mund të jetë e paimagjinueshme që të ketë pritshmëri nga Kina për të zbatuar një pakt që nuk ka nënshkruar kurrë, ai ka thënë se zhvillimi i raketave me rreze të mesme në Kinë dhe Korenë Veriore nënkupton që traktati me Rusinë nuk përkon me realitetin e ditës së sotme.

Kina në anën tjetër ka qortuar qasje amerikane, përmes së cilës ka tentuar të shtyjë Pekinin që të bëhet pjesë e negocimit të armëve.

“Duhet theksuar se është plotësisht qasje e gabuar që të përmdet Kina kur bisedohet për tërheqje nga Traktati”, ka thënë zëdhënësja e ministrisë së Jashtme kineze, Hua Chunying, e cila i ka bërë thirrje Uashingtonit të “mendoj dy herë” lidhur me vendimin e bërë publik.

Ndërkohë analistët për mbrojtje kanë thënë se derisa Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë eliminuar gati të gjitha raketat me rreze të shkurtër dhe mesme veprimi, Kina ka ndërtuar gjatë gjithë kohës, një lloj të tillë të armëve.

Duke shkruar për American Interest, Stephen Sestanovich, ish-drejtori për zhvillimet politike në kohën e Reaganit, në Këshillin amerikan për Siguri Kombëtare, ka thënë se “bashkëpunimi ushtarak në mes të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara do të jetë pa dyshim prioriteti kryesor i Pentagonit në të ardhmen”.

“Mirëpo ideja e të larguarit nga Traktati me Rusinë, duket, të paktën tani, e parakohshme”, ka shtuar Sestanovich.

Traktati për Armët Bëthamore u ndalon Shteteve të Bashkuara dhe Rusinë, posedimin, prodhimin dhe zhvillimin e raketave tokësore me rreze nga 500 deri më 5,500 kilometra.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Rusia ka zhvilluar sistem raketor të njohur si 9M72, duke vepruar në kundërshtim me paktin.

Rusia mohon akuzat amerikane dhe pretendon që disa elemente të sistemeve amerikane për mbrojtje në Evropë janë po ashtu në kundërshtim me marrëveshjen, deklarata që Uashingtoni i ka hedhur poshtë.

Rusia ka përmendur shqetësimet për tërheqje të mundshme të SHBA-së nga ky Traktat edhe në Kombet e Bashkuara në orët e vona të 22 tetorit.

Zëvendës-drejtori i Departamentit për kontrollin e armëve në ministrinë e Jashtme të Rusisë, Andrei Belousov, i ka thënë Komitetit të OKB-së për çarmatim se tërheqja e SHBA-së do të jetë “tejet e rrezikshme” dhe do të “vërtetojë sërish se autoritetet politike dhe ato ushtarake amerikane janë duke kërkuar që të sigurohemi se ushtria amerikane mban primatin në gjithë botën”, në vend që të synojë krijimin e “paqes dhe stabilitetit”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG