Presidenti amerikan, Donald Trump ka biseduar përmes telefonit me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe ka sugjeruar që Shtetet e Bashkuara të marrin pronësinë e centraleve ukrainase të energjisë, teksa tenton të ndërtojë një urë mes Moskës dhe Kievit dhe të arrijë një armëpushim për luftën e nisur më shumë se tre vjet më parë.
Trump i ka thënë Zelenskyt se pronësia amerikane në rrjetin energjik dhe centralet bërthamore të Ukrainës “do të ishte gjëja më e mirë për mbrojtjen e asaj infrastrukture”, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.
Propozimi reflekton bindjen e Trumpit që pronësia amerikane në asete ukrainase do të shërbente si garanci e sigurisë për këtë shtet, sepse Rusia do të përmbahej nga sulmet, për shkak të frikës së ndonjë përshkallëzimi të situatës me Shtetet e Bashkuara.
Kërkesa e Kievit për garanci të sigurisë është në qendër të diplomacisë mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje për paqe.
Shtëpia e Bardhë e ka përshkruar bisedën telefonike të 19 marsit si “fantastike” dhe që Trump synon të dërgojë më shumë sisteme raketore Patriot në Ukrainë, derisa Zelensky është pajtuar që të mos sulmohen asetet ruse të energjisë për 30 ditë.
Përmes një postimi në mediat sociale, Trump ka thënë se synimi i thirrjes ka qenë “afrimi i Rusisë dhe Ukrainës sa u përket kërkesave dhe nevojave të tyre”.
Trump ka thënë se palët janë duke shkuar drejt një rruge të përbashkët, dhe që i ka kërkuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe Këshilltarit për Siguri Kombëtare, Michael Waltz që të bëjnë një përshkrim të duhur të pikave që janë diskutuar.
Biseda e së mërkurës ka qenë e para mes Trumpit dhe Zelenskyt prej takimit të tyre në Zyrën Ovale, më 28 shkurt, që nuk ka përfunduar në mënyrën më të mirë.
Biseda e tyre më 19 mars është zhvilluar pas thirrjes telefonike që ka zhvilluar të martën Trumpi dhe Putini.
Putini e ka refuzuar propozimin për armëpushim 30-ditor, i cili është shtyrë përpara nga Trumpi dhe paraprakisht është pranuar nga Ukraina.
Putini është pajtuar për t’i pezulluar vetëm sulmet në infrastrukturën e energjisë.
Megjithatë, Rusia dhe Ukraina e kanë akuzuar njëra-tjetrën më herët gjatë ditës për shkelje të marrëveshjes së re.
Trump e ka kthyer në prioritet kryesor përfundimin e kësaj lufte që ka vrarë dhe plagosur mbi një milion njerëz.
Por, dy palët janë shumë larg në qëndrime në çështjet si shkëmbimi territorial dhe garancitë e sigurisë për Ukrainën.
Presidenti Trump duket se do të duhet të përdorë shumë shkopinj dhe karota për t’i bindur palët që të arrijnë pajtueshmëri.