Ndërlidhjet

Trump e nominon gjeneralin e pensionuar Kellogg si të dërguar për Ukrainën dhe Rusinë

E përditësuar

Keith Kellogg. (Fotografi nga arkivi)
Keith Kellogg. (Fotografi nga arkivi)

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, e ka nominuar gjenerallejtënantin e pensionuar, Keith Kellogg, për të shërbyer si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ukrainën dhe Rusinë.

Trump njoftoi të mërkurën në rrjetin e tij social, Truth Social, se e ka zgjedhur Kelloggin për këtë pozitë.

"Keith ka karrierë të shquar ushtarake dhe biznesore, duke përfshirë shërbimin në role shumë të ndjeshme të Sigurisë Kombëtare gjatë administratës sime të parë", tha Trump në rrjetin e tij social.

Gjatë këtij muaji u raportua se Trumpi do ta nominonte Richard Grenellin për këtë pozitë.

Në të kaluarën, Grenelli ka shërbyer si ambasador amerikan në Gjermani, më pas si i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe si shef për inteligjencë kombëtare në mandatin e parë të Trumpit si president.

Emërimi i Kellogg-ut vjen pasi Trump, gjatë fushatës së tij presidenciale, e kritikoi SHBA-në për mbështetjen në vlerë miliarda dollarësh që i ka dhënë Ukrainës që nga fillimi i pushtimit të plotë nga Rusia në shkurt 2022.

Përfundimi i shpejtë i luftës në Ukrainë ka qenë ndër zotimet kryesore të Trumpit gjatë fushatës presidenciale, edhe pse ai asnjëherë nuk ka shpjeguar se si do ta arrinte një gjë të tillë.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Kellogg e ka mbrojtur qëndrimin se ukrainasve duhet t’u thuhet se, nëse nuk ulen në tavolinën e bisedimeve, mbështetja e SHBA-së do të ndalet, ndërsa presidentit rus Vladimir Putin duhet t’i thuhet se, nëse ai nuk pranon të negociojë, Shtetet e Bashkuara do t’u japin ukrainasve "gjithçka që u nevojitet për t’ju vrarë në fushëbetejë."

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO do të hiqej nga tavolina si një lloj nxitje për Rusinë që të bashkëpunojë, ndërsa rikthimi i tij në agjendë do të ishte një lloj ndëshkimi për Rusinë në rast të mosbashkëpunimit.

Kellogg, 80 vjeç, shkroi më herët këtë vit se "për t’i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës do të nevojitet një lidership i fuqishëm 'Amerika e Para' për të arritur një marrëveshje paqeje dhe për t’i ndaluar menjëherë armiqësitë midis dy palëve ndërluftuese".

Ai i bëri këto deklarata në një dokument studimor të shkruar për Institutin e Politikave "America First", një organizatë kërkimore e krijuar pas largimit të Trumpit nga detyra në vitin 2021.

“Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të armatosin Ukrainën dhe ta forcojnë mbrojtjen e saj për t’u siguruar që Rusia të mos bëjë përparime të mëtejshme dhe të mos sulmojë përsëri pas një armëpushimi ose marrëveshjeje paqeje”, thuhej në dokument.

“Sidoqoftë, ndihma e ardhshme ushtarake amerikane do të kërkojë që Ukraina të marrë pjesë në bisedimet e paqes me Rusinë”.

Kellogg ka qenë shef i stafit për Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të Trumpit nga viti 2017 deri në vitin 2021 dhe këshilltar i sigurisë kombëtare për ish-nënpresidentin Mike Pence.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG